LAJME PËRTEJ DETIT

Dy lajmet që erdhën nga Tirana, në fillim të dhjetorit, ishin direkt të lidhura me realitetin italian. I pari kishte të bënte me diplomën universitare të Renzo Bossi-t, i dyti me emisionin “AKrasta Show” të televizionit shqiptar Agon Tv.

Në të vërtetë, lajmi i parë nuk ishte i padëgjuar për publikun. Skandali i djalit të liderit të Lidhjes së Veriut (Umberto Bossi) pati plasur që në maj të 2012-s, kur u mor vesh se kishte në duar diplomën e Universitetit shqiptar “Kristal”, më saktë në Fakultetin Administrim Biznes. Në atë kohë ekzistonte dyshimi se diploma e Troftës  ishte paguar me fondet e partisë “Lega Nord”.

Diploma e Bossi jr. zuri sërish faqet e gazetave italiane, por kësaj radhe karburanti mediatik erdhi nga përtej Adriatikut. Gazetat cituan deklaratat e Ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri. Ja çfarë shkruante Corriere lajmi-diploma-falsedella Sera: “77 mijë euro, kaq i kushtoi Renzo Bossi-it diploma në universitetin ‘Kristal’ të Tiranës, në Shqipëri, sipas prokurorëve të Milanos që hetojnë për fondet e Lidhjes të marra nga familja e Senatùr-it [Umberto Bossi shën. përkth.]. Tani mësojmë se edhe prokuroria shqiptare po heton mbi shitblerjen e supozuar të titujve të studimit. ‘Janë rreth dhjetë studentë italianë të hetuar në Tiranë, sepse kanë marrë diploma pa i ndjekur kurrë leksionet në universitetet private shqiptare’, i deklaroi gazetares Raffaella Calandra, në emisionin A Ciascuno il Suo (Secilit të vetin) në Radio24, Saimir Tahiri, Ministri i Brendshëm shqiptar: ‘Nuk duam turizëm diplomash të blera, këta studentë fantazma po hetohen për korrupsion, abuzim në detyrë e vepra të tjera penale. Edhe Renzo Bossi është një nga rastet’”.

Lajmi tjetër ishte krejtësisht i ri, madje publikut italian i erdhi me zërin e klounit dhe artin e humorit. Në emisionin e famshëm në RAI 3, “Che tempo che fa”, humoristja mirënjohur Luciana Littizzetto gjatë serisë së 24 nëntorit 2013, ironikisht shprehu dëshirën se donte të transferohej në Shqipëri së bashku me gazetarin italian Alessio Vinci. “Kushedi si ka shkuar, me gomone” e shigjetoi në fillim duke nxjerrë nga partiturat një lajtmotiv të vjetër. Më pas i tregoi drejtuesit të emisionit, Fabio Fazio, disa pamje të televizionit shqiptar Agon Tv (Akrasta show) duke i thënë: “Ky program mos të sjell ndër mend diçka?”. Drejtuesi i emisionit, që bujt çdo të diel monologun e humoristes, iu përgjigj: “Nuk më vjen asgjë ndër mend…, por idetë janë në ajër. Nuk dija asgjë, gjithsesi”. Më tej Littizzetto, me disa batuta ironike, duke iu referuar ngjashmërisë së emisionit shqiptar me “Che tempo che fa”, shtoi: “Edhe ne i marrim formatet gjetiu, por të paktën i paguajmë. Ty mos të kanë paguar gjë?”, duke thënë praktikisht se televizioni shqiptar e kishte kopjuar formatin e emisionit. Më tej humoristja e mirënjohur Luciana Littizzetto tha: “Por këta shqiptarët, një herë i dhanë diplomë Troftës, tani paguajnë Vinci-n. Dikush duhet të shkojë e t’ua thotë…” (emisioni mund të shikohet në internet në faqen përkatëse, këtu nga minuta 13,47 e videos). Lajmin e dhanë edhe media të tjera italiane, duke filluar nga La Repubblica.

Një program tjetër televiziv mjaft i ndjekur, kësaj radhe midis satirës e gazetarisë, “Le iene”, i kushtoi një pjesë pikërisht ngjashmërisë së dy emisioneve. Titulli ishte: “Alessio Vinci papagall. Drejtori i ri një kanali televiziv shqiptar ka marrë spunto nga një emision Rai”. Emisioni “Le iene”, i datës 3 dhjetor 2013, bëri edhe një analizë të grafikës, pozicionit të drejtuesit, skenografisë, të dy emisioneve, duke i treguar publikut ngjashmëritë e dukshme. Korrispondentja e mori në telefon përgjegjësin e Rai3, i cili tha se programmi ishte kopjuar dhe se RAI-t nuk i ishte kërkuar leje për shfrytëzimin e formatit televiziv; më pas vijoi intervista simpatike me gazetarin italian Alessio Vinci – për ata që nuk e njohin, një gazetar i përgatitur, me përvojë dhe i vlerësuar – i cili i pranoi ngjashmëritë, por jo faktin se ishin dy emisione të njëjta.

Në cilën kategori hyjnë këto lajme nga Shqipëria? Sigurisht, lajmet kishin të bënin me realitetin shqiptar, sepse kishin ndodhur atje, por i vinin opinionit publik për ndërlikimet me aspekte italiane të jetës publike italiane. Në rastin e parë sepse ishte implikuar një personazh politik, në rastin e dytë sepse ishte në mes një personazh i mediave. Në të dyja rastet, plumbi bëri rikoshetë, ose Shqipëria u pasqyrua në mënyrë të ndërmjetësuar. Objektivi i mediave italiane nuk ishte të flisnin për Shqipërinë, por për këtë apo atë personazh italian, mirëpo Shqipëria është sfondi, skenografia ku janë vendosur personazhet italiane, ose ca më keq, fushëbeteja ku përplasen të tjerët. Siç dihet, edhe skenografia, ose mjedisi i një ngjarjeje, lë mbresa tek spektatorët. Çfarë përshtypjesh krijojnë në publik këto lloj emisionesh? Nga një anë kemi diploma universitare që merren lehtësisht nga persona të pamerituar, sipas akuzave me pagesë; nga tjetra kemi televizione që kopjojnë pa teklif dhe që marrin, gjithnjë sipas akuzave, formate të ndryshme televizive pa lejen e autorëve. Duke e njohur mekanizmin pervers të përgjithësimit, e dimë që në mendjen e spektatorit të thjeshtë mund të fiksohet imazhi i një vendi ku mbizotëron korrupsioni dhe anomia, ku ligji i vetëm që sundon është mungesa e ligjit. Në këtë drejtim, lufta ndaj “turizmit të diplomave” shikohet pozitivisht nga të gjithë, porse midis premtimit dhe imazhit të krijuar, ndoshta edhe situatës reale, ka kundërshti të dukshme.

Që lajme të tilla ndikojnë në perceptimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve e vërtetojnë edhe batutat e ndryshme të italianëve, si ndaj imigrantëve që njohin, ashtu edhe kur vizitojnë Shqipërinë, madje pikërisht gjatë autostradës Rinas – Tiranë. Nga një anë, pas katrahurës së diplomës së Troftës, vështirë t’i thuash dikujt se je diplomuar në Shqipëri pa marrë si dhuratë të pakëndshme ndonjë buzëqeshje ironike, qoftë edhe mendore. Atëherë detyrohesh t’i shpjegosh se sistemi universitar shqiptar nuk është i tëri për t’u hedhur poshtë, me shpresën që bashkëbiseduesi të të mos kërkojë përqindjen e kalbur. Nga ana tjetër, duket sikur i gjithë sistemi televiziv shqiptar bazohet në vjedhje formatesh e kopjime skenarësh. Pas këtyre lajmeve, mediat elektronike shqiptare rrezikojnë të duken si televizione pirate, që vetëm plaçkitin pasuritë intelektuale të të tjerëve.

Ka edhe një rrezik tjetër, edhe më dinak. Sikurse, skandali i parë, pra ai i diplomës së Renzo Bossi-t, ashtu edhe i dyti, pra ai i vjedhjes së supozuar të emisionit Agon Tv, lënë të nënkuptojnë se sistemi arsimor dhe sistemi mediatik shqiptar kanë probleme të rënda. Lexuesi i thjeshtë i lajmeve, tek e fundit, merr mesazhin se ajo që nuk lejohet në vendet perëndimore, mund të bëhet pa problem në vende të tjera si Shqipëria. Vërtet që nisma pozitive e drejtësisë shqiptare për t’i ndjekur këto çështje rreket ta kundërshtojë këtë kumt të thjeshtëzuar, porse nuk duhet harruar se organet shtetërore ndërhyjnë atje ku ka probleme, pra në një farë mënyre e konfirmojnë diagnozën e rëndë. Kështu në mënyrë tinëzare, në mendjen e qytetarit të huaj zë vend mendimi se Shqipëria është një porto franco korsarësh, një port pa doganë, me fjalë popullore si han pa porta, një lloj territori i lirë nga detyrimet etike e ligjore.

Natyrisht, ky lloj mekanizmi përmban në ingranazhet e vet grason e hipokrizisë, meqë protagonistët e skandaleve, në fund të fundit, nuk janë shqiptarë por italianë. Shqiptarët duhet të mbajnë mbi supe peshën e mëkateve të tyre, por me këto mëkate po zbaviten edhe të tjerë. Është njëlloj sikur ta akuzosh qytetin karshi si të përdalë, ngaqë ka bordello, ndërsa ti je i pari që e frekuenton për atë arsye dhe jo për turizëm kulturor. Ky arsyetim, gjithsesi, nuk të çon larg. Së pari, sepse pavarësisht nga përdoruesit e sistemit, të huaj apo vendas, duhet pranuar se platforma e tij negative është ngritur në Shqipëri. Së dyti, mediat italiane gjithnjë mund të mburren, me të drejtë, se po i denoncojnë hapur abuzimet që janë bërë pikërisht nga qytetarë italianë. Në këtë pikë, përtej pasojave mediatike dhe rasteve të analizuara këtu – meqë prezumimi i pafajësisë vlen për të gjithë, pra Renzo Bossi është i pafajshëm derisa çështja të sqarohet përfundimisht nga drejtësia, sikurse gazetari Vinci mund të jetë thjesht viktimë e një keqkuptimi – e pra, përtej rasteve të veçanta, që urojmë të sqarohen për mirë, në Shqipëri duhet reflektuar seriozisht për shkatërrimin e ngrehinave të tilla pa themele etike, në ekonomi e në shoqëri, ku si zakonisht depozitohen plehra që tërheqin pashmangshmërisht miza nga e gjithë bota.

Nuk mund të mohohet se imazhi i cenuar lidhet si me Shqipërinë ashtu edhe me shqiptarët, kudo që janë. Imazhi i shqiptarëve merr energji si nga prurjet brenda Italisë, me ngjarjet që u takojnë imigrantëve, ashtu edhe nga ndodhitë në Shqipëri. Në këtë mënyrë, edhe pse pa të drejtë, ujërat turbullohen e mbi opinionin publik vërshojnë ngjarje të përziera me paragjykime e përgjithësime, nga jashtë e nga brenda, nëpërmjet procesit të etnizimit. Për më tepër, në botën e globalizimit e të rrjetave sociale, lajmet kërcejnë si topa pingpongu nga një media në tjetrin, nga një vend në tjetrin, nga një link në tjetrin, në pak orë. Si të thuash, penelatat e portretit shqiptar vërtet hidhen në Itali, por bojërat e ciklat e saj vijnë edhe nga Shqipëria. Ose e kundërta. Pikërisht për këtë arsye, lipset sinergji për t’u vënë diga vërshimeve të tilla, që shkojnë e përmbysin edhe ndërtesat e shëndetshme, që natyrisht nuk mungojnë.

Advertisements
%d bloggers like this: