FJALË NDËR VITE

Abstract speaker silhouette with lettersFundi i vitit po afron. Bashkë me festat vijnë edhe bilancet. Si çdo fundviti, ose fillimviti, merren në shqyrtim edhe fjalët. Cila është fjala e vitit? Çfarë fjalësh kanë kërkuar në internet përdoruesit? Po neologjizmi më i përdorur? Statistikat dhe analizat që ofrohen nga burime të shumta duken si lojë, shpeshherë janë të tilla, por pas lojërave fshihen jo rrallë gjëra tejet serioze.

Ndoshta është banale ta kujtojmë, por fjalët përjetësojnë jetën e përditshme të bashkësisë. Aty kondensohen aspektet e përditshmërisë, por edhe të politikës, mediave, kulturës, artit, shkencës… Sikurse maten vitet dhe kushtet klimatike nëpërmjet rrathëve të drurit, ashtu mund të studiohet shoqëria dhe historia nga fjalët e përdorura. Ka fjalë që i fiksojnë më mirë se çdo studim sociologjik, ose analizë politologjike, tendencat e shoqërisë dhe të politikës. Çfarë do të mendojnë shqiptarët pas 100 vjetësh kur do të shohin në gazetat e tanishme fjalët: armë kimike, plehra, korrupsioni, kriza, reforma, etj.? A nuk përbëjnë pika referimi për hartën e shoqërisë së sotme? Po fjala “bunga bunga” a nuk na rrëfen shumë për shoqërinë e politikën italiane?

Mjetet e reja informatike mundësojnë gjetjen e fjalëve më të përdorura, sikurse monitorojnë përhapjen e fjalëve të reja dhe modat e kohës në lëmin leksikor. Vite më parë kjo veprimtari as që mund të imagjinohej. Për shembull, Oxford Dictionary, para ca ditësh, bëri të ditur fjalët e vitit në vijim. Në vend të parë ishte “selfie“, autofotografia që bëhet me celular e që botohet më pas në rrjetet sociale. Por ka edhe fjalë të tjera si bitcoin, twerk ose showrooming. Sa interesante aq edhe të dobishme.

Në një studim të vetin për faktet e vitit 2013, Yahoo! botoi edhe fjalët e shumëkërkuara nga italianët. Në vend të parë ishte “Meteo” (moti), por edhe “Facebook” e “Calciomercato” (tregu i futbollit), çka përmbledh më së miri traditën dhe modernitetin e shoqërisë italiane. Tek dhjetëshja e parë hynin edhe fjalët “Përkthyes” e “Fjalor”, që s’kanë nevojë për traktate për të na treguar globalizimin, hapjen e shoqërisë ndaj botës. Motori i njohur i kërkimit jepte gjithashtu listën e personazheve më të klikuara gjatë vitit. Arsyet për t’u argëtuar nuk mungonin.

Së shpejti do të flitet edhe për Shqipërinë dhe fjalët më të përdorura gjatë këtij viti. Megjithatë, shumëkush mezi pret që statistika si ato të mësipërmet, të jepen edhe për vendet e vogla si Shqipëria. Tani për tani mungojnë.

Përderisa flitet për fjalë të vitit, përse nuk mund të flitet për fjalët e dhjetëvjeçarit? Me siguri për arsye studimore. Nuk është e thjeshtë natyrisht. Duhen bërë vjelje leksikore të jashtëzakonshme. Cilat kanë qenë fjalët kryesore të dhjetëvjeçarit 1990 – 2000? Po deri në vitin 2010? Gjithsesi, një përpjekje, në formë loje, edhe mund ta bëjmë.

Vitet nëntëdhjetë ndoshta janë më të thjeshtit, gjithnjë nga këndvështrimi i leksikut. Ato vite përkojnë me rënien e totalitarizmit dhe ardhjen e demokracisë, ndaj të gjitha fjalët që kanë të bëjnë me sistemin politik mund të aspirojnë të hipin në podiumin leksikor. Fjalë si demokraci, pluralizëm, monizëm, diktaturë, i persekutuar politik, ish i dënuar, ekonomia e tregut, bllokmen, refugjat, viza, tranzicion, skafist, korrupsion, Europë, etj. kanë qenë nga më të përdorurat. Megjithatë, kishte syresh me të cilat abuzohej. Si të thuash, bëheshin të modës e më pas inflacionoheshin. E kam fjalën për: foltore, t’i hapin dritën jeshile, gjithpërfshirje, e kështu me radhë. Ka fjalë që e kanë shënuar trungun e shoqërisë shqiptare më shumë se kushdo tjetër: firmat piramidale. I keni harruar vallë të ashtuquajturat piramida? Pak kohë më pas u përmend shumë Kosova dhe lufta për çlirimin e saj.

Po vitet dymijë nga cilat fjalë u shënuan? Cilat janë ato fjalë që janë përdorur më tepër në media e në shoqëri? Integrim, prona, emigrant, ish-pronar, Nato, korrupsion, mazhorancë, minorancë, ambasador, etj. Edhe ky dhjetëvjeçar u karakterizua nga shprehje të modës me të cilat u abuzua shumë. Një nga këto është edhe: zbardhja e çështjes”, në trajtat “u zbardh skema”, “policia zbardh ngjarjen”…. Pikërisht për të zbardhur historinë totalitare vërshuan në media me mijëra kujtime, citime e dëshmi për ato kohë të zymta. Po të bënim një kinse analizë psikosociale, do të pohonim se nëse vitet nëntëdhjetë ankthi shoqëror kishte të bënte me hapësirat e lirisë (t’i hapet dritë jeshile), dhjetë vjet më vonë, problemi qëndronte në sqarimin e çështjeve të errëta ose të perceptuara si të tilla (zbardhet më së fundi…). Po shprehja e lodhur nga përdorimi (kryesisht në të folur) “I dolën pronat” a nuk kërkon përsiatje politike, administrative e sociologjike?

Studimi i fjalëve të përdorura në vite e ndihmon bashkësinë ta rindërtojë kujtesën e vet kolektive. Por kjo duhet bërë seriozisht, sepse gjatë rindërtimit qytetarët kanë mundësi edhe të reflektojnë për çka ndodhur vitet e kaluara, duke kaluar nga fjala në fjalë e nga shprehja në shprehje. P.sh. nëse fjala korrupsion mbetet ndër hitet kryesore të dhjetëvjeçarëve të fundit, kjo nuk duhet të mbesë në heshtje, por duhet hulumtuar më tej për të kuptuar arsyet e qëndresës.

Sa për orvatjen time hokatare, shumë shumë do të më dëftojë se kam probleme me kujtesën. Por kjo duhet vërtetuar me diskutime e duke rrëmuar në memorien tonë të përbashkët. Çka do të na ndihmojë të gjithëve të heqim disa vija për të formuar yjësitë e kupës sonë qiellore.

Advertisements
%d bloggers like this: