LOJA TJETËR

 

JO-SLOTNuk mund të pretendojmë që vëmendja e mediave të përqendrohet gjithnjë në luftën kundër lojërave të fatit. Megjithatë, heshtja që pasoi fushatën kundër lojërave të jashtëligjshme, që praktikisht karakterizoi aktivitetin fillestar të qeverisë, tregon se opinioni publik nuk është sensibilizuar sa duhetkundër rreziqeve që ato paraqesin për ekonominë e shoqërinë shqiptare.

Dyshimit se aksioni ndaj tyre ishte thjesht operacion mediatik mund t’i përgjigjesh vetëm duke intensifikuar sulmin ndaj tyre, duke kujtuar në radhë të parë dëmet shumëplanëshe që të ashtuquajturat lojëra të fatit u shkaktojnë njerëzve. Mirëpo, kjo kërkon edhe angazhimin e mediave për t’i ndërgjegjësuar qytetarët se pas ngjyrave e dritave marramendëse të lojërave të fatit fshihen rreziqe tinëzare.

Vërtet që mediat kanë pasur probleme të tjera kohët e fundit, por kjo nuk do të thotë se trysnia ndaj problemit të basteve e lojërave të fatit duhet të bjerë gradualisht. Nga pikëpamja etike ajo duhet të jetë në rritje ose të paktën e njëtrajtshme. E megjithatë, mjaftuan pak javë dhe çështja e lojërave të fatit u arkivua pa ceremoni në raftet e mendjeve tona.

Pas fillimit premtues, ç’po bëjnë tani institucionet shqiptare kundër lojërave që nuk respektojnë ligjet? Po ndaj atyre që, pavarësisht se operojnë brenda ligjit, për shkak të pasojave që sjellin, janë tejet të dëmshme për individin? E këtu është fjala për veprimtarinë represive, por gjithashtu parandaluese, që duhet të fillojë nga bankat e shkollave deri në ekranet televizive.

Nuk është vetëm ky rast ku dallohet apatia e shoqërisë shqiptare në reagimin ndaj dukurive të tilla negative. Në qoftë se shteti ka probleme, ose është i paefektshëm, pritet që të jetë shoqëria civile ajo që reagon e para me iniciativën e vet. Siç ka ndodhur në vende të tjera, nuk do të kishte qenë keq sikur bare apo lokale ta ndërmerrnin vetë nismën kundër kazinove elektronike, duke deklaruar haptazi se nuk pranojnë në mjediset e tyre lojëra të tilla. Ky do të ishte edhe një mësim i bukur ndaj institucioneve.

Shumëkujt i kujtohet se në fillimet e luftës kundër pirjes së duhanit, në të gjithë botën disa lokale shkruan me krenari: “Në këtë lokal nuk lejohet prija e duhanit”, duke marrë flamurin e kësaj beteje e duke treguar haptazi zgjedhjen e bërë. Natyrisht, të vësh në vitrinë tabelën “Këtu nuk ka lojëra fati” ka edhe një kosto ekonomike për pronarin, sepse nuk fiton prej tyre; fitim që në rastin e duhanit nuk ekziston, sepse lokali vetëm sa u jep më shumë liri disa klientëve me kërkesa specifike.

Megjithatë, pronari që dëbon nga sallat e veta lojërat e fatit “fiton” nga pikëpamja etike, sepse tërheq të gjithë ata që nuk i durojnë dot lojërat e fatit dhe pamjen e trishtuar e atyre që fërkojnë sytë para ekraneve gënjeshtare. Ka plot bare që nuk kanë pajisje të tilla, e që nuk kanë ndër mend t’i vënë. Mund ta reklamojnë zgjedhjen e tyre, duke deklaruar se me cilën palë bëjnë aleancë. Në këtë mënyrë do t’i tregonim kryesisht vetes se edhe në Shqipëri ka nga ata që nuk i përqafojnë bastet si filozofi jete e si mënyrë për t’u zhvilluar nga pikëpamja ekonomike e sociale.kunder-lojerave

Ka vende që kanë krijuar logo të posaçme të llojit “No slot”, “Antigambling”, “Anti-casino”, “Slot mob”, sikurse shoqata me synim vlerësimin e atyre që nuk i pranojnë kazinotë elektronike, se sa demonizimin e atyre që i mbajnë. Këto nisma mund të shihen në një farë mënyre se kundërpërgjigje e sistemit imunitar shoqëror e si kundërpeshë e forcave negative, që kërkojnë përhapjen endemike të bixhozit e jo disiplinimin e tij.

Po cilat mund të ishin, përveç logos, reklamat ose parullat shoqëruese në vitrinë kundër lojërave të fatit? Ja disa prej tyre: “Në këtë lokal nuk luhet me fatin”, “Fatin kërkoje në filxhanin e kafesë”, “Këtu basteve u presim kokën”, “Mos luaj me fatin, eja rrimë bashkë”, “Të pish kafe nuk është lojë”, “Kemi vend për njerëz jo për makina lojërash”, “Vëmë bast se pa baste jeton më mirë”, “Vetminë e lojës e kemi lënë përjashta”, “Fati ynë është që s’kemi lojëra”.

Por mund të gjejmë edhe më të bukura.

Advertisements
%d bloggers like this: