MASKA IMPORTI

kungull-halloweenHalloween kaloi edhe këtë vit, pa shmangur vëmendjen e mediave që nuk harruan të na raportojnë për festimet e ndryshme. Dikush u përpoq të na shpjegonte origjinën kelte të festës, dikush na informoi për ngazëllimin e fëmijëve, dikush tjetër na njoftoi për teprimet festive të të rinjve. Ligjërimi publik për Halloween-in filloi e mbaroi me imazhet festive: kunguj me fytyrë, maska të shpifura, veshje të frikshme, lakuriqësi shtrigash, njerëz fantazma, lokale të zhurmshme… Tashmë Halloween, thuhet kudo, është kthyer në festë tradicionale.

E vetmja përpjekje për t’u thelluar pak në fenomenologjinë e festave shqiptare vihet re në shpjegimet belbëzuese të prejardhjes së Halloween-it. Çdo vit rituali mediatik përsëritet pa ndryshime: dy fjalë për prejardhjen e fjalës në anglisht, pak rreshta për lidhjen me traditën irlandeze e skoceze, ndonjë referim të vogël për botën e shpirtrave dhe kthimin e të vdekurve. Sipas gjasës, shpjegime të përkthyera me nxitim nga ndonjë faqe interneti, që paraqiten më shumë si garniturë e pamjeve dhe imazheve televizive që tregojnë festimet e rastit.

Nuk duhen aftësi të mëdha vëzhgimi për të dalluar një farë sipërfaqshmërie në qasjen ndaj këtij fenomeni të ri. Siç e thonë edhe vetë mediat, bëhet fjalë për festë që po konsolidohet nga viti në vit në viset shqiptare. Arsyet e rrënjosjes së kësaj feste, në qoftë se mund ta marrim si të mirëqenë, mbeten ende për t’u zhbiruar, ashtu sikurse duhet studiuar ngjizja e saj kulturore në popullsinë shqiptare.

Dukuria Halloween në Shqipëri nuk mund të shikohet jashtë rrjedhave kulturore të globit. Kjo festë ka filluar të importohet nga Shtetet e Bashkuara edhe në vende të tjera europiane. Nga fundi i tetorit, përfaqësimet dhe maskat dark shihen tashmë në shumë kryeqytete europiane. Veçse në këto vende ka vite që arsyetohet për motivet dhe pasojat e përvetësimit të kësaj feste. Besimtarët e ndryshëm e shohin me shumë dyshim, e me të drejtë nga këndvështrimi i tyre, festën pagane të Halloween-it. Ka të tjerë, pavarësisht nga bindjet fetare, që e konsiderojnë thjesht festë konsumeriste, të importuar nga ShBA-të për arsye tregtare. Me fjalë të tjera, arsyet e rrënjosjes së Halloween-it janë në thelb ekonomike dhe të shtyra nga konsumizmi.

Studiues të tjerë e shohin Halloween-in si një rikthim në Europë, meqë kjo festë u eksportua në Amerikë pikërisht nga kontinenti plak. Edhe në vende me tradita të vjetra e të forta kristiane, festa në fjalë nuk është krejt e panjohur nga tradita. Që kjo festë ka rrënjë prekristiane është më shumë se hipotezë. Tek e fundit Halloween, që në lashtësi, lidhet me natyrën, bujqësinë, ndërrimin e stinëve, botën e shpirtrave, kthimin e të vdekurve, e kështu me radhë. Aventurën e kësaj feste mund ta ndjekim nga epoka e paganizmit deri tek katolicizmi, katolik e protestant bashkë; emigrimi i saj drejt botës së re dhe rikthimi në botën e vjetër; mbivendosje, rikthime, reinterpretime. Fakti është se festa u pëlqen kryesisht fëmijëve e të rinjve. Ky lloj interpretimi e hedh poshtë idenë e kolonizimit të imagjinarit dhe të kulturës europiane nga ana e festave amerikane.

Megjithatë edhe rikthimi nuk mund ta vërë në diskutim forcën e mediave dhe kinemasë amerikane. Në qoftë se Halloween po hyn në skenën urbane shqiptare, kjo u detyrohet filmave, librave, emisioneve televizive, imazheve që vijnë nga përtej oqeani. Kjo vlen, nga pikëpamja e metodës së adoptimit, edhe për festa të tjera si Shën Valentini, dita e të dashuruarve, që më parë nuk njihej fare nga publiku shqiptar. Megjithatë, Shën Valentini nuk mund të konsiderohet si importim ekskluziv amerikan, përderisa rezulton prej kohësh disi më i rrënjosur në Europë. Përveç mediave, në epokën e globalizimit, nuk mund të mohohet roli, sipas gjasës modest, i emigrantëve shqiptarë, të cilët në një farë mënyre ndikojnë në thithjen kulturore, përderisa i përjetojnë festat njëlloj si të tjerët atje ku jetojnë, ndërkohë që vazhdojnë të komunikojnë intensivisht me familjet e origjinës.

Nuk dihet se në ç’pika përputhet dinamika midis traditës europiane kristiane dhe asaj amerikane (prej nga vjen Halloween-i), me traditën shqiptare brenda kontekstit kulturor të Europës dhe të globalizimit aktual. Elemente pagane të Halloween-it gjenden me siguri edhe në traditën shqiptare të krishterë dhe parakristiane, që kanë nevojë për studim. Nuk mund të na shpëtojë, gjithsesi, detaji i vërshimit të traditës “amerikane” pas pezullimit të traditës fetare shqiptare gjatë totalitarizmit. Duket sikur implantimi i Halloween-it bëhet në një terren kulturor të virgjër, për sa kohë edhe dita e 1 nëntorit ishte e panjohur për tërësinë e shqiptarëve. Bëhet fjalë për festën katolike për kremtimin e të gjithë shenjtorëve dhe martirëve gjatë historisë së krishterimit. Ndërsa më 2 nëntor përkujtohet dita e të vdekurve. Është afërmendsh që pavarësisht nga tradita e kaluar, importimi i festave si Halloween-i në Shqipërinë aktuale, nuk ndesh konkurrencën, as ndihmohet nga festat e mëparshme.

Mungesa e traditës bën që shumë elemente të festës të merren shabllon e të mos përtypen mirë kulturorisht. Nuk teprohet nëse në këto shkëmbime kulturore të njëanshme të shihet hija e kultit të kargove. Në mënyrë të pavetëdijshme, hyrja në Europë bëhet edhe me kopjimin e orgjive festive, ku edhe simbolet e humbasin kuptimin origjinal, për t’u shndërruar në pretekst për argëtim. Pak vetë ia njohin historinë Halloween-it, shpeshherë e ngatërrojnë me karnavalet, duke boshatisur kuptimin e tyre tallës dhe duke ndotur njëkohësisht, me elemente karnavaleske, horror-in e natës së 31 tetorit. Nga mishmashi kulturor mbijeton vetëm dëshira për t’u dëfryer, që në kohët e sotme nuk është pak, dhe jo detyrimisht negative. Si e kanë përkthyer fëmijët shqiptarë anglishten “Trick or treat“, ose italishten “Dolcetto o scherzetto”, kur shkojnë nga shtëpia në shtëpi për të kërkuar ëmbëlsira? Një nga fjalorët anglisht-shqip e jep kështu: “Më jep diçka në mos ta punova rrengun!”, çka tregon në mënyrë indirekte se tradita nuk ka zënë ende vend, të paktën nga pikëpamja gjuhësore.

Nga ana tjetër, nuk i shpëton askujt se jo vetëm festa Halloween, por edhe të tjera më të rëndësishme nga pikëpamja fetare e sociale, janë komercializuar shumë vitet e fundit, duke u shndërruar në altarin e konsumerizmit, ose në vitrina perfekte të vip-ave të kohës, të cilët postojnë me vend e pa vend fotografitë e tyre supertrendy, ose si shtriga e shtriganë të frikshëm. Shpeshherë pa ndonjë ndryshim nga veshjet gjatë vitit. Festat po zbrazen çdo ditë nga kuptimi i tyre fillestar. Në këtë mënyrë i ngjajnë gjithnjë e më shumë fundjavave transgresive, ku festimtarët modernë mezi po gjejnë kufirin e ardhshëm për ta shkelur e për ta tejkaluar, në maratonën individualiste të vëmendjetërheqjes. Edhe pse të rrethuar nga zhurma e dëfrimit e nga decibelët shurdhues, nuk mund të fshihen mangësia e bashkësisë, zbrazëtia e marrëdhënieve, kuptimi i të ndenjurit bashkë. Në vetminë e skenës maskat e humbasin fytyrën ku janë vendosur.

Për fat të mirë janë fëmijët, që me harenë e tyre, u japin festave një farë pafajësie e njëkohësisht sinqeritet e vërtetësi jetike, nga ku mund të rimerret pa problem rindërtimi fillestar i tyre.

Advertisements
%d bloggers like this: