ME AKSION

Një hije dyshimi ka rënë mbi veprimet e fundit të qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për disa prishje ndërtimesh pa leje dhe një sërë sekuestrimesh kundër qendrave të bixhozit dhe të lojërave të fatit. Përderisa përbëjnë masa të domosdoshme për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare, për sa kohë mbështeten nga opinioni i shëndoshë publik, përse këto veprime ngjallin skepticizëm?

Në editorialin e vet “Qeveria socialiste e Tiranës”, Mero Baze nuk ka kundërshtim për thelbin e veprimeve të qeverisë, por me konceptin që qëndron pas tyre. “Ideja për të gjeneruar pushtetin përmes aksioneve masive, dhe ndonjë herë më shumë se duhet populiste, ka lënë në hije gjithë shtirjen e qeverisjes qendrore në Shqipëri”, thotë në një pasazh të shkrimit. Gazetari mendon se Edi Rama bazohet në modelin e qeverisjes së tij të Tiranës, që nuk mund t’i përshtatet realitetit të vendit. Si të thuash, dikur ishte Kryetar bashkie, sot është Kryetar qeverie. Në fund, pasi i mirëkupton entuziazmin e njerëzve për aksionet masive dhe spektaklet e ndryshimit të pushtetit, kërkon që vendi të qeveriset në bazë të ligjit në të gjithë territorin.

Pak më ndryshe nyjëtohet mendimi i editorialistit Fatos Lubonja, në shkrimin “Shpresa dhe dyshime”, edhe pse si kolegu i tij në thelb i përshëndet pozitivisht veprimet e lartcituara. Analisti i njohur i lidh aksionet e fundit me lëvizjet e shumta në administratë e në Polici. “Këto zëvendësime janë ndjekur e po ndiqen me mëdyshje e dyshime nga opinioni”, shkruan Lubonja. Pyetja kryesore që bën është kjo: “Kemi të bëjmë me një nisje të mbarë, apo kemi të bëjmë me një zëvendësim klientele ku operacioni shërben si fasadë?”. Pra operacionet e mësipërme mund të konsiderohen edhe si fasadë për ndryshimet në administratë. Ndërkohë që, sipas gazetarit, duhet ndryshuar sistemi klientelar e shpeshherë korruptiv e kriminal që ka kapur disa hallka të ekonomisë shqiptare.

Dy janë fjalët që i lidhin editorialet e mësipërme: dyshimi dhe aksioni. E para ka të bëjë me prapamendimin që i shoqëron disa operacione politike, siç janë shkatërrimi i ndërtimeve pa leje, ose lufta ndaj lojërave të fatit. Nuk mund të përjashtohet mundësia që dyshimi të jetë pjellë e paragjykimit me të cilin shikohen veprimet e kësaj qeverie të kryesuar nga Edi Rama, e kaluara e suksesshme te cilit është e lidhur ngushtë me operacionet e pastrimit të kryeqytetit kur ishte kryebashkiak. Sistemimi i qendrës dhe pastrimi nga ndërtimet pa leje në rrugët kryesore përbëjnë ende kapital politik për kryeministrin e sotëm, pavarësisht se ka vëzhgues që nuk u ka shpëtuar doza mediatike që i shoqëronte ato veprime.

Fjala e dytë, aksioni pra, lidhet me idenë e përkohshmërisë. Vetë aksioni në gjuhën shqipe përbën veprim të shkurtër, pra episodik, jo të vazhdueshëm në kohë. Në shqipen totalitare, shprehja “aksion me goditje të përqendruar” kishte brenda si kohën e shkurtër, ashtu edhe pjesëmarrjen e masave, pra aspektin vullnetar. Në fjalorin e shqipes mund të gjendet edhe në togfjalëshat “metoda e aksionit”, “fryma e aksionit”. Pra në atë kohë aksioni ishte bërë një metodë e caktuar. Nga ana tjetër, kush e ka jetuar atë periudhë, madje duke marrë pjesë në aksione të ndryshme, e di fare mirë se dobishmëria e tyre nuk konsistonte vetëm në objektivat ekonomikë (ndërtimi i hekurudhës, korrja e grurit, pastrimi i lagjes, etj.), shpeshherë modestë e të diskutueshëm, se sa në mobilizimin e masave, siç thuhej atëherë, dhe në qëllimet politike të regjimit.

Fjalët e dikurshme evokohen sot për të namatisur rrezikun e veprimeve në trajtën e aksioneve, pra si operacione të sipërfaqshme, episodike, të sotpërsotshme. Në fakt, po të hiqnim ngjyrat nga ekranet televizive, dhe disa fjalë të gazetarëve raportues, shumë nga pamjet e sotshme do të ngjasonin me ato të djeshmet. Këtu ndikon natyrisht edhe pritshmëria që kjo qeveri ka krijuar në opinionin publik, i cili pret me ankth realizmin e tyre, çka përkthehet me barrën e rëndë mbi shpatullat qeveritare, të cilat mund të kërrusen nga pesha e humbjes së besueshmërisë, në rast se nuk mban premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale. Por ndoshta është shpejt t’i konsiderojmë dyshimet e deritanishme si ndërgjegjësim ndaj mediatizimit të politikës shqiptare dhe operacioneve mediatike të saj.

Gjithsesi, qeverisë shqiptare, midis të tjerash, i duhet të pastrojë edhe dyshimet që brejnë qytetarët shqiptarë. E ky do të jetë pa dyshim “aksioni më i vështirë”.

 

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (22 tetor 2013)

Advertisements
%d bloggers like this: