lojera_fatiAjo që i mungon shoqërisë shqiptare në qëndrimin ndaj lojërave të fatit është pikërisht vizioni shumëplanësh i dukurisë. Natyrisht, ky vizion i duhet në radhë të parë politikës, së cilës i takon që t’u japë zgjidhje konkrete problemeve. Por fillimisht lipset të kuptojmë problemet që shtrohen për zgjidhje.

Pavarësisht se reagimi i qeverisë shqiptare mund të konsiderohet si invaziv nga një palë, dhe si e pamjaftueshme nga pala tjetër, duhet thënë se opinioni publik i sheh me simpati ndërhyrjet e shtetit në fusha të tilla. Në këtë pikë basti duket i fituar.

Gjithsesi, qëndrimi që mbajti qeveria shqiptare ndaj qendrave të basteve dhe lojërave të fatit frymëzohej kryesisht nga motivet ekonomike, të ndërthurura me ato të krimit të organizuar. Thënë ndryshe, shteti shqiptar vendosi t’i godiste qendrat e lojërave të fatit nga pikëpamja ekonomike (shkelje financiare) dhe ajo e rendit (vepra penale). Po t’i hidhni një sy faqes internet të Njësisë së mbikëqyrjes së lojërave të fatit, do të shihni përkatësinë e strukturës në kuadrin e Ministrisë së Ekonomisë, si dhe objektivat e saj me karakter tekniko-fiskal (regjistrime, kontrolle, gjoba, të ardhura, fitime, tatime, taksa, etj.). Pika e fundit thotë: “Inspektorët e NJMLF-së vendosin gjobë, bllokojnë veprimtarinë dhe sekuestrojnë pajisjet e lojërave të fatit, kur një person fizik apo juridik e zhvillon veprimtarinë në fushën e lojërave të fatit në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji ose pa liçencën përkatëse, të lëshuar nga autoriteti i autorizuar për dhënien e saj”.

Cilido që do të pohonte se njësia e lartpërmendur është ngarkuar pikërisht me atë detyrë, pra bën punën e vet, ka pa dyshim të drejtë. Këtu nuk kritikohet puna e atyre që duhet të kontrollojnë aktivitetin e qendrave të bastit. Përkundrazi, kjo punë duhet inkurajuar. Mirëpo, a mund të luftohet një dukuri komplekse, që prek shumë aspekte të shoqërisë shqiptare, vetëm nëpërmjet gjobave dhe sekuestrimeve?

Siç u tha edhe në një koment të mëparshëm, kemi të bëjmë me një dukuri sociale, ekonomike e kulturore, pra tejet të ndërlikuar. Veçoritë e saj mund të studiohen një për një, nga disa këndvështrime. Megjithatë, arrin një pikë, sikurse historia e pulës me vezën, ku është e vështirë të kuptohet nëse qendrat e bastit janë pasojë apo shkak, përderisa më pas funksionojnë si gjeneratorë riprodhues të asaj ekonomie, shoqërie apo kulture që u dha jetë fillimisht. Është e qartë se shoqëria shqiptare, pikërisht ajo që lejoi dje firmat piramidale, krijon humus kulturor të favorshëm për lulëzimin e qendrave të bastit. Duhet parë megjithatë nëse kjo lidhet me ekonominë e pazhvilluar, apo me aspekte të tjera. Italia, p.sh. ka ekonomi të zhvilluar, edhe pse po vuan së fundi nga kriza ekonomike, e megjithatë lojërat e fatit janë bërë problem i rëndë social. Po lindin në çdo rrugë, si kërpudhat pas shiut. Për hir të së vërtetës, duhet kujtuar se në kohë krizash, njerëzit u drejtohen më shpesh qendrave të bastit. Por kjo ka shpjegimet e veta psikologjike. Mos vallë kriza e përhershme shqiptare, ose përndryshe tranzicioni pambarim, lidhet me përhapjen e kazinove dhe lotarive? Pyetje legjitime.

Desha të shtoj gjithashtu, se qëndrimi i shtetit duket disi i dyshimtë, për sa kohë jo vetëm i lejon, por edhe nxjerr parà të majme nga këto aktivitete me anë të tatimeve dhe taksave. Mirëpo kjo dilemë nuk do të zgjidhet ndonjëherë, sepse e njëjta gjë mund të thuhet për pijet alkoolike, duhanin, etj. Ndoshta duhet kërkuar një ekuilibër, midis ekonomisë, lirisë dhe përgjegjësisë. Fakti është se shteti shqiptar ka miratuar lloj lloj strategjish (kundër drogës, kundër krimit të organizuar, etj.) por jo lidhur me lojërat e fatit.

Mungon edhe diçka tjetër e rëndësishme në debatin publik për lojërat e fatit: fjala etikë. Mendoj se çelësi i zgjedhjes së problemit qëndron tek kjo fjalë. Pavarësisht se fjalët e dikurshme për lojërat e fatit nuk bindin sot, ngaqë realiteti ka ndryshuar, ato ofronin dikur diçka më tepër se përcaktimin e dukurisë. Kumari, kumarxhiu, bixhozi, bixhozçiu, ishin fjalë që e kishin negativitetin brenda, sepse bashkësia u kishte vënë vulën e vet morale. E kush nuk ka luajtur në Shqipëri me letra? Me gishtat e dorës mund të numërohen. Porse bixhozi, nuk ishte lojë me letra normale, por ishte “lojë me letra a me diçka tjetër për të nxjerrë fitime, që mbështetet zakonisht te rasti, te dredhitë e te mashtrimet e pjesëmarrësve”, siç thoshte Fjalori.

Edukata familjare që më kanë dhënë për lojërat me letra ka qenë elementare: po luajte me pare është bixhoz, po luajte për qejf është lojë. Një nga arsyet që shahu më pëlqente si lojë, ishte pikërisht se nuk puqej asfare me paret. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dy shahistë të luajnë me lekë. Sfida është shumë më lart se ultësia e monedhave.

Nejse. Bixhozçiu asokohe ishte person që shikohej me dyshim nga kolektiviteti, shpesh emargjinohej, ndërkohë që ligji e dënonte rreptësisht. Kjo nuk do të thotë se ishte diçka e mirë. Jam dakord se dukuria e basteve duhet parë edhe si patologji, pra si vartësi. Jam dakord me komentin si pas të cilit lojërat e fatit janë sëmundje e individit, që shkatërron fillimisht jetën e individit e më pas të familjes e më gjerë. Lidhur me qëndrimin e shtetit në këtë pikë më vjen krahasimi me automjetin, edhe pse nuk përputhet njëqind për qind. Shteti vë rregulla për sigurinë në rrugë, ta zëmë kufizon shpejtësinë, sepse qytetari mund të dëmtojë veten por edhe të tjerët. A mund të thuhet se shteti po kufizon lirinë e individit për të ecur sa më shpejt që të jetë e mundur? Edhe mundet, por për shpejtësi marramendëse ka pista të caktuara, me rregulla po aq të forta.

Në Itali, kohët e fundit, po rrënjoset fjala ludopatia, që shënjon sëmundjen e atyre që luajnë. Përdoret edhe në spanjisht. Si fjalë përbëhet nga dy pjesë: ludo– (nga latinishtja lūdu(m), ‘që lidhet me lojën’) dhe –patia (nga greqishtja –pátheia, ‘sëmundje’). Megjithatë, kjo fjalë nuk është tepër teknike. Më specifike është gioco d’azzardo patologico, që i korrespondon anglishtes pathological gambling, ose compulsive gambling. Sidoqoftë, fjalët që kanë konotacionin negativ brenda janë më efikase në komunikim e në edukim gjithashtu. Që duhej një koncept i ri për lojërat e fatit, që të përfshinte edhe lojërat elektronike, nuk ka dyshim, por mua përkufizimi “lojëra fati” më duket tejet beninj për të përshenjuar një fenomen kaq të debatueshëm. Gjithsesi, përkufizimi i ri ua qepi virgjërinë lojërave të bixhozit të vjetër dhe kumarit të shëmtuar. “Lojërat e fatit” quhen sot, e nuk është se duhet t’i marrin lejen kurrkujt në veçanti; por bashkësisë i takon që t’i japë një konotacion dukurisë, duke përdorur terminologji tjetër ose duke forcuar të vjetrat. Pavarësisht se duket si lojë fjalësh, kërkohet pa diskutim një qëndrim etik ndaj dukurisë së lojërave, siç është parë e verifikuar tashmë në Shqipëri.

Bie në sy mungesa e publicitetit institucional kundër përhapjes së dukurisë në fjalë. Edhe mungesa e shoqatave dhe e qendrave të specializuara në luftën kundër patologjisë së lojës tregon diçka nga shoqëria shqiptare. Shumë prej nesh do të kënaqeshin sikur të shikonin në dyert e ndonjë bari tabelën me shkrimin kundër rrymës: “Nuk luajmë me fatin e tjetrit. Në këtë lokal nuk lejohen lojërat e fatit”.

Për shtetin shqiptar do të jetë më e lehtë ta luftojë dukurinë në çastin kur qytetarët do të ndërgjegjësohen se lojërat e fatit nuk janë modeli i shoqërisë së ardhshme. E ardhmja jonë nuk duhet të kalojë përballë tryezave dhe ekraneve të lojërave. Pastaj, lojërat e fatit nuk janë aq “të fatit”, meqë dihet nga të gjithë se ai që fiton gjithnjë, me siguri matematike, është pronari i qendrës së bastit. Edhe ai që humbet dihet. “Unë fitoj çdo ditë”, më tha një koleg pune. “Sepse nuk shkoj në qendra basti e nuk blej lotari. Fitoj pak, por më mjafton”.

Advertisements
%d bloggers like this: