RELIKE MODERNE

Shumë prej nesh e kanë vënë re prej kohësh se fotografia në politikë po i humbet cilësitë e saj origjinale. Ndryshe nga fotografia klasike, ajo që bëhet për të kujtuar çaste të bukura të jetës, në politikë fotografitë shkrepen për t’ua kujtuar të tjerëve atë çast të jetës. Nga një anë kemi fotografi që përmbyllin një ngjarje të gëzuar, ose fiksojnë një eveniment të rëndësishëm: datëlindje, fejesa, martesa, mbrëmje shkollore, festa miqësore, diskoteka, e të tjera si këto. Kemi fotografi që bëhen thjesht t’i postuar në facebook. Nga ana tjetër, kemi fotografitë politike, ku në celuloid, ose në memorie digjitale fiksohen takime me personalitete, ose konferenca me organizata ndërkombëtare.

Cili është ndryshimi midis fotografisë së datëlindjes dhe fotografisë së takimit me Presidentin X? E para tregon momentin e festimit të datëlindjes, diçka thelbësisht personale, kurse tjetra rrëfen takimin me një personalitet të caktuar, pra diçka thelbësisht publike. Është e qartë që fotografitë e datëlindjes së liderit politik botohen në media, por përsëri kemi privaten që ndërthuret me publiken, falë rolit të protagonistit që pozon para objektivit. Përndryshe, askush prej nesh nuk do të interesohej për buzëqeshjet para tortës të dikujt që nuk e njohim e s’ka asnjë rol publik.

Në historinë e politikës shqiptare kemi raste shumë interesante të përdorimit e/o abuzimit të fotografisë. Fuqia e mesazhit fotografik nuk duhet kërkuar në agimet e demokracisë, tek e fundit teknika e aparatit është përdorur rëndom edhe nga regjimi totalitar, i cili i dërgonte mesazhe me kod publikut kur i shtrëngonte duart dikujt në tribunat e kuqe, brenda e jashtë vendit.

Edhe pse nuk është vendi i duhur, duhet nënvizuar se “vjedhja” e fotografive nga hapësira private e personit, madje edhe kur ky është publik, ka gjithnjë ndërlikimet e veta, ku çështja e etikës kalon në plan të parë. Megjithatë, jo vetëm në Shqipëri, botohen foto private të liderëve botërorë për arsye propagandistike e politike, herë për ta denigruar, herë për ta vënë në diskutim personazhin, herë për të hapur debate politike.

Sekretarit të Shtetit amerikan John Kerry, i ribotuan një fotografi të 2009-s, ku hante së bashku me presidentin sirian Bashar al Assad, të shoqëruar nga bashkëshortet përkatëse, pikërisht në çastin kur opsioni i sulmit ndaj Sirisë ishte në rend të ditës. GjatëMerkel fushatës së fundit elektorale, gazeta gjermane Bild nxori nga arkivat e vjetra një fotografi bardhezi të kancelares Merkel me uniformë ushtarake, e shkrepur në vitin 1972, sipas gjasës ndërsa ishte në zbor, ose diçka e ngjashme në Gjermaninë lindore (Ddr) të asaj kohe. Edhe Edi Rama ka qenë në qendër të një furtune mediatike para ca vitesh pasi u botua një fotografi e tij krejtësisht personale.

Pra realiteti i politikës shqiptare nuk është se ndryshon shumë nga vende të tjera me demokraci të konsoliduar. Përdorimet manipuluese e propaganduese të fotografive do të ekzistojnë gjithnjë, edhe pse për hir të etikës nuk duhej të bënin pjesë në arsenalin e palëve në fushë. Për fat të mirë, elektorati nuk ua vë veshin gjithnjë. Ndonjëherë verifikohet efekti boomerang i tyre. Shembulli më i fundit? Fitorja e Kancelares Merkel në zgjedhjet e shtatorit.

Përçudnimi i fotografisë politike shqiptare, ka të bëjë me boshatisjen e saj kuptimore lidhur me eventin paraprirës. Çfarë na rrëfen një shtrëngim duarsh midis një Politikani shqiptar dhe një Presidenti, apo Kryeministër të huaj? Asgjë, përveç faktit se ai personalitet i huaj e ka pritur. Këto fotografi gjuhen nga të gjitha ekranet e mundshme, nga televizionet deri tek faqet në rrjetet sociale, për t’i komunikuar publikut mesazhin e mbështetjes dhe të marrëdhënieve të mira midis duarshtrënguesve. Me një fotografi të tillë politikani shqiptar i thotë opinionit vendas: “Mua më priti, çka tregon se kemi marrëdhënie miqësore”. Që këto shkrepje kanë rëndësi në politikë e vërtetojnë nga një anë rendja frenetike e politikanëve shqiptarë drejt partnerëve të huaj, nga tjetra akuzat për manipulime e pagesa, që bëhen rregullisht nga kundërshtarët kur shkrepja del me sukses.

Nëpërmjet fotografive të dasmës, të mbijetuarat e vetme të asaj ditë të shënuar, ne nxjerrim nga kujtesa lloj lloj kujtimesh dhe emocionesh, sepse i kemi përjetuar vetë. Po nga fotografitë ceremoniale me buzëqeshje të përzemërta, përqafime miqsh e shtrëngime burrash, çfarë kujtojmë? Asgjë, sepse nuk ishim të pranishëm, por imagjinojmë natyrshëm se pjesa e mëparshme ka qenë me siguri pozitive. Përmbajtja e bisedimeve kalon në plan të dytë, fotografia kremtuese kalon në plan të parë. Po të kishim një telekamera e të kishim mundësi të filmonim bisedimet midis dy politikanëve të rëndësishëm, fotogrami i fundit, me poza ceremoniale, ndoshta do të ishte më i parëndësishmi. Mirëpo fijet semantike të fotografisë ndërpriten, kështu që fotografia merr mbi supet e veta rrëfimin e të gjithë takimit. Në të vërtetë, në atë takim mund të mos ketë ndodhur asgjë, siç mund të jetë bërë një qortim i rëndë, mund të jenë shtrënguar duart për të dhënë një mesazh, siç mund të ketë qenë një çast ceremonial pa kurrfarë rëndësie.

Me kalimin e kohës, imazhet që kanë përjetësuar takimet e politikanëve shqiptarë me kolegët e huaj, janë kthyer në një rit të pamungueshëm për mediat. Nuk ka politikan që nuk ia ofron publikut si trofe pas “aventurave” në vende të largëta. Mirëpo këto fotografi po transformohen gjithnjë e më shumë me ato që bëhen me personalitetet fetare, si me Papën për shembull, gjatë audiencave kolektive ose ceremonive të tjera, ku nuk ka rëndësi çfarë është thënë, ose çfarë është bërë, por vetëm fakti se personi gjendej atë çast pranë tij. Në këtë kuptim fotografia është e vetëmjaftueshme, sepse tregon gjithshka, pasi e pezullon artificialisht hapësirën e kohën.

Nëse kjo metamorfozë vijon me këto ritme, fotografia në politikë do të fitojë cilësitë e objektit, me vërtetësinë e sidomos konkretësinë e tij, çka lyp edhe besimin e patundur të publikut. Ky do të jetë edhe stadi i fundit kur fotografia do të përfundojë në relike të vërtetë.

Advertisements
%d bloggers like this: