PRITSHMËRI

Mbledhjet e qeverisë Edi Rama – ende e paformalizuar nga pikëpamja institucionale –, në Vlorë e në Shkodër, nxitën interpretime të shumta. Konteksti i veçantë politiko-kushtetues dhe mbulesa e munguar mediatike ofruan terren pjellor për hamendjet nga më të ndryshmet lidhur me qëllimet e mbledhjeve të mësipërme. Natyrisht, mediat e etura për informacion nuk e shuan dot etjen e tyre për “faj” të vendimit të qeverisë së re, e cila i zhvilloi punimet praktikisht me dyer të mbyllura, duke lënë të rridhte aty këtu ndonjë pikë informacioni në formë imazhi ose cicërimi.

Dashamirësit e Qeverisë Rama panë në dy mbledhjet informale dëshirën për të realizuar sa më shpejt premtimet e fushatës elektorale. Si në mbledhjen e Vlorës, ashtu edhe në atë të Shkodrës, sipas tyre u fol për përparësitë e qeverisjes dhe për programet qe parashikohen të zbatohen nga 100 deri në 300 ditët e para. Kryeministri i ardhshëm shqiptar, Edi Rama, komentoi së fundi në rrjetet sociale: “Piketa të qarta për 100 ditët e para, si edhe për 300 ditët që do të përcaktojnë natyrën e qeverisjes dhe cilësinë e marrëdhënies me njerëzit”.

Kundërshtarët e koalicionit fitues e akuzuan liderin e PS-së për protagonizëm të pazakontë, madje mbledhjet e qeverisë së re u interpretuan si antikushtetuese, për sa kohë ekziston në fuqi një qeveri tjetër edhe pse për pak kohë. Pati edhe kritikë që e panë veprimtarinë e Ramës si orvatje demagogjike për të bindur elektoratin dhe vendin se po bëhet diçka, ndërkohë që nga opozita u ngritën zëra të ashpër për ta akuzuar se mezi po pret për të marrë pushtetin me qëllim revanshi ndaj kundërshtarëve të vet.

Interpretimi i lëvizjeve të fundit politike, në veçanti të mbledhjeve qeveritare, është disi i vështirë. Kjo vihet re edhe në komentet e ndryshme në media e internet. Me mbledhjet qeveritare, në qoftë se mund t’i quajmë kështu, Edi Rama politikisht me një gur vret dy zogj. Nga një anë i jep përgjigje kërkesës që i vjen nga ana e elektoratit të vet, duke i ofruar si Vlorës (ku u zgjodh si deputet), ashtu edhe Shkodrës, vëmëndje maksimale. Risia e dy mbledhjeve qeveritare ka gjasa të shihet me simpati nga qytetarët e interesuar. Nga ana tjetër, me këto mbledhje informale, Edi Rama mbush zbrazëtinë politike që krijohet në periudhën e stafetës së pushtetit. Këto mbledhje i shërbejnë edhe për t’i shtrënguar radhët e koalicionit, për ta nxehur motorin e qeverisë së ardhshme, duke ia kolauduar mekanizmat, me qëllim që në momentin e duhur të niset me shpejtësi.

Ka edhe mesazhe implicite që vijnë nga mbledhjet e Vlorës dhe të Shkodrës: i drejtohen opozitës dhe qeverisë ende në fuqi të Berishës, duke i treguar se vendimet e saj janë llafe pa vlerë, përderisa ka një qeveri tjetër të ngarkuar nga vota për administrimin e vendit. Kumtet i shkojnë gjithashtu Presidencës dhe aleatëve.

Nëse do ta linim mënjanë idenë e sinqeritetit në politikë, e po ta kishim hundën e ndjeshme, gjithsesi të pamësuar me retorikën e kalbur që përdoret në politikën shqiptare, me siguri do të nuhasnim një farë ere të lehtë demagogjie në mbledhjet e qeverisë ambulante. Simbolika do të na dukej tejet elementare, por sipas gjasës efikase. Në fillim u zgjodh një qytet i jugut, për arsye edhe elektorale (zgjedhja e Liderit), pastaj një qytet i veriut, për arsye gjithashtu elektorale (rezultatet e suksesshme të koalicionit të majtë). Simetria u përgjigjet edhe ekuilibrave të tjera kombëtare.

Qytetet si Vlora e Shkodra, edhe pse në përmasa të ndryshme, kanë vuajtur këto vite nga efektet e margjinalizimit, të vërtetë e të supozuar njëkohësisht, duke e ndjerë veten edhe të frustruara, meqë nuk e kanë parë veten në qendër të vëmendjes; sidomos përballë Tiranës kabà që tërheq jo vetëm popullsinë nga e gjithë Shqipëria, por magnetizon edhe vëmendjen ndërkombëtare, kulturën, ekonominë, politikën. Mbledhjet e fundit i rivënë ato në hartën e vëmendjes kombëtare e të qeverisë, duke ia restauruar dinjitetin “e nëpërkëmbur”. Nuk duhet harruar se mesazhi i shkon të gjithë provincës në përgjithësi, që potencialisht nuk e ndjen veten të harruar si më parë.

Mirëpo përsiatjet e derikëtushme mund të tingëllojnë edhe spekulative, në mos paragjykuese, përderisa do të ketë gjithnjë nga ata që i shikojnë me mirëbesim lëvizjet e politikës. Kanë të drejtë. Në zgjedhjen e qyteteve për mbledhje qeverie mund të ketë peshuar pikërisht ndjenja e harresës që rëndon nëpër provincat shqiptare, ku qendra shpeshherë shihet nga larg dhe e largët. Po kështu logjika veri/jug është bindësZeri_i_Popullit_sondazhi_pritshmeriae, meqë askush nuk duhet përjashtuar nga vëmendja e qeverisë. E kundërta do të kishte lënë vend për polemika të tjera.

Të gjitha këto lëvizje, por edhe vetë heshtja mediatike, kanë vetëm një pasojë: rritjen e pritshmërisë. Nuk besoj se është e rastit që gazeta “Zëri i Popullit” në faqen e vet në internet botoi sondazhin për pritshmërinë ndaj qeverisë së re. Pritshmëria ndaj qeverisë Rama ishte e lartë që me zgjedhjet e fundit, si gjatë ashtu edhe në përfundim të tyre. Fakti është se mbledhje shëtitëse si këto vetëm sa e rrisin pritshmërinë e qytetarëve. Tani prej qeverisë Rama priten vendime konkrete që me mbledhjen e parë, sepse ato propedeutike janë zhvilluar tashmë prej kohësh.

Mirëpo kur pritshmëria e madhe nuk realizohet, vendin e saj e zë zhgënjimi. Kjo, hë për hë, vlen vetëm teorikisht, por nëse e kujtojmë, keq nuk bëjmë.

Advertisements
%d bloggers like this: