BURSA E DIPLOMAVE

Në qoftë se fakultetet e letrave nëpër botë lotojnë prej kohësh, në Shqipëri tashmë qarja bëhet me dënesë. Dhjetëvjeçarët e fundit kanë qenë dëshmitarë të erozionit të vazhdueshëm të fakulteteve ku studiohen degë si historia, filologjia, filozofia, gjuha shqipe, letërsia, gjuhët e huaja, gjeografia. Gërryerja ka prekur si prestigjin e këtyre fakulteteve, ashtu edhe numrin e studentëve që i ndjekin ato. Në Shqipëri fakultetet e letrave nuk janë aq të kërkuara, në krahasim me simotrat e fushave të tjera.

Të dhënat që jepen në shtypin ndërkombëtar janë vërtet shqetësuese. Në fakultetin e Harvard, vetëm 20 për qind e studentëve kanë përfunduar diplomën në histori. Një shifër tejet e ulët po të kihet parasysh tradita e pasur e këtij fakulteti në lëmin e historisë. Gjithashtu negative janë të dhënat nga universitetet e tjera amerikane. Lëndët e humanistikës nuk ndiqen më si dikur as në Europë. Në Itali, vendi par excellence i artit dhe i kulturës, fakultetet përkatëse kanë pësuar rënie të studentëve me 27 për qind. Edhe në Francë, vendi tjetër sinonim i kulturës botërore, situata nuk duket optimiste.

Që auditorët e fakulteteve të letrave po boshatisen vit pas viti është përballë syve tanë. Për më tepër e vërtetuar nga shifrat zyrtare. Në bursën e diplomave duken si letra pa vlerë. Për të gjetur arsyet e shkretimit të shkollave letrare nuk lipsen studime të posaçme. Studentët parapëlqejnë degë të tjera që mund t’u sigurojnë punë të sigurtë, ndaj edhe zgjedhin ekonomi, inxhinieri, arkitekturë, informatikë, juridik, mjekësi, etj. Sidomos pas zhvillimit të vrullshëm të teknologjive moderne. Në Shqipëri, vitet e fundit, kulti i diplomës universitare është pasuruar me shenjtërimin e degës ekonomi-biznes, ose financë-kontabilitet, ku janë të paktë ata që nuk kanë marrë një copë master, kurs specializimi, apo diçka të ngjashme.

Përshtypja është se pas dehjes me juridik, ku u diplomuan të gjithë të diplomueshmit, tani klientela shqiptare i është kthyer me babëzi administrim-biznesit. Fakti është se askush nuk e kthen kokën nga gjuhë letërsia, ose nga historia, përveçse nga halli. Madje kush ka mbaruar studime të tilla, e ndjen se diçka nuk shkon në përgatitjen e tij për jetën, e si rrjedhim i futet juridikut, ose biznesit, në kuptimin e degës studimore. Universitetet private nuk duken të interesuara për të hapur fakultete të fushës histori-filologji, çka tregon se nuk ka treg.

Dydiplomësia në Shqipëri është bërë e zakonshme, në modë, madje në prag të perëndimit, të konsumimit, meqë në derë herët e vonë do të trokasë tridiplomësia. Falë edhe sistemit të part-time. Sipas gjasës, degët e letrave do të dalin edhe nga listat e diplomave për t’u marrë në konsideratë. Studentët që nuk i zgjedhin janë në thelb viktima të një sistemi të mangët.

Edhe pse mbrojtja e degëve të humanistikës duket e tepërt, edhe pse ndoshta kërkon hapësirë tjetër, duhet kujtuar se mendimi, qoftë brenda degëve aktualisht në modë, ka nevojë të krijohet, të organizohet, të nyjëtohet e të shprehet. Për këtë mbetet e domosdoshme kultura e përgjithshme, por edhe gjuha si mjet shprehjeje. Ekonomistët e juristët më të mirë janë ata që e njohin njeriun e njerëzimin, skutat e shpirtit të tij, që mund të njihen vetëm duke studiuar mbi të gjitha filozofi, histori e letërsi.

Kundërshtia e braktisjes së këtyre lëndëve më shumë se kudo vihet re në Shqipëri. Vendi ynë ka nevojë ta njohë veten, pra historinë, gjuhën, kulturën; e t’i bëjë pyetje vetes si bashkësi për të ardhmen që duhet të ndërtojë. Ndonjëherë në mënyrë të pavetëdijshme kjo kërkesë shfaqet në diskutimet për gjuhën dhe historinë, që kapin jo rrallë majat e histerizmit, sepse kanë të bëjnë me identitetin shqiptar e riprodhimin e tij. Kur preken tema të tilla, pak janë ata që tërhiqen nga debati, nga forumet e internetit tek kafeneja, pavarësisht nga përgatitja e formimi. Mirëpo, kjo kërkesë “e brendshme”, në analizë të fundit, nuk ngre peshë në zgjedhjen e atyre lëndëve që përndryshe do të prodhonte vetëm mësues province.

Ka ardhur koha që institucionet të merren seriozisht me prestigjin e atyre fushave nga të cilat varet shqiptaria e vërtetë, e djeshmja, e tashmja dhe e ardhmja. Nga lëndët humaniste varen edhe rregullat e bashkëjetesës e si rrjedhim ekonomia dhe biznesi, e drejta dhe demokracia, mjekësia dhe arkitektura. Por mbi të gjitha shkencat e studimeve njerëzore e shoqërore farkëtojnë mendimin kritik, pa të cilin asnjë fushë nuk mund të ecë përpara.

Advertisements
%d bloggers like this: