PARADOKSET E MBIEMRIT

Leternjoftimi_biometrik_shqiptarNë Shqipëri nuk ka pasur debate publike për përdorimin e mbiemrit, pas martesës, lindjes, ose birësimit. Sikurse e kundërta, edhe kjo tregon diçka nga kultura e vendit. Fakti është se në vende të tjera ka pasur diskutime të ndryshme, që kanë përfunduar në zgjidhje juridike, por jo përfundimtare. Siç mund të merrej me mend, fare kollaj.

Neni 51 i Kodit të Familjes (2010) për mbiemrin e bashkëshortit, thotë shprehimisht:

Bashkëshortët, kur lidhin martesën, kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër të përbashkët njërin nga mbiemrat e tyre ose të mbajnë secili mbiemrin e vet.

Në pamje të parë duket normë e logjikshme dhe moderne. Megjithatë, ka nga ata që do të donin të mbanin dy mbiemra. Për shembull, gruaja e porsamartuar dëshiron të mbajë mbiemrin e vajzërisë dhe të shtojë mbiemrin e bashkëshortit. Ka vende që e kanë këtë sistem. Kurse zgjedhja e mbiemrit të përbashkët e ngatërron disi lidhjen. Gruaja praktikisht merr mbiemrin e motrës së burrit. Janë mish e thua, apo vëlla e motër?

Marrja e dy mbiemrave do ta lehtësonte situatën në rast se çifti ndahet. Ja ç’lexohet në nenin 146 për përdorimin e mbiemrit:

Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës.

Po të kishte pasur dy mbiemra, pas zgjidhjes së martesës, nuk do të hiqej mbiemri për ta zëvendësuar me të mëparshmin, por do të kishte vetëm një heqje: mbiemrin e burrit, çka mund të sillte edhe kënaqësi fizike duke i mëshuar me laps të zi.

Mirëpo dymbiemërsia nuk i qëndron provës mashkullore. Si t’ia bëjë burri kur martohet? Të marrë mbiemrin e gruas. Kjo do të ishte e papranueshme për “një lloj kulture” në Shqipëri, sipas gjasës në minorancë. Burri që është burrë, as heq, as ndryshon, as zëvendëson mbiemra. Me atë që lind, me atë vdes. Po hyri në histori edhe më mirë.

Po fëmija, cilin mbiemër merr? Neni 52 i Kodit të Familjes për mbiemrin e fëmijëve është mëse i qartë:

Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.

Nuk jam jurist, as ekspert i së drejtës së familjes, por nga kërkimet në internet mësova se ligji nr. 8950, datë 10.10.2002 “Për gjendjen civile”, në pikën gjashtë të nenit 36, thoshte:

Mbiemri është ai i prindërve. Kur secili nga prindërit ka mbiemër të veçantë, vendoset mbiemri i babait dhe, kur e kërkon nëna, të dy mbiemrat. Kur nuk ka atësi të njohur, fëmijës i vendoset mbiemri i nënës. Fëmija jashtë martese merr mbiemrin e vajzërisë së nënës.

Pra mundësia e dy mbiemrave paska ekzistuar disa vite më parë, por vetëm me kërkesën e nënës. Ndoshta ligjet shqiptare e parashikojnë ende. Gjithsesi, praktika është tjetër gjë. Për amatorët e ligjeve mund të shtojmë se ligji nr. 10129, datë 11.05.2009, “Për gjendjen civile”, e pret nyjën gordiane me nenin 56, ku thuhet se mbiemri i fëmijës përcaktohet në bazë të procedurave të parashikuara në Kodin e Familjes.

Le t’i kthehemi pra Kodit të Familjes, që duket sikur belbëzon kur flet për mbiemrin e fëmijës së lindur jashtë martese (neni 171):

Fëmija i lindur jashtë martese merr mbiemrin e prindit, amësia ose atësia e të cilit është vendosur më përpara. Në qoftë se amësia dhe atësia vendosen në të njëjtën kohë, prindërit vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë fëmija. Në rast mosmarrëveshjeje, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit.

Duket pak i ngatërruar por thelbi është po ai. Pa mbiemër askush nuk mbetet dhe në fund fare, nuk ke nga shkon: të vënë mbiemrin e babait.

Këtu hyn çështja e famshme e “mater semper certa est“, që përmendet edhe nga Umberto Eco në shkrimin e tij “Herran Herran Herran Herran” (Espresso, 30 maj 2013). Për ata që nuk e dinë latinishten, mjafton t’i referohen praktikës e njohjeve të përgjithshme, shpresojmë jo përvojës personale. Fakti është se atësia është koncept juridik, psikologjik, shoqëror e biologjik, megjithëse ky aspekti i fundit kërkon testin e Adn-së për ta vërtetuar. Të tjerat jo. Babai i vërtetë vështirë se e kërkon testin e prejardhjes biologjike. Nejse, nëna dihet se kush është, kurse i ati mund të jetë i panjohur, ndonjëherë edhe për nënën vetë. Përse atëherë duhet marrë mbiemri i babait? Nuk do të ishte më logjike që fëmijët të merrnin mbiemrin e nënës?

Në artikullin e lartcituar Eco mendon se vendosja e dy mbiemrave krijon ngatërresa. Kush do të vihet i pari? Ai i nënës apo i babait? Në shembullin spanjoll del në shesh e gjithë rrëmuja e supozuar. Sa mbiemra do të vihen rresht? Po sikur prindërit të kenë të njëjtin mbiemër? Po ta kishte njohur rastin shqiptar shkrimtari italian do ta kishte pasur të thjeshtë ta shtonte dozën e kaosit me shembuj të shumtë, sepse një pjesë e madhe e bashkëshortëve kanë mbiemër të përbashkët. Ka edhe më: nëse Hasim Hasimi martohet me Hasime Hasimen, në gjendje civile shënohen 4H? Tek e fundit dashuria një lloj kimie është.

Po në rast divorci si i bëhet? Si do të vendosen mbiemrat? Kush mendon se demokracia në çështjen e mbiemrave do ta ndihmonte zgjidhjen e ka gabim. Eco thotë se, në rast se u jepet prindërve liria e plotë të zgjedhin një mbiemër çfarëdo për fëmijën, ata mund të vendosin mbiemra të diskutueshëm, marrë nga personazhe që historia i ka dënuar përfundimisht. Ky opsion për në Shqipëri nuk duket tejet i dëmshëm, sepse mbiemri Hoxha, për shembull, është shumë i përhapur; askujt nuk i shkon ndërmend se është i diktatorit mizor, pa e përjashtuar mundësinë që pas disa vitesh nuk do të kujtohet kush për të. Të mos harrojmë se rreziku i harresës është gjithnjë në pritë.

Përveç kësaj, ka ndërlikime të tjera; imagjinoni një çast diskutimet e mundshme të çiftit X: “E dashur, si thua, të vëmë mbiemrin e babait tim filozof?”. “Në asnjë mënyrë. Gjyshi im ishte atdhetar”. “Po sikur të gjejmë një mbiemër tjetër? Si të duket ky?”. “Më mirë rri pa mbiemër. Ajo familje nuk ka luftuar kundër pushtuesit, janë tradhëtarë”. “Le të kërkojmë një mbiemër të huaj”. “Dakord, por brenda Bashkimit Europian”.

Ndërrimi i mbiemrit bëhet në gjykatë. Kjo është fitore e madhe për njerëzimin e për shoqërinë shqiptare. Mendoni pak për ata që kanë mbiemra të çuditshëm si Qorri, Sakati, Shurdhi, Qypi. Disa fjali nuk do të tingëllonin bukur: “E pa Qorri me sytë e vet”,  “Sakati erdhi me vrap”, “E dëgjova prapa derës, tha Shurdhi”, “Ma shpjegoi qartë ai djali. Kush, ai Qypi mo?”. Po i shmangim me mirësjellje mbiemrat më të guximshëm…

Shumëkush e di se në disa zona në veri të Shqipërisë mbiemri nuk përdoret. Tradicionalisht. Kur thonë ta zëmë Xhemal Bajrami, nuk do të thotë se Bajrami është mbiemri, dhe Xhemal është emri, por që Xhemali është djali i Bajramit. Edhe ky sistem i ka të panjohurat e veta, sepse ata që nuk janë të fshatit, e kanë të vështirë të orientohen se për kë po flitet.

Përveç vënies ose marrjes së mbiemrit, ka edhe një problem tjetër: rendi midis emrit e mbiemrit. Shokët të thërrasin gjithnjë me emër, mësuesit ndonjëherë përdorin mbiemrin. Në shkollë përdoren të dyja, në ushtri vetëm mbiemri. Akademikët të citojnë me emër me pikë e mbiemër të plotë, policia të vë vetëm inicialet në komunikata shtypi. Kur përdoret “z.”, ose “znj.” shkojnë të dy, emri e mbiemri, por kur ka shumë formalitet, sidomos kur shkruhet, vihet mbiemri. “Shoku” në totalitarizëm donte emrin nga pas, sepse ishte “shok”.

Mos vallë koncepti i mbiemrit tashmë ka perënduar? Përse në burg përdorin numra? Sepse janë më të saktë? Po djali i James Bond-it, merr mbiemrin 007?

Ndërkohë, ligjet ende nuk e kanë disiplinuar përdorimin e pseudonimit. E merr edhe gruaja pas celebrimit? I kalon fëmijëve si mbiemri? Cili pseudonim vihet në fillim, ai i nënës, apo i të atit? Po ata që përdorin disa të tillë? Përdorin atë me profil më të civilizuar? Së shpejti moderniteti mund të na vërë përballë alternativave më të vështira: mendoni për një çast në rast martese midis dy personave homoseksualë, që mund të jenë natyrisht edhe femra. Cilin mbiemër? Të kujt? Të dyve?

Puna e mbiemrave qenka vërtet e koklavitur. Arsyetimet nuk çojnë në krizë identiteti, por kokën lëmsh ta bëjnë.

Advertisements
%d bloggers like this: