KËPUCARI I ARDHUR

Figure di calzolai con un cliente - Giacomo Ceruti (1698-1767)

Figure di calzolai con un cliente – Giacomo Ceruti (1698-1767)

Nuk e kisha menduar kurrë se tek dyqani i këpucarit të lagjes në Tiranë, ku shkova për të ndrequr diçka, do të gjeja diçka më shumë se aromë mastiçi e profesionalizëm zejtari. Tek rregullonte sendin që i kisha çuar, shpeshherë pa i ngritur sytë nga puna, më tregoi shumë gjëra interesante, që më bënë të mendohem.

Për ekonominë bindjet i kishte të themelta. Bota do të ketë gjithnjë nevojë për zejtarë, pra për artizanë si puna ime. Sado të ecë përpara teknologjia, puna e dorës nuk do të zhduket kurrë. Ka qenë, është e do të jetë. Mirëpo Shqipëria është marrosur pas diplomave. Njerëzit shkojnë nëpër universitete për t’u bërë ekonomistë, juristë, inxhinierë, etj. Pastaj, të pangopur, rifillojnë shkollë tjetër të lartë për të marrë diplomën e dytë e të tretë, masterin, doktoraturën, specializimin… Pastaj nuk dinë të ngulin një gozhdë. Rrinë pa punë. Vendi ka nevojë për shkencëtarë, dakord, por edhe arkitekti duhet ta dijë si bëhet llaçi e si vihet tulla në mur. Si do ta projektojë vallë pallatin e ri kur nuk di se me ç’materiale bëhet?

Raportet me shtetin i kishte të qarta. Shteti shqiptar e ka mendjen vetëm tek taksat. Bashkisë nuk i intereson sa xhiro ke, i interesojnë paratë që derdh në arkat e saj. Sa më i vogël të jesh aq më shumë të marrin nëpër këmbë. Burokracia është e tmerrshme. Por ligjet duhen respektuar. Në vend ta korrigjojnë gabimin që kanë bërë për përllogaritjen e tatimeve, të thonë se duhet bërë kërkesë për rishikim, që do të shqyrtohet më pas nga një komision i posaçëm, por ndërkohë tatimet duhen paguar deri më një. Me një punishte të vogël prej pak metrash katrorë nuk bëhesh kurrë i pasur, por është punë e ndershme, që të lejon ta mbash frymën e familjen gjallë. Shteti nuk duhet t’i marrë frymën punishteve të vogla.

Kthimi nga emigracioni e kishte prekur thellë. Të kthehesh pas njëzet vjet emigracion është e vështirë. Integrimi në Shqipëri, për të kthyerit, nuk është i lehtë. Po të shkosh në zyrat e punës për emigrantët e ndjen veten të poshtëruar. Nuk ta var kurrkush. Madje të pyesin përse je kthyer e ta përplasin derën në fytyrë pa të dhënë zgjidhje. Unë kam tetë muaj që jam kthyer nga Greqia, për një sërë arsyesh familjare, dhe kam hapur këtë dyqan të vogël. Po përpiqem të ecë përpara. Shumë emigrantë në Greqi duan të kthehen, se ka krizë e papunësi, por preferojnë të jetojnë të fundit atje, se sa të vijnë këtu në Shqipëri. Përse? Le të marrim shëndetësinë. Emigrantët e dinë se sado të jetojnë keq jashtë shtetit, të paktën po u sëmurën nuk përfundojnë keq. Dikush i mjekon dhe kujdeset për ta. Këtu të merr lumi. Unë të gjitha kursimet nga jashtë e çka fitoj këtu, i harxhova për shëndetin, edhe pse ende nuk kam mbaruar punë.

Për politikën nuk kishte mendim të mirë. Shqipëria ka ndryshuar? Për shumë gjëra jo për mirë. Njerëzit kanë frikë të flasin për politikë, se politika gjendet kudo. Unë jo. Bukën e fitoj me djersë, duke rregulluar këpucë e çanta. Politikën e ndjek me shumë kujdes. Në zgjedhjet e fundit njerëzit thoshin se do të votonin aksh parti e pastaj e hodhën votën për dikë tjetër. Njerëzit duhet të kenë guxim, kurse politika nuk duhet të thotë gënjeshtra e të japë premtime që nuk i mban dot.

Për mediat shqiptare kishte shumë kritika. Mediat duhet të jenë në oponencë me pushtetin, duhet ta kundërshtojnë me çdo mënyrë. Këtu mediat janë ndarë në dy palë. Ka gazeta e televizione që mbrojnë njërën palë, ka të tjera që mbrojnë palën tjetër. Gazetarët duhet t’i kontrollojnë politikanët, që të mos bëjnë si të duan, jo t’i thurin lavde siç ndodh në Shqipëri. Po kështu shoqatat e sindikatat që nuk funksionojnë siç duhet, sepse duhet ta ngrenë me forcë zërin e tyre. Politika duhet ta ndjejë kontrollin që i vjen nga të gjitha anët.

Kur ma ktheu sendin e ndrequr për mrekulli, bashkë me çmimin, më rrëfeu se ishte penduar për kthimin në vendlindje. Më erdhi shumë keq, se unë ndërkohë, në mendjen time, e kisha futur në kategorinë e kthimit të trurit, pavarësisht se nuk isha tërësisht dakord me mendimet e tij. Se Shqipërisë i lipset vërtet kthimi i shkencëtarëve nga jashtë, por ndoshta më shumë i duhet kthimi i qytetarëve.

Advertisements
%d bloggers like this: