KËPUCARI IM

këpucariPërse shkon njeriu tek këpucari? E thjeshtë: për të rregulluar këpucët, sandalet, çantën, rripin, e çdo send tjetër që ka lëkurë o lëndë të ngjashme me të. Personalisht, shkoj edhe për dy arsye të tjera. Më pëlqen era e mastiçit dhe puna e dorës.

Arsyeja e parë, me siguri është e lidhur me fëmijërinë, kur shkoja tek këpucari për të ndrequr shollën ose gomën e hapur për të satën herë. Era e mastiçit të kuqërremtë, e përzierë me erën e lëkurës, e gjithfarë produktesh të tjera, përfshirë bojën e këpucëve, m’i lezetonte hundët pa e kuptuar, ndërkohë që kishte njerëz që nuk i afroheshin dot dyqanit për të njëjtat motive.

Arsyeja e dytë, ka të bëjë ndoshta me qetësinë që të japin duart e çdo zejtari. Lëvizje të qeta e qetësuese, të sigurta e siguruese, të mësuara e mësuese. Mënyra se si e marrin në dorë këpucën, gati me përkëdhelje, si e rrotullojnë për t’i bërë diagnozën, me dhimbje e dashuri njëkohësisht, si e lëmojnë me gur smeril, me vendosmëri e kujdes, si e lyejnë me mastiç duke përdorur gishtat, si bukën me gjalpë, si e vendosin ngadalë mbi banak për t’u tharë, për të pushuar, si fëmijën në djep.

Në fëmijërinë time, në këpucari punonin nga një në disa vetë. Dyqani gumëzhinte nga zërat njerëzve e nga zhurmat e punës. Kishte dy lloj myshterinjsh: ata që linin këpucët për t’i rregulluar, duke caktuar datën e tërheqes, dhe ata që prisnin që t’i rregullonin në çast. Këta të fundit, ishin nga ata të kapur gafil nga sholla rebele, ose nga ndonjë vrimë pusete, ku përfundonin fatalisht takat e grave. Rrinin buzë banakut, të ulur në një stol të gjatë, si lejleku mbi një këmbë të mbathur. Prisnin me durim veprën e zanatçiut, që ndërkohë jepte edhe muhabet, herë klientit, herë kolegut. I mbrojtur nga përpërsja prej meshini, të njollosur nga zamka e bojëra shumështresore, jepte e merrte me thumba, çekiçë, darë, forma, mastiç, pafka, lëkura, thika, lidhëse, duke shkuar nga makina qepëse tek guri smeril, nga një cep tek tjetri, pa vonuar, por edhe pa nxitim.

Zakonish këpucari ishte komshi. Në mos i tillë ishte i njohur, gjithsesi fytyrë e pame. Rrallë herë të pyeste i kujt ishe, përndryshe t’i çonte të falat me emër e mbiemër. Kur në dyqan kishte vetëm një këpucar, në mungesë të klientëve të tjerë, bashkëbisedimi bëhej edhe më intim. Çfarë shkolle mbarove? U nis vëllai ushtar? Si u bë gjyshi? Gjithnjë kam menduar se këpucarët e njohin mirë lagjen ku punojnë, kryesisht njerëzit. Tek e fundit, atje shkojnë të gjithë, të kamur e të varfër, të rinj e të vjetër, burra e gra, djem e vajza. Kush për një arsye e kush për një tjetër, çojnë tek këpucari këpucët e preferuara, çantën e dhuruar, sandalet e vetme, rripin që shkon me kostumin.

Në Shqipërinë totalitare këpucari ishte figurë qendrore, sikurse berberi, vetëm se tek ky i fundit shkonin vetëm meshkujt, meqë femrat trajtoheshin në floktore. Arsyeja përse këpucaria ishte vend strategjik i shoqërisë së atëhershme duhet kërkuar në tiparet e ekonomisë së asaj kohe. Në ekonominë e centralizuar nuk kishte vend për konsumizëm. Me këpucët që të blinin duhet të kaloje vite të tëra, derisa këmba zmadhohej e të krijoheshin kallo të padurueshme. Për shkak të rrugëve të pashtruara mirë, mes ziftit e guriçkave, baltës e zhavorrit, si dhe mungesës së automjeteve private, këpucët përdoreshin tej mase, ndaj konsumoheshin shumë, sepse njerëzit ecnin kryesisht me këmbë. Këpucari ishte pikëpjekja tradicionale për këdo shqiptar të asaj kohe. Kushedi si e klasifikonin shoqërinë në bazë të këpucëve: shtresa e lëkurës së vërtetë, klasa e inkelitit, grupi i këpucëve të konsumuara…

Banakun e kam parë nga poshtë lart, drejtpërdrejt, e nga lart poshtë. Pra në të gjitha moshat. I shikoja me kureshtje se si i vinin thumbat një nga një, herë duke i nxjerrë nga goja, ku çuditërisht i linin në pritje të nguljes. Mastiçi ishte protagonisti i përhershëm, rreth të cilit ngriheshin mite çfarëdo. Mastiç special, i ardhur nga Gjermania Lindore. Por duhet lënë disa minuta më shumë të thahet. E shikon? Duket nga ngjyra që ka ardhur nga jashtë. Nuk kanë vdekje. Falë thumbave e mastiçit, e duarve të ustait, këpucët hynin të shqyera e dilnin fringo, hynin pa shpresë e dilnin gjithë jetë. A thua këpucët e shikonin këpucarin sikurse ne doktorin? Po thumbat e mastiçin, i shikonin si ne instrumentet e kirurgut?

Gjatë minutave të pritjes mësoje shumë gjëra. Të rejat për mëhallën, lindjet, vdekjet, martesat, dashuritë, aksidentet, komente për sportin, punën, e të tjera informacione. Asnjë koment për  politikën, përveçse nga fundi i totalitarizmit. Frika ishte e madhe. Po sikur dikush nga myshterinjtë të nxirrte ndonjë fjalë? Megjithatë, jam i bindur se mes një thumbi e një tjetër, ndonjë thumb ia hidhnin edhe politikës.

Kishte diçka edukative qëndrimi tek banaku i këpucarit. Së pari ishte e qartë se atje punohej. Puna e tij ishte e prekshme, konkrete, e dobishme. Lëvizjet tregonin durim, këmbëngulje, talent, art, dituri, vullnet, origjinalitet, pragmatizëm, traditë, respekt për njeriun, respekt për sendet, respekt për natyrën. Në përgjithësi dëshirë për punë. Këpucari pasqyronte qytetin e pasqyrohej tek qyteti, bënte pjesë e bëhej pjesë e bashkësisë ku jetonte. Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se shumë gjëra kanë ndryshuar.

Për fat të keq, tani që logjika e konsumizmit na shtyn t’i hedhim këpucët e prishura, më shumë se sa t’i ndreqim, tani që sistemi na nxit të blejmë përherë gjëra të reja, ne humbasim edhe shansin të shkëmbejmë dy fjalë me këpucarin tonë. Personalisht, parapëlqej gjithnjë t’i rregulloj sendet tek këpucari, sidomos kur i kam pikë të dobët. E në rast se këpucari është fjalëpakë ose antipatik, më mbetet gjithnjë aroma e mastiçit dhe arti i zejtarit.

Advertisements
%d bloggers like this: