DËSHIRA PËR NDRYSHIM

Gjatë një interviste radiofonike, më pyetën nëse zgjedhjet e fundit shënuan një ndryshim epokal për Shqipërinë. U përgjigja me një farë shpjegimi të shkurtër, nuk e mbaj mend saktësisht me ç’terma, por nga goja gjithsesi nuk më doli fjala e thatë “Po”. Tani po mundohem t’ia artikuloj shkaqet së pari vetes, e njëkohësisht kolegëve, me bindjen se arsyetimi do të më shpjegojë edhe mua disa gjëra për të cilat flasim ndonjëherë instinktivisht.

Po të pyesnim militantët e zjarrtë të dy partive kryesore të vendit, përgjigjja mund të ishte e njëjtë. “Po”, do të thoshin militantët e Partisë Socialiste; me ardhjen në pushtet të Edi Ramës po hapet një epokë e re ndryshimi, pra do të ketë ndryshime radikale, natyrisht pozitive. “Po”, do të shpreheshin militantët e Partisë Demokratike, ndryshimi është rrënjësor, sepse iku nga qeveria Partia Demokratike, dhe me ikjen e Sali Berishës, do të hapet vërtet epokë e re, por negative. Të dy palët do të flisnin përkatësisht keq për kundërshtarin, me fjalët më të zeza.

Megjithatë mikrofoni pret përgjigje jo pasionante. Qoftë edhe të gabuar. Le të fillojmë me ndonjë konstatim elementar. Numrat që dolën në Parlament, me zgjedhjet e qershorit, dëshmuan pa pikë dyshimi se dëshira për ndryshim, ose siç quhet ndryshe rrotacion, ishte e madhe. Qytetarët shqiptarë folën qartë nëpërmjet votës, duke u shprehur pa mëdyshje për ndryshimin në qeverisjen e vendit. Këtë fakt nuk e mohojnë as interpretimet më të guximshme, fantazioze e vetëjustifikuese për votën e qershorit. Tek e fundit, dëshirën për ndryshim, si kërkesë e qytetarëve, e kishin kapur edhe antenat e partive gjatë fushatës. Përndryshe, përse slogani elektoral i PD-së do të ishte: “Ne jemi ndryshimi. Përpara”?

A mund të konsiderohet ndryshimi i zgjedhjeve si epokal? Edhe mundet, por mua “po”-ja e prerë nuk më del për tri arsye kryesore.

Së pari, zgjedhjet e qershorit shënuan ndryshimin e mazhorancës, si rrjedhim të qeverisë, por jo ndryshimin e sistemit. Ndryshim epokal, për shembull, mund të quhet pa frikë ai i viteve 1991-1992, kur Shqipëria vendosi të kalojë nga monizmi në pluralizëm, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut, nga autarkia në hapjen e kufijve. Kalimi ishte përnjimend rrënjësor. Në këtë kuptim, që zgjedhjet e fundit nuk përcakuan ndryshim epokal mund të merret si pozitive, për sa kohë po flasim gjithnjë për sistem demokratik e pluralizëm. Praktikisht, për të njëjtin mjedis shoqëror.

Së dyti, nuk duhet harruar se mazhoranca e sotme, ose më saktë opozita e djeshme (PS), ishte pjesë e sistemit, madje pjesë e dialektikës politike. Ka nga ata që përgjegjësitë e opozitës nuk i anashkalojnë thjesht për faktin se përbën pakicë në parlament. Në demokracitë e vërteta, politika e opozitës ka rol të pazëvendësueshëm e vlerë të madhe për mbarëvajtjen e vendit. Këtu nuk është fjala vetëm për rolin e kontrollorit, por edhe të propozuesit të politikave të dobishme. Në këtë rast, thuhet se opozita mban qëndrim konstruktiv. Në qoftë se nuk duam ta fajësojmë opozitën e djeshme për fajet e qeverisë Berisha, të paktën të pranojmë se opozita ishte pjesë e lojës për tetë vjet rresht. Në këtë këndvështrim, por edhe duke pasur parasysh kulturën e përbashkët politike, qoftë edhe të pjesshme, dallojmë një farë vijueshmërie që na e pengon përdorimin e fjalës “epokale” kur flasim për ndryshime.

Slogani elektoral i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) ishte ky: “Të ecim më shpejt”. Pjesëza “më” tregon qartë se ekziston një farë lidhje me të kaluarën. Interpretimi mund të ishte ky: deri më sot kemi ecur, ndoshta shpejt, por tani duhet të ecim “më shpejt”. E kaluara e afërt e bashkëpunimit me PD-në nuk mohohet, madje lihet të nënkuptohet.

Së treti, nuk mund të mohojmë faktin se një pjesë e koalicionit të majtë, më qartë LSI, ishte pjesë e qeverisë Berisha, me të cilin bashkëadministroi me vite të tëra. Edhe nga pikëpamja e ngushtë e vazhdimësisë fizike, nuk mund të themi se thyerja nga e djeshmja tek e sotmja, ka qenë epokale, pra frakturë aq e fortë tektonike sa të shënojë hapjen e një epoke të re. Nuk po i japim peshë “gojëve të liga”, të cilat “vazhdimësinë” e komentojnë me nënqeshje djallëzore, duke përmendur akuzat që i bëhen forcës së lartpërmendur politike. Me fjalë pazari, disi qualunquiste, mund të themi ata që ishin dje, janë po ata që janë sot. Me ca shokë të tjerë në krah.

Pavarësisht nga tri arsyet e mësipërme, nuk mund të mos pranohet se ndryshim pati, madje të madh, përderisa pas tetë vjetësh Shqipëria e ktheu faqen, ndoshta kapitullin, me bindje të plotë. Me sa mbaj mend, gazetares iu përgjigja instinktivisht se e majta shqiptare ka marrë me zgjedhjet e fundit një kredi të jashtëzakonshme besimi nga ana e qytetarëve të vet. Me kalimin e kohës, do të shihet nëse kjo kredi do të justifikohet nga klasa drejtuese në pushtet, apo do të shpërdorohet papërgjegjshmërisht. Dikush mund ta quajë si kinse pritës këtë qëndrim, dikush tjetër mund ta konsiderojë si të frymëzuar nga Shën Thomai (pa e prekur me dorë nuk besoj), dikush mund ta shohë si paragjykim, dikush tjetër si pelëshim. Varet. Ndërkohë, rregullisht e periodikisht, si “epokale” duket pritshmëria e qytetarëve shqiptarë për një politikë me etikë të lartë për të mirën e përbashkët.

Sidoqoftë, në këtë kohë kur fjalët hidhen pa u menduar, si kotijone pa vlerë, një superlativ më shumë e një më pak, nuk e luhat kandarin kuptimor. Por kush beson tek vlera e fjalës, tek pesha e saj, tundimin për ta pezulluar, për ta lënë standby, e ka të fortë. Sepse, kush është djegur nga qulli i fryn kosit, por ndonjëherë edhe qullit.

Atëherë e mendova kështu. Numrin e gazetares e di. Pas ca kohësh, do ta marr në telefon e do t’i jap mendimin tim nëse ndryshimi ishte epokal. Tek e fundit, dita e bukur (çka e urojmë të gjithë), dallohet ndonjëherë që në mëngjes.

Advertisements
%d bloggers like this: