PASQYRA TJETËR

valixheMigracioni është një nga ato dukuri shoqërore ku ndërthuren aspekte njerëzore të gjithanshme. Lëvizja e njeriut nga një vend në tjetrin prek ekzistencën e tij, ndaj edhe mund të shihet nga një sërë pikëpamjesh, sepse përfshin të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, duke filluar nga ekonomia dhe politika, për të vijuar me kulturën dhe psikologjinë, individuale e kolektive, për të përfunduar me fenë, gjuhën dhe demografinë. Tek imigracioni ndërpriten zona të rëndësishme nervore të trupit shoqëror, për këtë arsye kjo temë merr rëndësi të veçantë, sidomos në ditët e sotme kur globalizimi i ka shtuar marrëdhëniet njerëzore.

Epoka e mediave dhe e internetit vetëm sa ia kanë nxjerrë më shumë në pah karakteristikat migracionit si “fakt shoqëror total”, siç e quante sociologu algjerin Abdelmalek Sayad. Është kjo veti në thelb të funksionit të kësaj dukurie si pasqyrë e gjithë shoqërisë. “Funksioni pasqyrë” i migracionit, i përvetësuar tashmë nga shumë studiues, vjen si pasojë e vendit të privilegjuar që migracioni zë brenda bashkësisë njerëzore. Duke studiuar migracionin për shembull ne krijojmë e shkëlqejmë një pasqyrë ku mund të dallojmë tiparet e politikës së vendit pritës, por edhe të vendit nga ku emigrantët nisen. Procesi migrator na pasqyron nga një anë aspektet ekonomike të vendeve të interesuara, nga ana tjetër qëndrimin që ne mbajmë ndaj Tjetrit dhe ndryshmërisë në përgjithësi.

Impakti i migracionit është aq i fortë saqë zbulon, e ndonjëherë nxjerr lakuriq, tiparet më të fshehta të një vendi. Duke i skajëzuar disa pasoja, duke i acaruar disa “probleme” migracioni nënvizon karakteristikat politike e kulturore të shumë vendeve, shpeshherë duke i kushtëzuar zgjidhjet që kanë të bëjnë me të. Nëpërmjet migracionit mund të kuptohen thellë disa mekanizma të shoqërive të ndryshme, sikurse studimi i organizimit social shpie në kuptimin e aspekteve të migracionit (S. Palidda). Siç shihet, migracioni përveç funksionit pasqyrë, ka edhe funksionin thjerrëz zmadhuese, nëpërmjet të cilës mund të zmadhohen elementë që përndryshe do të mbeteshin në hije.

Është migracioni që na vë përballë pyetjeve shumë serioze lidhur me shtetësinë, kombësinë, identitetin, funksionimin e administratës publike, qëndrimin ndaj Tjetrit, respektimin e të drejtave të njeriut, shërbimet sociale, e kështu me radhë. Tek e fundit, siç mendon studiuesi Maurizio Ambrosini, migracioni sillet njëlloj si reagjent i natyrës së bashkësisë ku bëjmë pjesë. Qëndrimi që mbajmë ndaj migracionit hedh dritë detyrimisht edhe në skutat më të errëta të ndërgjegjes sonë, sikurse ndriçon ingranazhet që lëvizin mekanizmin mediatik dhe të paraqitjes së Tjetrit, me të gjitha pasojat e mundshme, nga përgjithësimet tek diskriminimet.

Rruga e migrantit e ka një pikënisje e një pikëmbërritje. Pikërisht, procesi i emigrimit (nisja nga një vend) dhe procesi i imigrimit (mbërritja në vendin tjetër) janë dy faqe të së njëjtës medalje, çka me medalje mund të nënkuptohet “fakti shoqëror total”, pra migracioni si dukuri kompleksive (Abdelmalek Sayad). Nga kjo pikëpamje, mund të përfytyrojmë se ndërveprimi i migracionit është shumëplanësh, për sa kohë ndërlikimet e kontradiktat e nxjerra nuk reduktohen vetëm në marrëdhëniet midis migrantëve dhe autoktonëve, por edhe midis emigrantëve dhe bashkatdhetarëve të tyre. Madje shpeshherë migracioni hyn me forcë edhe në fushën gravitacionale të gjeostrategjisë e të politikës së jashtme. Gjithsesi, tashmë është e qartë se funksioni pasqyrë i migracionit sa vjen e përforcohet, varet vetëm nga mënyra se si shikohet kjo dukuri.

Edhe pse Shqipëria është një nga vendet më të prekura nga migracioni, ajo paraqet një deficit të madh kulturor në këtë drejtim, sepse tema e migracionit nuk ka zënë asnjëherë vendet e para të axhendës së vendit. Po të përjashtojmë rastet e skajshme kjo vlen edhe nga pikëpamja mediatike, meqë mediat nuk u kanë dhënë kurrë hapësirën e duhur migrantëve, përveç faqeve të para të detyrueshme nga emergjencat historike. E megjithatë, siç thamë më lart, pikëpyetjet që na vë përpara migracioni janë me karakter thelbësor, sepse kanë të bëjnë direkt me zemrën e bashkësisë ku jetojmë. Shqipëria, më shumë se vende të tjera, duhet të përballet me sfidat e shumëfishta të migracionit e nuk duhet t’i shmangë pyetjet që i bën ky fenomen, sepse nga përgjigjja e tyre varet ndërtimi i shoqërisë moderne.

Funksioni pasqyrë realizohet edhe falë numrave. Kur u bënë të ditura të dhënat e pranisë së të huajve në Shqipëri, mediat shqiptare e dhanë lajmin, por nuk u thelluan në kuptimin e tyre, duke e lënë të ngatërrohej e të tretej mes qindra lajmesh të tjera. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, vetëm gjatë vitit 2012 në Shqipëri u dhanë 2.499 leje pune për të huajt, pjesa më e madhe e të cilave në kryeqytet. Sipas shtetësisë peshën më të madhe e zinin turqit me 474 vetë, ose 19% e totalit; vijonin më pas grekët me 388 (16%) dhe italianët me 372 shtetas (15% e numrit të përgjithshëm). Me leje pune për 2012-n u pajisën gjithashtu 195 kanadezë, 188 kinezë (7,5%) dhe 105 kosovarë. Sektorët e aktivitetit ishin si më poshtë: ndërtim (19%), tregti e riparim automjetesh (14,5%), miniera e gurore (12%), industri përpunuese (8%) etj. Nuk është pa rëndësi fakti se gjatë vitit 2012 janë përjashtuar nga detyrimi pë pajisje me leje pune 180 shtetas të huaj, të gjithë anëtarë të Bashkimit Europian.

Çfarë do të na binte në sy sikur të shikonim historinë e imigracionit në Itali? Me siguri anijet e eksodit spektakolar shqiptar në fillim të viteve nëntëdhjetë. Në funksionin e vet si pasqyrë, emigracioni rrëfen shumë si për vendin nga u nisën emigrantët (Shqipërinë të porsa dalë nga totalitarizmi), ashtu edhe për Italinë (vendin e ëndërruar nga mijëra vetë). Pamjet e shqiptarëve në molin e porteve puljeze, ose në stadiumin e Barit, përveç indinjatës njerëzore, na bëjnë të kuptojmë se Italia nuk ishte e përgatitur të sillej si vend imigracioni. Për fat të keq, si nga ana politike, ashtu edhe nga ana organizative e kulturore, Italia ishte ende ankoruar në vetëperceptimin si një vend emigrantësh, jo imigrantësh, pra si një vend nga ku shikohej përtej oqeanit, ose drejt Europës veriore, jo si një vend mbërritjeje për qytetarë të vendeve të tjera. E pra, u desh “shock”-u i eksodit për t’i detyruar të dyja vendet t’i bënin analiza të thella vetvetes, pra të shikoheshin me vëmendje në pasqyrë, për t’i rikonfiguruar cilësimet e veta politiko-kulturore.

Italia e viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë nuk e kuptoi gradualisht se tashmë ishte shndërruar në vend imigrantësh, pavarësisht se numri i të huajve rritej nga viti në vit. U desh një “përplasje” epokale, një traumë kolektive, si ajo e eksodeve, për shkak të imigracionit nga Shqipëria, për ta detyruar që ta analizonte situatën e re sociopolitike, duke shënuar edhe ndërrimin e kapitujve historikë nga rënia e Murit të Berlinit drejt epokës së re. Nga ana tjetër, migracioni mund të shërbejë si detonator për reagime të përkundërta, pra kundër imigrantëve dhe Tjetrit, por edhe në këtë rast dëshmon se përbën pasqyrë e njëkohësisht sinjal të problemeve në gjirin e bashkësisë. Fakti është se migracioni përbën instrumentin ideal me të cilin mund të maten shumë përmasa të shoqërisë.

Është ende shpejt që Shqipëria të konsiderohet si vend imigracioni, numrat nuk na e lejojnë një deklaratë të tillë, megjithatë por kjo s’do të thotë se është shpejt për t’i bërë disa pyetje vetes për çështje kardinale siç janë kombësia e shtetësia, identiteti e ndryshmëria, të drejtat njerëzore dhe arsyet shtetërore, qasja ndaj Tjetrit dhe dinjiteti njerëzor. Nuk duhet të kemi frikë, në pasqyrën e migracionit do të shohim veçse veten.

Advertisements
%d bloggers like this: