HUMBJE APO FITORE?

Numërimi i votave ende nuk ka përfunduar zyrtarisht, megjithatë zgjedhjet shqiptare të qershorit duket se e kanë fituesin dhe humbësin. Në shtyp, media elektronike, internet, parti e kafene kanë filluar me të drejtë analizat dhe interpretimet e votës, që nisen nga e dhëna kryesore që u bie të gjithëve në sy: koalicioni i majtë ka fituar, ndërsa i djathti ka humbur. Pohimi duket pothuajse matematikor, sepse numri i anëtarëve të Parlamentit është i palëvizshëm, e përderisa shumica e deputetëve të zgjedhur janë të majtë, pakica detyrimisht rezulton e djathtë.

Deri tani po flitet për fitoren e thellë të njërës palë, ose humbjen e thellë të palës tjetër. Po sikur ta përmbysnim pamjen e rezultateve, pjesërisht edhe logjikën, duke i shndërruar pohimet “Koalicioni i majtë fitoi, koalicioni i djathtë humbi”, ose më të personalizuar “Berisha humbi, Rama fitoi” në pjesë kundërshtore? Do të ishte mënyra më e mirë, anipse provokuese, për të zbërthyer rezultatet e zgjedhjeve, një lloj bombe për të shpërthyer pjesët përbërëse të vendimit që dhanë zgjedhësit.

Pohimet me logjikë të përmbysur, që gjithsesi duhen analizuar, do të ishin këto: “Humbi Berisha, nuk fitoi Rama”, ose “Fitoi Rama, nuk humbi Berisha”, çka në sipërfaqe duken si të pakuptimta, për sa kohë në politikë zakonisht festohet të paktën një fitore e qahet të paktën një humbje. Megjithatë, ka raste ku të gjithë dalin humbës, ose të gjithë fitues, varet nga këndvështrimi.

Fjalinë e mësipërme mund ta shtrojmë edhe si pyetje: “Humbi Berisha, apo fitoi Rama?”, ose “Fitoi Rama, apo humbi Berisha?” Përgjigjja do të na ndihmonte t’i lexonim më mirë rezultatet e zgjedhjeve, sepse pyetja duket paradoksale, por është po ajo që gjarpëron nëpër tryezat e bareve dhe forumet e internetit, shpeshherë e formuluar në mënyra nga më të ndryshmet.

Në qoftë se dikush mendon se elektorati shprehu mllefin e vet ndaj një politike të gabuar, atëherë mund të flasim për humbjen e koalicionit të djathtë dhe jo fitoren e së majtës, meqë u votua kundër jo pro. Në qoftë se dikush tjetër mendon se propozimet e koalicionit të majtë, pra programi politik i tij, ishte aq interesant saqë i bëri për vete qytetarët, atëherë kemi të bëjmë me fitoren e koalicionit të majtë.

Në vazhdën e pyetjeve të mësipërme, duke e respektuar modelin përmbysor e duke parë që në disa qarqe rezultatet negative u faturohen politikanëve të veçantë me emër të përveçëm,  mund të shtrohej pyetja: “Humbi Koalicioni i djathtë, apo Partia Demokratike?”. Kjo do të na ndihmonte të hulumtonim përgjegjësitë e humbjes, alkiminë e koalicioneve të ndërtuara, meqenëse ka nga ata që mendojnë se koalicioni me PR, për shembull, nuk është se i ka sjellë shumë vota koalicionit të djathtë; ndërkohë që votat që iu dhanë FRD-së mbeten politikisht gjithnjë të këtij krahu, pavarësisht se u paraqitën ndarazi. Në anën tjetër të spektrit mund të themi: “Fitoi koalicioni majtë, apo Partia Socialiste?”, çka mund të përkthehet në shumë gjuhë e gjithnjë me kuptime të ndryshme, për arsye se martesa në kampin rozë (me LSI së pari) nuk duket i shtyrë thjesht nga dashuria, sa për ta thënë me një eufemizëm.

Nëse do t’i vinim përballë njëri tjetrit, Partitë dhe liderët përkatës, mund të thoshim: “Humbi Berisha, apo Partia Demokratike?”, ose “Fitoi Rama, apo Partia Socialiste?”. Kjo do të na çonte drejt tek analiza e raportit lider/Parti brenda dy partive kryesore shqiptare, çka nuk do të thotë se përgjigjja “Humbën të dy”, ose “Fituan të dy”, duhet të jetë automatikisht rrjedhore. Nga ana tjetër reflektimet për fajet kolektive e/o të personalizuara janë gjithnjë të mirëpritura në Shqipëri, për sa kohë është gjithnjë çlirues projeksioni jashtë vetes i përgjegjësisë, ose akuza ndaj një personi të vetëm. Në planin tjetër, edhe himnizimet ndaj një personi të vetëm për fitoren e arritur nuk janë më pak problematike.

Gjithsesi, ajo që u intereson të gjithë qytetarëve, përtej analizave politologjike, është nëse në zgjedhjet e fundit Shqipëria humbi apo fitoi. Por është ende shpejt për ta thënë. Loja sapo ka filluar.

 

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (26 qershor 2013)

Advertisements
%d bloggers like this: