CJAPI, DASHI, KOKA

The Scapegoat - William Holman Hunt

Në traditën e hebrenjve, ekzistonte ceremonia e “cjapit fajshlyes”, i cili përdorej gjatë riteve për faljen e mëkateve, çka shpjegohet qartë edhe në Bibël (libri Levitiku). Në shqip, koncepti i cjapit fajshlyes (en. scapegoat; fr. bouc émissaire, it. capo espiatorio), i cili pasi merrte mbi kokë të gjitha fajet e popullit rrëzohej nga shkëmbi, ka zënë vend nëpërmjet traditës myslimane, ndaj edhe thuhet zakonisht “dashi i kurbanit”, ose “kokë turku”. Në kuptimin figurativ, kemi të bëjmë me “kokë turku”, “dash kurbani”, “cjap fajshlyes”, kur dikujt i ngarkohen të gjitha përgjegjësitë për gabimet e të tjerëve, ose për ngjarjet negative, dhe si rrjedhim ndëshkohet pa të drejtë për pasojat.

Rruga e historisë shqiptare është e shtruar plot me koka turku. Mjafton t’u hedhim një sy viteve të totalitarizmit për të kuptuar se sa thellë ka hyrë mekanizmi i kokës së turkut në kulturën shqiptare. Natyrisht, shembuj gjenden edhe në vitet e pluralizmit. Të gjitha rastet, të mëdha ose të vogla qofshin, kanë të përbashkët faktin që gabimet e ndryshme, materiale ose morale, i atribuohen një njeriu ose një grupi njerëzish. Sipas antropologut francez René Girard, që i ka kushtuar studime të posaçme mekanizmit të cjapit fajshlyes, koka e turkut nuk është më shumë fajtor se cilido tjetër, pavarësisht se bashkësia e konsideron fajtor. Përgjegjësitë e gjithë të këqijave që kanë dëmtuar bashkësinë i faturohen personit që luan rolin e “dashit të kurbanit”. Therori bëhet i domosdoshëm për bashkësinë, në mënyrë që kjo të ruajë harmoninë brenda saj. Me fjalë të tjera, mbi gjakun e cjapit, të dashit, apo të kokës së turkut, themelohet paqja e pasardhësve.

Gjatë fjalimit të njohur të Sali Berishës, që bëri menjëherë pas zgjedhjes, lideri historik i PD-së mori mbi vete përgjegjësitë e humbjes së thellë të zgjedhjeve, duke dhënë dorëheqjen nga postet e Partisë Demokratike. Akti i Berishës u vlerësua nga shumë anë, si në rrafshin njerëzor, ashtu edhe në planin politik. Pavarësisht se Berisha e mori gjithë fajin për vete, duke dëshmuar padyshim karakter të fortë politik, ndoshta edhe realizëm, është vështirë të konsiderohet “kokë turku”, anipse disa elementë të mekanizmit të mësipërm nuk mungojnë. Dy ditë më pas, në mbledhjen e kryesisë, Berisha u shpreh se ishte kundër gjuetisë (së shtrigave) dhe se ishte kundër filozofisë së përhapur në popull të “kokës së turkut”, çka marrin pa dyshim vlerë në gojën e atij që mund të ishte koka më e madhe e turkut. Me sa duket, Berisha donte të thoshte se nuk ka ndër mend të ndërmarrë gjueti shtrigash, pra të fajësojë persona ose grupime të ndryshme, brenda ose jashtë partisë, për humbjen në zgjedhje.

Dorëheqja e Berishës mund të shihet nga disa këndvështrime, së fundmi edhe nga ajo politike, e nuk përjashtohet karakteri taktik i saj, por neve na intereson kryesisht nga pikëpamja e marrjes së përgjegjësive mbi vete. Që Berisha të kthehet në “kokë turku” nuk mjafton vetëflijimi, as vetëdeklarimi për përgjegjësitë, por qëndrimi i bashkësisë partiake ndaj tij.  Gjatë ditëve pas dorëheqjes, përjashto elozhet dhe kërkesat emotive që Berisha të mbetej lider i Partisë Demokratike, në radhët e kësaj mbizotëroi kryesisht heshtja. Nuk u dëgjuan zëra të pastër e të fortë që të flisnin për shembull për bashkëpërgjegjësi, për gabime, ose për faje të drejtuesve të tjerë të Partisë Demokratike. Si të thuash, mungoi dëshira për analizë të sinqertë të humbjes së qershorit, ose të paktën munguan shprehjet e autokritikës së njëmendtë. Heshtja e bashkësisë partiake, edhe pse në mënyrë të pazakontë, i jep dorëheqjes së Berishës trajtën rituale të cjapit fajshlyes, për sa kohë ajo nuk pranon të marrë mëkate mbi shpinën e vet.

Në këtë pikë mund të na ndihmonte vështrimi psikanalitik jungian, për të cilin mekanizmat e pavetëdijshëm të kokës së turkut lëvizin kur grupi njëjtësohet me viktimën e caktuar (ngaqë mbi këtë të fundit projektohet hija e grupit). Me fjalë të tjera, mund të thuhet se grupi çlirohet prej aspekteve negative duke ia transferuar viktimës (cjapit fajshlyes), e cila merr përsipër të gjitha ato karakteristika që grupi dëshiron t’i heqë qafe. Sipas gjasës, kemi të bëjmë me reagime ende të pavetëdijshme, ndoshta për faj të shock-ut nga i cili anëtarët e PD-së ende nuk e kanë marrë veten; pra nuk përjashtohet që heshtja të ketë arsye të tjera, por që lë shteg për interpretime më të thella.

Në universin cinik të politikës, fitorja konsiderohet e përbashkët, kurse humbja individuale, kryesisht e liderit. Ky ligj vepron edhe për hir të mbijetesës së grupit, që mund ta vijojë ekzistencën e vet përtej fatit të individit. Megjithatë, grupit i duhet analiza e sinqertë për të njohur caqet e veta, duke filluar nga mekanizimi i identifikimit me liderin. Nga ana tjetër, është fëmijënore të mendosh se i gjithë faji ishte i Berishës, pa harruar ata që mendojnë se votat e fituara në qershor, janë marrë vetëm falë kontributit të tij si lider. Domethënë që pesha elektorale e pjesës tjetër të partisë është relativisht e vogël, çka nuk shkon ndesh me profilin e PD-së si parti të personalizuar, që njëjtësohet me lidershipin e vet historik.

Sidoqoftë, tundimi i zgjidhjes nëpërmjet “kokës së turkut” është gjithnjë i fortë, edhe për arsye kohore, sepse me një dërgim të cjapit drejt humnerës, ose therjes së dashit në shesh, “falen” shumë mëkate. Zakonisht, në futboll, kriza e një skuadre zgjidhet me heqjen e trajnerit, që mund të jetë veprim i dobishëm, pjesërisht i pranueshëm, por që nuk e shëndosh situatën kritike; sidomos kur trajneri jep vetë dorëheqjen dhe kur në ekip mbeten anëtarë që nuk duan ta vënë veten në diskutim, as ta pyesin veten për përgjegjësitë përkatëse. Mirëpo të gjithë e dimë se kur mëkatet, ose fajet, janë të vërteta, e jo vetëm simbolike, atëherë e vetmja mënyrë për të shpëtuar është fillimisht pranimi e më pas korrigjimi i tyre. Por kjo kërkon sinqeritet e guxim, çka vlen sa për grupimet politike, aq edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (29 qershor 2013)

Advertisements
%d bloggers like this: