ABSTENIMI ZGJEDHOR

Herët a vonë në demokraci zgjedhjet hasin dukurinë e abstenimit, me fjalë të tjera mospjesëmarrjen në votim. Në Shqipëri ka plot qytetarë që abstenojnë e nuk shkojnë në qendrat e votimit. Para se të vlerësohet si zgjidhje, duhen analizuar arsyet që e shtyjnë individin për të shmangur të drejtën e votës.

Studimet politologjike i kanë skeduar tashmë të gjitha format e abstenimit elektoral. Mbetet vetëm të hulumtojmë karakteristikat e veçanta që shfaqen në shoqërinë shqiptare. Megjithëse pyetja kryesore që bëhet në kësi rastesh është nëse abstenimi ka të bëjë me apatinë apo me protestën, ka edhe lloje të tjera të shprehjes së tij.

I ashtuquajturi abstenim demografik lidhet me pamundësinë e qytetarëve për të shkuar në qendrat e votimit për arsye moshe, ose sëmundjesh të tjera penguese. Kjo dukuri u përket të gjitha vendeve, por në Shqipëri mund të rëndohet për arsye se mungojnë transportet e shërbimet specifike që mund të ofrohen në kësi rastesh. Qytetari i moshuar ose invalid e ka të vështirë të votojë, ndaj parapëlqen të abstenojë.

Në kategorinë e mësipërme nuk ka arsye politike që e shtyjnë individin të mos shprehet nëpërmjet votës. Kemi të bëjmë, si të thuash, me arsye teknike, sikurse ndodh në rastin kur vetë procesi i votës (listat, certifikatat, etj.) perceptohet si i ndërlikuar. Si rrjedhim, qytetari vendos t’i braktisë qendrat e votimit.

Pavarësisht se këto lloje abstenimi kanë karakter “fiziologjik”, nuk duhet harruar se janë gjithsesi të induktuara nga shkaqe të tjera, që shkojnë përtej dëshirës së mirëfilltë të qytetarit. Për shembull në qoftë se të moshuarit ose invalidët do ta kishin infrastrukturën e nevojshme dhe asistencën e duhur, një pjesë e tyre me siguri do ta merrte mundimin të votonte. E njëjta gjë mund të thuhet për ata që e shikojnë votën si barrë të rëndë. Në qoftë se emri nuk do të fluturonte pa kuptim nga një qendër tek tjetra, e nga një lagje tek tjetra, çdo katër vjet, ndoshta dëshira për të votuar do të ishte më e madhe. Ndoshta qytetari nuk abstenon për qëllime politike, por është vullneti politik ai që e shtyn në mënyrë indirekte të mos marrë pjesë në votime.

Le të kthehemi tek pyetja qendrore (shenjë apatie apo proteste?), e cila kërkon interpretim të sjelljes elektorale të qytetarit. Apatia zgjedhore verifikohet tek ata individë që nuk kanë kurrfarë interesi për politikën. Teorikisht, kjo kategori në Shqipëri duhet të jetë në rritje e sipër, meqë supozohet se interesi për politikën ka qenë maksimal pas rënies së regjimit totalitar. Që nga ai moment e tutje lakorja e apatisë normalisht duhet të tregojë vlera më të larta. Gjithsesi, politika është mjaft e pranishme në shoqërinë shqiptare, çka e shtyn këtë të shprehet gjatë votimeve.

Natyrisht, indiferenca ndaj politikës në përgjithësi dhe aktit të votimit, që është një nga mënyrat e pjesëmarrjes në jetën e komunitetit, sipas politologëve, varet nga shumë faktorë që lidhen me pozitën sociale, gjininë, punën, lidhjet me politikën, vendbanimin, etj. Gjithsesi, këta faktorë analizohen zakonisht pas zhvillimit të zgjedhjeve, ngaqë bashkë me fituesit e humbësit dalin edhe shifrat e abstenimit. Në Shqipëri abstenimi elektoral është i vështirë për t’u matur e për t’u studiuar, sepse në listat zgjedhore rezultojnë edhe emigrantët, të cilët në një pjesë të rasteve nuk votojnë jo sepse janë apatikë, por sepse e kanë të pamundur të kthehen në atdhe për të votuar.

Rritja e abstenimit i faturohet zakonisht mosbesimit të qytetarit ndaj politikës. Në qoftë se mosbesimi vjen për arsye individuale atëherë kemi një qëndrim apatik, por kur qytetari nuk voton sepse ka mbetur i zhgënjyer nga politika e deritanishme atëherë kemi të bëjmë me shenjat e para të protestës. Në fakt, dukuria e abstenimit elektoral si protestë, ndryshon kryekëput me apatinë. I pari është veprim i vetëdijshëm (nuk shkoj të votoj për inat), i dyti është indiferencë e plotë (nuk shkoj se nuk më intereson); qytetari i parë e di shumë mirë datën e votimit, i dyti nuk e ka idenë; i pari shkon në plazh si alternativë, i dyti shkon në plazh si zakonisht.

Si edhe në vende të tjera, në Shqipëri duhet të ketë patjetër abstenues për pamundësi përditësimi me politikën. Edhe pse ka mëse njëzet vjet që dy partitë kryesore nuk ndryshojnë emër, ofertat partiake janë të shumta. Si shembull mund të jepen formacionet e fundit politike shqiptare, ose kalimet rokamboleske nga një koalicion tek tjetri, që për njerëzit e painformuar nuk janë të thjeshta për t’u kuptuar.

Abstenimi si protestë është përdorimi i mosvotimit si votim. Njerëzit e zhgënjyer nga politika vendosin të mos votojnë, madje nuk joshen as nga opsioni montanelian i votimit duke zënë hundët. Shpeshherë e bëjnë me dëshirën për t’i dërguar një mesazh të fortë politikës. Sipas gjasës, edhe kjo kategori duhet të ketë një farë numri në Shqipëri. Nuk është e thënë që abstenuesit e nxehur e të dyzuar të mos kthehen më në qendrat e votimit. Mungesa e tyre mund të jetë e përkohshme.

Llojet e abstenimit të përshkruara më sipër mund të hasen çdo ditë në xheste si ngritje supesh, mbledhje buzësh, ose në fjali të thjeshta si: “Nuk e kam idenë”, “Jam plakë e nuk lëviz dot”, “Nuk e kisha emrin”,  “Kam punë”, “E ç’rëndësi ka vota ime?”, “Janë të gjithë njëlloj”, “Janë të gjithë mashtrues”, “Nuk di kë të votoj”, etj. Janë të gjitha të kuptueshme, të ligjshme, njerëzore.

Megjithatë, cilado qofshin format e abstenimit zgjedhor, cilado qofshin arsyet e abstenuesve, mosvajtja në votim është dështim i politikës dhe i qytetarisë. Pjesëmarrja në jetën e bashkësisë, përfshirë atë politike, më shumë se e drejtë është detyrë që duhet ushtruar nga çdo qytetar për të mirën e përbashkët.

Advertisements
%d bloggers like this: