ZBRITJE

Demografia në zonat rurale shqiptare po ndryshon me shpejtësi. Këto njëzet vitet e fundit kahu i migrimit të brendshëm ka respektuar modelet e përhershme të lëvizjes së njerëzve: nga zonat e pazhvilluara drejt zonave më të zhvilluara. Nga pikëpamja grafike kjo mund të përkthehet me shigjeta në hartë, që tregojnë kahet madhore të largimit, ose më saktë drejtimin nga zonat rurale drejt zonave urbane, nga zonat urbane periferike drejt kryeqytetit.

Lëvizja e popullsisë shqiptare nuk ka qenë e njëtrajtshme. Nga një anë kemi pasur emigrimin jashtë shtetit, që jo gjithnjë ka kaluar nga migrimi i brendshëm, nga ana tjetër lëvizjen e popullsisë nga vendet malore, që shpeshherë përfundon drejt kryeqytetit, pa ndalime të ndërmjetme. Përbën temë tjetër hulumtimi, por nuk duhet harruar se emigracioni i jashtëm është i lidhur ngushtë me të brendshmin, sepse ndërveprojnë e kushtëzohen midis tyre.

Sipas Instat shqiptar vëmë re një rënie të ndjeshme të popullsisë rurale. Besoj se për këtë rast të dhënave mund t’u besohet, të paktën përsa i përket tendencës demografike. Po t’i konsultojmë tabelat e popullsisë rurale del se në vitin 2001 atje jetonin 1.774.191 vetë. Në fillim të vitit 2013 rezultonin 1.264.985. Pra për dhjetë vjet kemi pasur një ulje prej gjysmë milioni banorësh në zonat rurale. Po në zonat urbane ç’ka ndodhur gjatë këtyre viteve? Në 2001 atje jetonin 1.293.549 vetë, kurse në fillim të 2013-s numri shkoi në 1.522.630. Rritja me rreth 230 mije vetë tregon gjithsesi qartë lëvizjen drejt qyteteve. Pra popullsia rurale zvogëlohet, kurse popullsia urbane rritet.

Të dhënat e Instat që iu referuam marrin parasysh vetëm dhjetë vitet e fundit. Po të shikohen statistikat e viteve nëntëdhjetë me siguri shifrat do të jenë dramatike, tamam prej eksodi: nga vendet rurale drejt qendrave urbane, ose jashtë shtetit.

Le t’i hedhim një sy të dhënave. Të marrim si shembull qarkun e Kukësit. Popullsia e përgjithshme më 2001-n ishte 111.018, nga të cilët 27.225 jetonin në zona urbane, kurse pjesa tjetër (83.793) jetonte në zona rurale. Dhjetë vjet më vonë situata, gjithnjë sipas Instat-it shqiptar, paraqitej kështu: popullsia e përgjithshme 83.276 vetë, në zonat urbane 28.376 banorë, kurse në zonat rurale 54.899. Përtej numrave të mërzitshëm, çfarë mund të vërejmë? Popullsia në qarkun e Kukësit ka pësuar rënie të përgjithshme, që në pamje të parë duket se ka ndodhur gjithkund, por në të vërtetë është verifikuar kryesisht në zonat rurale.

Nga Jugu po marrim si shembull qarkun e Korçës, pa ndonjë pretendim të veçantë krahasimor. Më 2001-n popullsia e përgjithshme ishte 265.284 persona, nga të cilët 96.927 jetonin në zona urbane, kurse 168.358 banonin në zona rurale. Po pas dhjetë vjetësh si paraqitej situata në qarkun e Korçës? Sipas Instat-it shqiptar, më 2013-n popullsia e përgjithshme ishte 216.429 vetë, në zonat urbane 84.002 banorë, kurse në zonat rurale 132.427.

Çfarë del nga ballafaqimi midis qarkut të Kukësit e atij të Korçës? Ngjasojnë natyrisht në disa pika si p.sh. në uljen e popullsisë së përgjithshme, ose rënien e popullsisë në zonat rurale; por ndryshojnë në popullsinë urbane. Ndërsa popullsia urbane në qarkun e Kukësit është rritur, edhe pse me shifra në pamje të parë modeste (rreth 4,2%), në qarkun e Korçës popullsia është ulur me masën rreth 13,3%. Lidhur me popullsinë rurale shohim se në Kukës është ulur me 34,5%, kurse në Korçë me 27%.

Është e vështirë të nxjerrësh përfundime me këto shifra, aq më shumë në kuadrin e mosbesimit të përgjithshëm ndaj rezultateve statistikore, mungesave të të dhënave dhe vështirësive metodologjike. Megjithatë, si prirje të padiskutueshme mund të shohim largimin e njerëzve nga zonat rurale drejt zonave urbane. Popullsia e këtyre të fundit nuk rritet kudo, ndoshta për shkak të emigracionit drejt vendeve të tjera, ose drejt kryeqytetit. Tani, meqë Shqipëria kishte përqindje të papërballueshme midis banorëve në qytet e në fshat, është afërmendsh se fshatarët do të kalonin në qytet, si kudo në botë. Porse, nuk duhet harruar, ekonomia e qytetit ka pësuar një ndryshim të thellë pas kalimit në sistemin e ri.

Mirëpo, këto zhvendosje biblike brenda e jashtë Shqipërisë kanë ndodhur pa politika konkrete përshoqëruese. E nuk flas për një qeveri apo një tjetër, për një kryetar bashkie apo një tjetër. Përshtypja është se lëvizjet demografike më shumë ndiqen se sa paraprihen, ose më shumë pësohen se sa shoqërohen me shërbime e masa të ndryshme. Ndërkohë, lëvizja duket fotokopje e asaj që ka ndodhur në vende të tjera gjatë periudhës së industrializimit, kur zonat urbane thithnin krahë pune nga zonat rurale, sepse fabrikat kishin nevojë të ngutshme për punëtorë; ose në vendet që kanë ndërruar sistem politik, duke lejuar lëvizjen e lirë të popullsisë. Në këtë drejtim, sidomos po të kemi parasysh dukurinë e mbipopullimit, migracioni mund të konsiderohet jo vetëm i natyrshëm, por edhe i nevojshëm.

Po në rastin e moszhvillimit, të krizës, ose të stanjacionit ekonomik, përballë lëvizjeve demografike spontane, duhet të rrimë duarkryq? Nëse është e vërtetë që në demokraci njeriu është i lirë të lëvizë sipas dëshirës, është e vërtetë vallë që nuk duhet t’i shoqërojmë lëvizjet demografike me politika që ta ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë si në vendet nga ku nisen migrantët, ashtu edhe në vendet e mbërritjes? Lëvizjet demografike lypin një sërë shërbimesh në favor të migrantëve, të ikurve ose të ardhurve. E kërkon, së pari, dinjiteti i tyre si njerëz. Sikurse e kërkon dinjiteti i atyre që jetojnë në vendet e mbërritjes dhe cilësia e jetës në bashkëjetesë.

Mirëpo çka thamë më sipër shërben vetëm si parathënie për një shqetësim që hë për hë nuk e ngacmon sa duhet opinionin publik shqiptar. E kam fjalën përshpopullimin. Ngaqë kryeqyteti shpeshherë na e monopolizon vëmendjen, ngaqë raporti midis banorëve në fshat me banorët në qytet ka qenë tradicionalisht i shpërpjestuar, ngaqë mungojnë sistematikisht të dhënat përkatëse, harrojmë se ka plot zona të Shqipërisë ku nuk ka dyndje, madje ato nuk shihen nga të rinjtë si vende ku mund ta ndërtojnë të ardhmen. Këtu duhet të përmendim patjetër çka nuk shihet nga të dhënat e mësipërme: zonat malore. Nëse popullsia rurale është ulur në përgjithësi, siç e vërtetuam me shifra, jam i sigurtë se ajo malore ka rënë në mënyrë katastrofike. E në rast se prirja do të vijojë e tillë, të njëjtin cilësor do të përdorim për pasojat socioekonomike.

Nga ana tjetër popullsia shqiptare nuk është e imunizuar nga plakja. Emigracioni i lartë dhe rënia e vazhdueshme e lindjeve të çon drejt asaj rruge. Mosha mesatare ka filluar të rritet. Mos janë vallë rrudhat e para të shoqërisë shqiptare?

Advertisements
%d bloggers like this: