SPIUNËT VIRTUALË

Lajmi që u dha nga gazeta britanike Guardian për kontrollin e ushtruar nga Agjensia amerikane e Sigurisë Kombëtare ndaj telefonatave të qytetarëve vuri edhe një herë në plan të parë çështjen e të dhënave personale. Debatet u ndezën jo vetëm në SHBA por edhe në vende të tjera, për të dëshmuar edhe një herë se tema e privatësisë mbetet ende nerv i zbuluar i shoqërisë moderne. Lajmi u dha edhe në Shqipëri, por nuk pati ndonjë debat të veçantë për mbrojtjen e informacionit me karakter personal. Ndoshta shqiptarët e ndjejnë veten të sigurtë nga kjo pikëpamje, ose thjesht ngaqë janë tashmë në fushatë elektorale, e nuk u bie ndër mend për spiunët modernë.

Në botën e sotme moderne, përfshirë Shqipërinë, privatësia është koncept abstrakt. Të dhënat tona personale, në epokën e internetit e të celularit, gjenden kudo. Praktikisht jeta jonë mund të rindërtohet duke ndjekur gjurmët tona elektronike, të cilat janë të shumta e, për fat të keq, tejet të sakta.

Në Shqipëri, si kudo në botë, jeta private mund të zbulohet fare mirë duke e ndjekur personin teknologjikisht. Jemi të rrethuar aq shumë nga transitorë, telekamera e antena saqë nuk kemi më sekrete. Po të duan e dinë fare mirë kur zgjohesh, ngaqë përgjigjesh në telefonin e shtëpisë, ose ndez celularin; ta kontrollojnë itinerarin duke ndjekur antenat e celularit tënd, sipas rrugës që bën deri në punë ose tek e dashura; t’i dinë shijet duke lexuar shpenzimet e kartës së kreditit, nga restoranti tek kinemaja; ta njohin shoqërinë nëpërmjetFacebook-ut, madje edhe ata që i lë jashtë rrjetit tënd; t’i njohin idetë duke kontrolluar postën elektronike, ndoshta edhe faqet që viziton; t’i shikojnë lëvizjet me anë të telekamerave të gjithgjendshme në rrugë e dyqane; madje t’i njohin lëvizjet para se të lëvizësh, sepse ke parë rrugën paraprakisht me shërbimin “harta”; ta ndjekin automjetin nëpërmjet navigatorit satelitor…

Praktikisht je prej qelqi. Meqë zakonisht nuk kemi asgjë për të fshehur, nuk ia vëmë shumë veshin kësaj pune. Gjithsesi, ideja se je gjithë kohës i vëzhguar nuk është e këndshme. Për cilindo. Pavarësisht nga kjo, nuk hezitojmë të marrim para në Atm, nuk rrimë pa lundruar në internet, nuk tërhiqemi nga cicërimat e përditshme, nuk harrojmë të dërgojmë sms.

Këto njëzet vitet e fundit kanë lulëzuar kudo në botë legjislacione gjithnjë e më të avancuara për mbrojtjen e të dhënave personale. Në Shqipëri ekziston edheKomisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përveç akteve të shumta legjislative, nga ligjet e Kuvendit e vendimet e Këshillit të Ministrave deri tek udhëzimet e posaçme të Komisionerit.

Po kush mund të na kontrollojë? Kush mund t’i ndjekë gjurmët tona elektronike? Mendja të shkon menjëherë tëk pushteti politik, sidomos ne shqiptarëve që kemi vuajtur drejtpërdrejt nga kontrolli i rreptë totalitar. Megjithatë, e njëjta gjë ndodh edhe në Perëndim, ku harlisen gjithfarë teorish konspirative edhe për gjëra më pak domethënëse. Imagjinari kolektiv është mbufatur gjithashtu nga romanet e filmat e panumërt që flasin për agjentura të frikshme, satelitë symëdhenj vigjilentë, regjistratorë të palodhshëm, politikanë me ambicie gllabëruese, aparatura spiunazhi të papara, chip nën lëkurë… E ndoshta realiteti ia kalon artit. Pastaj, nga spiunazhi kemi kaluar në kundërspiunazh, për të mbërritur në metaspiunazh, ose forma kontrolli për të kundërshtuar kontrollin, si p.sh. dukuria Wikileaks.

Po ndaj kontrollit tregtar, p.sh. të shumëkombësheve, çfarë qëndrimi mbajmë? Për skizofreninë midis reagimit ndaj kontrollit eventual politik dhe atij tregtar flet edhe gazetari Gigio Rancilio, në editorialin e vet “Të gjithë ata që na përgjojnë”, ku shqetësohet për faktin se kontrolli mund të ushtrohet më shumë ndaj nesh si blerës potencialë se sa si kriminelë. Pyetja e tij në fund të shkrimit nuk duket aq retorike: “Përse kemi kaq frikë nga përgjuesit qeveritarë, ndërsa dorëzohemi buzagaz përballë atyre tregtarë?”.

Përgjigjja mund të gjendet në mekanizmat e psikikës sonë, natyrisht duke dënuar çdo përgjim të paligjshëm e të pajustifikueshëm. Siç e dimë fare mirë ne shqiptarët, pas pushtetit politik, teorikisht mund të fshihen plane kontrolli që mund të çojnë në imponim e dhunë fizike. Kjo ka një aspekt tejet konkret, të kufizimit të lirisë, që në lëmin e tregtisë nuk perceptohet si e tillë. Tek e fundit, në qoftë se na profilizojnë si blerës librash ose filmash, duke regjistruar të gjithë titujt e dhjetë viteve të fundit, nuk e ndjejmë veten të rrezikuar, e tolerojmë si akt, sepse na duket se nuk kushtëzohemi në lirinë tonë të zgjedhjes. Për këtë arsye firmosim çdo shërbim falas në internet, i themi “Yes” me një klikim të shpejtë, pa ia lexuar kontratën; porse shërbimi falas nuk është, për sa kohë ne i japim leje shërbyesit që ta paguajmë duke ia parë reklamat, ose duke i ushqyer serverët e uritur me biskotat (cookies) tona informative. Në fakt, reklamat po bëhen gjithnjë e më të personalizuara, çka do të thotë se informacionet që mbledhin për ne janë gjithnjë e më të hollësishme. Frika përfundimtare është se mos na edukojnë gradualisht si konsumatorë idealë për të na çuar natyrshëm drejt zgjedhjes së “lirë”.

Sidoqoftë, prisja e do të desha që shqiptarët të ishin më të ndjeshëm për këto tema, të debatonin gjatë rreth tyre, meqë kanë vuajtur më shumë se të tjerët nga mungesa e lirisë dhe meqë kjo nuk ushtrohet vetëm falë rafteve të supermarketit ose tastierës së kompjuterit.

Advertisements
%d bloggers like this: