TEMPERATURA E VESHIT

Termometri i veshitKush ka fëmijë, e di që është e vështirë t’ua masësh temperaturën nën sqetull kur janë të vegjël. Për këtë arsye kanë shpikur termometrin që vendoset në vesh. Këtë pamje përfytyrova kur mësova për “veshshkuljen”, ose “tërheqjen e veshit”, siç është përmendur në media, ose më saktë incidentin e ndodhur në Vjenë, në Akademinë Diplomatike, midis diplomatit Egin Ceka dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Në këtë rast nuk po vihem në pozitën e gjykatësit, edhe pse si qytetar e kam mendimin tim për çka ndodhi, por po mundohem të arsyetoj për domethënien e incidentit të lartcituar. Le ta themi që në fillim se “termometri i veshit” shënoi temperaturë të lartë. Ajo që ndodhi në Vjenë, anipse e minimizuar nga një anë dhe e amplifikuar nga tjetra, ishte akt tejet shqetësues, jo vetëm nga pikëpamja morale, por edhe shoqërore e politike.

Temperatura është e lartë për shumë arsye. E para ka lidhje me fushatën elektorale, meqë zgjedhjet janë në prag të derës. Sipas gjasës, ky incident nuk do të kishte ndodhur para dy-tre vjetësh. Tani gjakrat janë të nxehta, nervat e tendosur, mendjet e xhindosura. Nuk ka nevojë për profetë për të ditur se temperatura sa do të vijë e do të ngrihet më shumë, me afrimin e datës së zgjedhjeve. Tek e fundit ndodh në çdo vend të botës.

Cilado qoftë dinamika e ngjarjes në Vjenë, cilido qoftë niveli i përplasjes, vetë kalimi nga akti verbal në akt fizik dëshmon se diçka ka degjeneruar. Në rastin më të mirë kemi keqkuptim, në rastin më të keq dhunë. Këtu interpretimet partiake e personale mund të thonë ç’të duan. Ajo që nuk mund të mohohet është moskomunikimi, ose më mirë gjendja e pakomunikueshmërisë (en. incommunicability, it. incomunicabilità). Nuk është e vështirë të kuptosh se dy personat e implikuar kanë pasur vështirësi komunikimi mes tyre; dialogu i tentuar praktikisht ka dështuar, për të degjeneruar më pas në ballafaqim të ashpër.

A mund të konsiderohet incidenti i Vjenës në rrafshin simbolik, si rast domethënës për të përshenjuar situatën e pakomunikueshmërisë midis përfaqësuesve të politikës, shtetit e qytetarëve shqiptarë? Mund të ketë raste edhe më flagrante, por ky gëzoi jehonë mediatike të paparë, e midis të tjerash pësoi një instrumentalizim të jashtëzakonshëm nga palët në ring. Pavarësisht nga rasti në fjalë, fakti është se politika nuk arrin të flasë me përfaqësues të shtetit të vet, nuk arrin të gjejë emërues të përbashkët për tema madhore, nuk arrin të dialogojë me qetësi pavarësisht nga mendimet e ndryshme. Skena e përfytyruar mund të kishte dalë nga filmi Crash (Paul Haggis, 2004), ku kontakti njerëzor, aq normal e i domosdoshëm, përfundon në përplasje, sepse njerëzit janë çmësuar të komunikojnë normalisht, por janë mbyllur në siguritë e vetminë e tyre.

Ky rast me siguri do të shfryhet e do të “harrohet”, siç ndodh shpesh për raste të ngjashme, por thelbi i tij do të zhvendoset në deklarata shtypi, zënka në parlament, tubime agresive, akuza, sharje, hakërrime. Është një sistem i tërë që nuk po komunikon dot brenda tij, ndërkohë që aktorët nuk janë jashtë, por brenda tij, e objektivat duhet të ishin pak a shumë të ngjashme për të gjithë. Të njëjtën pakomunikueshmëri e përjetuan dhe e riprodhuan mediat shqiptare, të cilat dhanë versione nga më të ndryshmet për ngjarjen në Vjenë. Kjo tregoi edhe një herë se mediat, pjesë e sistemit, dështuan në misionin e tyre qëndror, informimin e publikut, se nuk ia kanë lënë fëmijërisë lojën e telefonit të prishur, çka lidhet në një farë mënyre me parakushtet e shurdhmemecërisë reciproke që po na rrezikojnë të gjithëve.

Emëruesi i përbashkët në komunikim nuk është luks për palët politike, sociale, shtetin dhe institucionet, por tashmë përbën domosdoshmëri të vërtetë për shoqërinë shqiptare. Përplasja frontale që po ndodh në Shqipëri, sidomos në periudhë elektorale, nuk duhet t’i hedhë në erë urat natyrale që ekzistojnë midis palëve. Nuk bëj absolutisht parashikime, por rasti i Italisë tregoi se ata që u ballafaquan si armiq në fushatë elektorale, në pamundësi të opsioneve të tjera, u detyruan më pas të bashkëpunonin për krijimin e qeverisë, për hir të krizës së rëndë ekonomike dhe problemeve të tjera. Një derë duhet lënë gjithmonë hapur, por jo në mënyrë instrumentale, por të sinqertë, për të punuar së bashku për të mirën e vendit.

Shpresojmë pra, që “temperatura e veshit” të ketë qenë një virozë e lehtë dhe e kalueshme në pak ditë.

Advertisements
%d bloggers like this: