TRIUMFI I KOMENTIT

komenti boshGjithshka filloi me stigmatizimin që iu bënë komenteve në disa faqe të njohura në internet. Komentet kanë cilësi të dobët, janë vulgare, agresive, muhabetprishëse, e akuza të tilla spekulative. Rrjetet sociale filluan me tam-tam-in virtual dhe bënë të mundur takimin e parë të komentuesve, në një faqe të vjetër tiranase, me ngjyrë të gjelbër e të thjeshtë. Ishin vetëm 8, aq sa bit ka byte, por komentues me përvojë e me prejardhje nga familje me tradita.

Mbledhja e parë e petritëve komentues vendosi tubimin e parë virtual, që u zhvillua në faqen e mirënjohur “Komenti i komenteve”. Morën pjesë me qindra mijëra vetë, ndërkohë që vizitat kapën shifra edhe më marramendëse. Parullat që u hodhën ishin nga më të ndryshmet: “Kush të do, të komenton”, “Komentin e sotëm mos e lër për nesër”, “Komenti i rëndë në vend të vet”, “Komenti mbi të gjitha”, “Pa koment nuk ka diskutim”, “Komenti detyrë mbi detyrat”, “Komentues të të gjithë botës komentoni”, “Komento komento se diçka mbetet”, “Më thuaj cilin shkrim komenton të të them cili je”, “T’i bëjmë komentet si e gjithë Europa”, “Me komente të pastra”, “Aleanca e Komenteve do të fitojë”, “T’i bashkojmë komentet në një të vetëm”, “Komente pa viza”, e kështu me radhë.

Partia e Komenteve u formua ditën kur u hap edhe faqja e parë zyrtare në rrjetin social Comment Book. Kryetar i Partisë u zgjodh komentuesi me pseudonimin “Komentatori”, i cili e kishte filluar veprimtarinë që pa lindur interneti. Në fakt, e kishte për zakon të bridhte nga muzeu në muze, nga funerali në funeral, nga përvjetori në përvjetor, vetëm e vetëm që të shkruante diçka në librin e përshtypjeve. I paharrueshëm komenti i parë ilegal, shkruar me penel në banjën publike të fshatit. Rilindi përnjimend kur faqet e internetit u pajisën me aplikacionin e komentit. Që nga ai moment nuk reshti së komentuari: shkrimet, komentet dhe komentet e komenteve. Çdo gjë të komentueshme ai e komenton edhe sot, çka e shpjegon më së miri me pasionin civil që e shoqëron nga koha e adoleshencës.

Programi i Partisë së Komenteve u paraqit ambicioz që të fillim, sidomos ngaqë citonte Deklaratën universale për të drejtat e njeriut e veçanërisht nenin 19, atë që ka të bëjë me të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Sipas Partisë, ky nen pararendte profetikisht suksesin e komenteve, meqë thotë: “Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informacionit dhe ideve me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë”. Praktikisht në këtë nen flitet për internetin, që është pikërisht pa kufi, ku mund të flasësh pa ndërhyrje, mund të kërkosh me motor kërkimi e mund t’i mbysësh të tjerët me mesazhe gjithfarëlloji.

Si çdo lëvizje popullore, edhe ajo e Komenteve  e gjeti menjëherë filozofin e saj tek emri i njohur Kumt Haberi, sipas të cilit komenti është sinonim i arsyetimit, si rrjedhojë njeriu nuk mund të qëndrojë jashtë tij, sepse humb fatalisht thelbin e vet ekzistencial (Komentoj, ergo sum). Në librin e tij të famshëm “Në fillim ishte Komenti”, ai e lidh Komentin me Biblën ku komentet nuk mungojnë, madje përbëjnë pjesën më të rëndësishme të saj. Prof. Haberi arriti të teorizojë se komenti qëndron para shkrimit, sikurse krijimtaria para realitetit, në kuptimin që autori kur shkruan diçka e komenton me vete idenë që dëshiron të shprehë; madje komenti e pasuron edhe më tej, duke e blinduar argumentin nëpërmjet një dialogu të brendshëm tek mendja e autorit. Pra çka lexojmë, ta zëmë një artikull në internet, nuk është gjë tjetër veçse një distilat i komenteve të mëparshme në rastin më të mirë, e një surrogat i tyre në rastin më të keq. Sidoqoftë, komentet komentuese vetëm sa rimarrin fillin origjinal të mendimit, duke e relativizuar atë që gabimisht konsiderohet si shkrim “kryesor”.

Zgjedhjet e përgjithshme u fituan falë taktikës guerrilase të komenteve, që i prishën diskutimet programatike nëpër internet e gjetiu, por edhe falë sloganeve të gjetura si: “Koha për komente”, “Vazhdojmë së bashku me komente”, “Ne jemi komenti”, “Të ecim përpara me komente”, “Pa komente nuk je askush”, “Ti je komenti”, “Jo komente pa pagesë”, e të tjera si këto. Rëndësi pati edhe strategjia e fushatës elektorale. Ekspertët e ardhur nga jashtë, të gjithë të diplomuar e të masterizuar në “Komentologji”, bënë fillimisht profilizimin e komentuesve, për t’i sensibilizuar nëpërmjet fushatës pothuajse të personalizuar. Siç tregonin edhe sondazhet paraprake, qytetarët votuan me shumicë.

Qeveria që doli nga zgjedhjet u paraqit me gjithë mend si risi e jashtëzakonshme. Ministria e Komenteve iu besua komentuesit më të mirë të blogjeve, që arriti të shkruante më 29 shkurt, 365 komente në 12 faqe interneti të ndryshme në katër gjuhë indoeuropiane. Alkimia e këtyre numrave nuk u kuptua asnjëherë, por Ministri i ri bëri bujë kur me aktin e tij të parë abrogoi togfjalëshin “No comment”, si të padëshirueshëm në komunikimin publik shqiptar. Kjo u shpjegua edhe me idenë e transparencës dhe të domosdoshmërisë për t’u ulur e komunikuar kompjuter më kompjuter me popullin. Kryetarja e Parlamentit, para se të propozonte projekt-ligjin për adoptimin e gjithanshëm të pseudonimit të paidentifikueshëm, akuzoi ashpër “armiqtë e komentit të lirë” dhe duke iu drejtuar edhe shkrimtarëve u shpreh: “Nuk ka rëndësi emri, as shkrimi, por përmbajtja e komentit. Jemi ne komentuesit pa jeni edhe ju; pa ne ju nuk ekzistoni”.

Fjalimin e parë të Kryeministrit, gjithnjë në trajtë komenti, e dëgjuan edhe përfaqësuesit e opozitës: Partia e Moderatorëve. Asnjë nga të tre nuk duartrokiti.

Advertisements
%d bloggers like this: