AVENTURAT E TEKSTIT ONLINE

makine shkrimiHapësira virtuale shqiptare po rritet gjithnjë e më shumë. Interneti në shqip, por edhe komunikimi nëpërmjet mjeteve elektronike, edhe pse jo në mënyrë organike e lineare, po i zgjeron dita ditës kufijtë e vet. Kjo rritje nuk mund të konsiderohet ende zhvillim i mirëfilltë, megjithatë duhet pranuar se tekstet në shqip janë shtuar si nga ana sasiore ashtu edhe nga ana cilësore. Mirëpo, disa fusha e lugina të hapësirës së internetit shqiptar i ngjasojnë përnjimend far west-it të dikurshëm, po të kemi parasysh trajtimin që i bëhet tekstit.

Kush e përdor rregullisht internetin e di fare mirë se teksti në këtë univers kushtëzohet nga ligje të tjera gravitacionale. Përdoruesit e uebit, gjithashtu, e kanë vënë re se tekstet emigrojnë nga një faqe në tjetrën pa u lodhur fare, në kohë reale, praktikisht me disa lëvizje të vogla të miut të kompjuterit, ose të tasteve të famshme ctrl+c e pastaj ctrl+v. Paralajmërojmë se në këtë rast na intereson ekskluzivisht çka i ndodh tekstit të zhvendosur diku tjetër e jo çështja e të drejtave të autorit, që natyrisht kërkon përqasje tjetër.

Blogu Peizazhe të fjalës konsiderohet prej kohësh si minierë në qiell të hapur, nga ku merren, pa kurrfarë gërmimi në galeri, tekste të tëra, për t’i ripërdorur në vende të tjera. Aktin e ekskavatorit po e konsiderojmë të pranueshëm, sidomos në ato raste kur leja e autorëve është implicite ose e hapur. Mirëpo kjo bartje tekstuale verifikohet pa asnjë telash, apo rrugës ngatërrohen kuptime, vlera, e copëza të tjera, sikundër ndodh rëndom kur ndërrojmë shtëpi?

Le të kujtojmë që në fillim se teksti dixhital nuk është aspak si teksti në letër. Pa përmendur studimet e shumta në këtë fushë dhe tiparet e tekstit dixhital, si p.sh. përfaqësimi numerik, formati, modulariteti, etj. mund të thuhet së pari se ai e ka humbur përfundimisht karakteristikën e vet si objekt material. Një libër i krijuar në shtypshkronjë nuk ka shumë lidhje me atë në internet, anipse ka programe e formate të tilla (si Adobe Acrobat e Pdf) që përpiqen ta riprodhojnë përafërsisht.

Nga ana tjetër, një nga tiparet më të rëndësishme të tekstit në internet është ndryshueshmëria. Ky tipar amplifikohet në disa agorà virtuale specifike (p.sh në blogje, forume) ku teksti krijohet posaçërisht për t’u pasuruar me prurje të tjera, madje shpeshherë konceptohet nga autori si tharm i diskutimit të mëpasshëm. Vetë komentet e ndryshojnë shkrimin kryesor, duke e nxitur autorin jo vetëm t’u përgjigjet, por edhe të shtojë mendime të tjera, praktikisht duke e rikonfiguruar shkrimin fillestar. Domethënëse janë rastet e rralla kur autori, për një arsye ose një tjetër, e korrigjon shkrimin me ndihmën e komentuesve, çka vërteton haptazi karakterin provizor të tekstit në rrjet. Në fakt, përditësueshmëria është një karakteristikë tjetër e tekstit dixhital. Umberto Eco na kujton se puna e filologëve të dikurshëm nuk mund të bëhet sot, kur autori i një libri e bën, zhbën dhe e ribën tekstin në kompjuter, praktikisht duke ripunuar me dhjetëra “kopje fantazma” të veprës së vet.

Më konkretisht: çfarë vërejmë kur një shkrim dalë fillimisht në internet merret e botohet në letër  (gazetë, revistë, dispensa, etj.)? Në raste të skajshme e mënyrë hiperbolike mund ta quanim “dhunë tekstuale”, për sa kohë zgjedhja konsiderohet e imponuar, e pamenduar dhe problematike; kjo dhunë ushtrohet në radhë të parë kundër autorit, së dyti kundër lexuesit e së fundi kundër tekstit vetë. Çdo autor e di fare mirë se mediumi ka rëndësi parësore, aq më tepër në një shoqëri të kumtimit masiv ku vetë mediumi shndërrohet në mesazh. Kur autori ftohet të shkruajë diçka për gazetën, ai para se të marrë kartë dhe penë, ose tastierë dhe ekran, do të përfytyrojë lexuesin model të artikullit të tij. Përveç kësaj, nuk duhen harruar “rregullat” editoriale që vijnë nga lart (kryeredaktori) si gjatësia e shkrimit, stili, arsyeja e botimit, e kështu me radhë.

Është e qartë se transplantimi nga hapësira e internetit tek ajo e letrës, detyrimisht e shpërfytyron qëllimin e autorit (por edhe të tekstit), i cili e kishte konceptuar për një lexues tjetër krijesën e vet. Shembuj mund të jepen nga shumë blogje, duke filluar nga Peizazhe të fjalës, ku autori ndonjëherë “e lëshon dorën”, sepse ndihet në një mjedis intim, në bashkëbisedim të lirë, pa formalizmin e hapësirës tradicionale, e nuk e pret që teksti i tij të katapultohet në logje të tjera, ku me të drejtë kërkohen adete të ndryshme. Ndryshimet e çrrënjosjes së tekstit nga një habitat në tjetrin vihen re edhe në kah të kundërt, kur p.sh. botohen në blog shkrime që e kanë parë dritën në gazeta ose në revista të specializuara: stonimi dallohet pa vështirësi.

Në qoftë se teksti përbën fushën ku luajnë autori e lexuesi bashkë, në një lojë të ndërlikuar negocimi të kuptimit, atëherë nuk është e vështirë të kuptohet se çdo ndërrim i rregullave, përfshirë kompetencat e supozuara të lexuesit, e pështjellon disi situatën. Jo gjithnjë paraqiten raste dramatike, por shpeshherë pakti komunikues midis aktorëve që i japin kuptim tekstit, që në një farë mënyrë është vetë fushë e minuar, hidhet në erë pikërisht nga zhvendosje të pakujdesshme. Kufijtë kohorë e hapësinorë të internetit janë krejtësisht të ndryshëm me kufijtë e universit të Gutenbergut. Në qoftë se një shkrim merret disa muaj më vonë nga një blog dhe botohet në gazetë, në rastin më të mirë mund të presim të papritura, natyrisht jo gjithnjë të pakëndshme.

Sipas vendit bëhet edhe kuvendi, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Tani, në qoftë se një shkrim kundër kombëtarizmit folkloristik botuar në një log ku kultivohen prej kohësh ide të tilla, hidhet si copë mishi në një forum superkombëtarist, ku tema përbën tabu, është afërmendsh që luanët kuqezinj do ta shqyejnë pa mëshirë, fillimisht tekstin, pastaj autorin. Ose e kundërta. Pa hyrë në detaje të tjera, mund të themi se qëllimi i autorit në këtë rast u tradhtua, meqë kur e shkroi pjesën e akuzuar ai pati në mendje tjetër lexues, përndryshe do ta kishte formuluar krejtësisht ndryshe mendimin e tij. Pra zhvendosja e pakujdesshme e tekstit krijon probleme edhe brenda hapësirës virtuale. Teksti dixhital njihet për nomadizmin e tij, që e ka të stampuar në adn-në e vet, por kjo lëvizshmëri bëhet problematike kur realizohet pa takt ose kur teksti deportohet me forcë.

Kam parë shkrime të Xha Xhait që e vazhdojnë jetën gjetiu, në site të tjera interneti, si në ato tregimet fantashkencore ku jeta vijon në përmasa të tjera hapësinore. Jo gjithnjë ndryshimi i formatit mund t’i krijojë shqetësime tekstit, por ka edhe elemente të vogla që ia prishin ekuilibrin kuptimor tekstit fillestar. Duke filluar nga përkthimi i pseudonimit në emër të përveçëm, që nuk është aq i pafajshëm kur mbetet klandestin si veprim. Ka raste që kur autori firmoset me pseudonim dhe vendoset emri i tij, nuk verifikohet asnjë ndërlikim, por ka raste të tjera kur autori, për arsye të ndryshme, dëshiron t’i mbajë të ndara gjërat. Pavarësisht nga kjo, po thoja se kam parë artikuj të Xha Xhait që komentohen egërsisht, ose për mirë, në vende ku janë syrgjynosur pa dëshirën e autorit. Ndodh në internet që jeta e re pas shpërnguljes të bëhet pa dijeninë e autorit, i cili nuk mund ta ndjekë krijesën së vet as për kureshtje. Po të krahasoheshin, edhe nga pikëpamja filologjike, jeta e shkrimit në dy forume të ndryshme do të shikohej pa vështirësi se ata janë përnjimend binjakë, por secili me veçoritë e veta. I pari mund të jetë pasuruar pak nga komentuesit e shumë nga autori, që mund ta ketë retushuar në disa pika e shtuar në të tjera; i dyti mund të ketë mbetur në fazën fillestare i bllokuar nga trysnia e komenteve të shumta pa dialog. I njëjti shkrim me dy fate të ndryshme. “Sliding doors” të tekstit.

Në fakt, vepra i ngjason disi adoleshentit, që pasi e ndjen veten të rritur, në moshë madhore, largohet nga prindi e fluturon i pavarur drejt horizonteve të reja. Edhe në epokën e letrës, “jeta private” e veprës mbetej pjesërisht ose tërësisht e panjohur nga ana e autorit. Mirëpo autori ia njihte të paktën kontekstin dhe formën, që në një farë mënyre ishin më të ngurta e të standardizuara. Porse siç e shpjeguam më lart, mjedisi ku mbijnë shkrimet e sotme është tërësisht i ndryshëm nga ai i mëparshmi. Kjo s’do të thotë se shkrimet nuk duhen marrë e ribotuar, por që gjatë transportit i duhet vënë etiketa “Fragile“. Rastet më flagrante mbeten ato kur autorët praktikisht “rrëfehen” përballë grupit të lexuesve, ose kur blogu vetë shndërrohet në një hapësirë komunikimi mes autorëve të tij. Shkrimi i ribotuar rrezikon ta humbasë përmasën e vet dialogjike, por edhe cilësi të tjera, ngaqë rimbjellja nuk i respekton kushtet stacionare të parashikuara. Nuk mohohet se ky proces mund të shihet edhe pozitivisht, për sa kohë do të ketë toka virtuale ku vepra zë mirë e vegjeton vrullshëm.

tastiera-miuKalimi nga një vend në tjetrin, por gjithnjë brenda rrjetit, nuk është aq traumatik për tekstin. Megjithatë, problemet lindin për faktin se teksti dixhital është pjellë e botës së multimediave. Hiperteksti që qarkullon në internet mund të pajiset me lidhje (link), në trajtë citimi ose sugjerimi për lexime të tjera, me imazhe, tinguj, skedarë, emotikone, video, reklama të lëvizshme, etj. Ndodh që shkrimi të ribotohet në një sit tjetër interneti, që ia ndryshon ta zëmë imazhet ilustruese. Nuk duhet të jesh semiolog për të kuptuar se kemi të bëjmë pothuajse me një artikull tjetër, për sa kohë imazhet ndërveprojnë aktivisht me lexuesin në interpretimin e tekstit që ka përballë syve. Kjo vlen edhe kur ndërrohen titujt, nëntitujt, ngjyrat, e çdo element tjetër të aparatit paratekstual.

Në shkrimin “Nga realizmi në porn”, duke iu referuar filmit të Viktor Gjikës “Nëntori i Dytë”, autori pyeste se me ç’të drejtë i retushojmë produktet kinematografike të së kaluarës. Pyetja është legjitime po aq sa edhe shqetësimi se mos nëpërmjet restaurimit ndërhyhet në mekanizmat semantikë të produktit artistik. Jo gjithnjë zelli i tepërt çon në rezultate pozitive. Mjaft të kujtojmë filmat e prodhuar bardhë e zi, që riprodhohen me ngjyra, praktikisht duke i hedhur publikut një vepër krejt të re. Jo vetëm regjisori Viktor Gjika mund të mos e miratonte këtë ndërhyrje “me takë të ngritur”, por edhe vetë publiku që e rishikon filmin mund të mos e pranojë, duke pasur parasysh se loja kromatike në film ka anën e vet simbolike, ndaj edhe ndezja e ngjyrave mund të ndezë kuptime të tjera. Meqë edhe filmi është një lloj teksti, është njëlloj sikur shkrimin “Nga realizmi në porn” ta ribotonim diku tjetër duke i vënë si imazh ilustrues disa kukulla të zbehta. Autori nuk do të na e dinte për nder, përderisa përzgjedhja e kukullave me ngjyra të ndezura nuk është e rastit, ndaj si e tillë duhet respektuar.

Dekontekstualizmi që pëson teksti duke kaluar nga një vend në tjetrin krijon probleme të shumëfishta. Siç dihet, autori ka strategjinë e vet tekstuale ku bëjnë pjesë edhe artifice të vogla për ta drejtuar lexuesin në labirintin kuptimor. Busulla që i ofron autori lexuesit mund të shfaqet me të famshmen “Na ishte një herë…”, por edhe me escamotage të tjera. Shembulli i sapodhënë përmendet zakonisht nga kritikët letrarë për të treguar se si autori e përgatit lexuesin duke i thënë praktikisht: “Po fillojmë të rrëfejmë një përrallë”. Lexuesi e kupton se, nga ai çast e tutje, duhet të presë diçka të ndryshme nga komedia ose romani. Në internet, ka raste që shkrimet përmbajnë togfjalësha të tilla: “Lexuesit e këtij blogu e dinë fare mirë…”, çka do të thotë se autori i drejtohet me vetëdije një lexuesi të caktuar. Kur shkrimi spostohet nga siti/blogu X tek siti/blogu Y, qoftë edhe me të njëjtin kostum grafik, kuptohet që diçka  nuk shkon përderisa lexuesit e sitit/blogut Y mund mos ta dinë hiç mirë se si është puna.

Ndonjë shembull mund të na e bëjë më të qartë temën. Ka qëlluar që nga Peizazhe të fjalës të merren shkrime nga rubrika “Humorr” dhe të botohen si në gazeta ashtu edhe në faqe të tjera në rrjet. Kush e riboton artikullin, sigurisht e di që vendosja fillestare e shkrimit tek rubrika “Humorr” nuk është aspak veprim asnjanës. Deklarata që autori i bën lexuesit, para se të ulen përballë njëri tjetrit në tekst, është kjo: “Teksti që po lexon i përket humorit, mos e merr seriozisht”. Natyrisht, karakteri humoristik i shkrimit do të shtjellohet edhe nëpërmjet stilit e kuptimit, por jo gjithnjë këto janë të mjaftueshme për lexuesin. E njëjta gjë mund të thuhet për agjensinë e dikurshme Obobo News, e cila e ka të shkruar në ballë, nëpërmjet emrit, identitetin e vet komik. Si në rastin e rubrikës “Humorr” ashtu edhe në atë të Obobo News-it, kemi të bëjmë me deklarata paraprake përkatësie, që e pozicionojnë lexuesin menjëherë në këndvështrimin e duhur, sikurse paralajmërojnë kopertinat e verdha për romane policore, gjerdanët e posaçëm për letërsinë për fëmijë, imazhet bardhë e zi për filma të dikurshëm, kaubojët me kuaj për filmat western.

Disa vite më parë, kur agjensia Obobo News ishte në aktivitet të plotë, madje ende pa u shfaqur si faqe në internet, ndodhte që disa lajme të merreshin si të vërteta e të ribotoheshin nga mediat shqiptare. Ajo që më habiste më shumë ishte mosfunksionimi i kodit të përdorur, por jo për faj të autorëve se sa të lexuesve, ose më saktë të mediave, që me sa duket nuk ishin mësuar ose ishin çmësuar me kode të tilla, ose thjesht ngaqë nuk i kishin kompetencat e duhura për lexime të këtij lloji. Përndryshe, si mund të merret seriozisht një lajm (shpeshherë katërcipërisht satirik) që firmoset nga agjencia me emër Obobo News?

Ajo çka përfillet kur tekstet flaken nga cepi në cep me një klik të vetëm ka të bëjë edhe me raportet e tekstit me tekste të tjera. Në qoftë se jemi dakord se shkrimi nuk lind vetvetiu, por shpeshherë është krijesë e kontekstit, atëherë duhet të pranojmë se çrrënjosja e tij nga mjedisi fillestar do t’ia ndryshojë detyrimisht natyrën. Lidhjet intertekstuale janë shpeshherë vendimtare në kuptimin e një shkrimi. Shkrimi “Triumfi i komentit” jo vetëm u botua në rubrikën “Humorr” të Peizazhe të fjalës, por ishte edhe vijesë e artikujve të tjerë për këtë temë. Ata që e ndjekin me vëmendje këtë blog do ta kenë vënë re se tema e komenteve, ndonjëherë e induktuar nga komentuesit, ka qenë mjaft e pranishme në këtë hapësirë. Në rast se PTF-në do ta shikonim si makrotekst, shkrimet për komentet do të përbënin një kapitull të tij. Shkëputja pra, edhe pse e ligjshme dhe e kuptueshme, e një artikulli të tij dhe ribotimi në një vend tjetër së paku duhet shpjeguar, për sa kohë ai shkrim mbiu nga një humus i caktuar, brenda një diskutimi të caktuar, pa të cilin nuk mund t’i kuptohet as ekzistenca. Pra shënime të llojit “Marrë nga ….”, ose “Botuar fillimisht në…” nuk duhen parë vetëm në prizmin e të drejtave të autorit, por edhe si ndihmesë për interpretimin e drejtë të shkrimit.

Për të vazhduar me të njëjtin shembull, por të tillë ka sa të duash në internet, mund të themi se zhvendosja e tij ta zëmë në faqet e një gazete ia varfëron jo vetëm intertekstualitetin, por ia asgjëson karakteristikat hipertekstit, duke hequr ta zëmë lidhje (link) e të tjera marifete internetiane si këto. Ka shkrime, si p.sh. shkrimi i Xhaxhait “Riprodhimi i elitave” për peticionet,  që janë shumë të lidhura nga një anë me mjedisin e internetit, nga tjetra me odën e posaçme, të blogut në rastin tonë. Pa përmendur karakteristikën prej tharmi të diskutimit, përndryshe krejt të dukshme. Kalimi në vend tjetër mund të bëhet, por “shtrembërimet” duhen marrë medoemos parasysh.

Jemi ende në nivelin e parë të leximit, ku lexuesi orientohet me sinjalet e para, po të huazonim ndarjen e studiuesit John Fiske, sipas të cilit leximi kalon gradualisht gjithnjë e më në thellësit të tekstit. Ndërsa po t’i referoheshim gjuhëtarit T. van Dijk, do të kuptonim se jemi ende në ndarjen fillestare midis narrativës natyrale dhe asaj artificiale (tek e para bëjnë pjesë lajmet e gazetave; tek e dyta tregimet e romanet). Në këtë kuadër, të ashtuquajturat frames mund të shihen si orvatje të autorit për ta ndihmuar lexuesin – ta zëmë nxjerrja në rubrikën “Sociologji”, “Udhëtime”, “Urbanistikë” ose futja e fjalëve etiketë (tag), që shpeshherë përbëjnë çelësa të njëmendtë interpretimi –, pra si korniza të parafabrikuara, por edhe si procese konjitive, që ndërtohen në mendjen e lexuesit me kalimin e kohës. Elemente të tilla orientuese janë të domosdoshme sidomos në hapësira të pafundme si ajo e internetit, ku ndjesia e hutimit e përshoqëron vazhdimisht lundërtarin standard, sidomos kur është në kërkim e sipër, shpeshherë duke vozitur me orë të tëra në arkipelagë të panjohur.

Është e vërtetë se rrjeti global i komunikimit informatik (cyberspace) u ofron teksteve platforma elastike, multimediale, shumëformëshe, ku mund të ndërveprojnë përtej përvojave tradicionale, ngaqë aty mbizotërojnë të tjera ligje fizike, sikurse në filmin Matrix të vëllezërve Wachowski vepronin të tjera rregulla sistemike; por kjo nuk do të thotë se mendimet e shprehura nëpërmjet tekstit duhen përdredhur nëpërmjet shformimit të tij, qoftë në mënyrë të pavetëdijshme. Toka virtuale ku rritet mendimi shqip, kryesisht në këto vite intensive, ka nevojë për plehra kimike e organike, falë të cilave të kultivohet edhe respekti ndaj tekstit, që shkon përtej dinjitetit të autorit, ose aspektit juridik të copyright-it. Këtu, kemi të bëjmë me respektin e mendimit në përgjithësi, të bashkëbiseduesit, të Tjetrit, tek e fundit të vetes; kemi të bëjmë me etikën e komunikimit, dhe si rrjedhim me bashkësinë ku mendimi lind, merr formë e hulumtohet. Madje interneti, me fuqinë e vet riprodhuese, mund të përdorohet pozitivisht në këtë drejtim. Me fjalë të tjera, mirëtrajtimi i tekstit përshenjon edhe shenjtërimin e mendimit, si një nga vlerat e pazëvendësueshme të shoqërisë.

Advertisements
%d bloggers like this: