Pjatat e palara

Jo gjithnjë studimet na konfirmojnë çka dimë prej kohësh. Studimi norvegjez, sipas të cilit çiftet ku burri jep ndihmesën e vet në punët e shtëpisë ndahen më shumë se të tjerat, pra ku punët bëhen kryesisht nga gruaja, pati jehonë të natyrshme në mediat perëndimore. Me fjalë të tjera, ky studim na thotë se në çiftet e sotme, të martuara ose jo, burri që lan enët, hekuros, gatuan, bën pazarin, etj. praktikisht ndihmon jo gruan, por ndarjen ose divorcin.

Lajmi është sensacional. Nuk e di nëse komshiu im, model për gjithë pallatin, është në dijeni, por kur ta marrë vesh, tenxherja me fasule do t’i bjerë nga duart. Deri dje e kisha shumë inat. Dalja e tij në ballkon për të nderur rrobat, si retë shiun paralajmëronte zënka në të gjithë pallatin. Tek i shkundte rrobat e bardha borë, tek i varte një për një me kujdes, tek i përkëdhelte kur i kapte në tel, ai ndoshta nuk e dinte se, përveçse superyll, ishte njëkohësisht ëndrra e ankthi i gjithë pallatit përballë. Gratë e adhuronin me sy të paralizuar, burrat e shigjetonin me sy të egërsuar.

Dy ishin pikat kulmore të spektaklit në ballkon. E para kur varte rroba të bardha, çarçafë, këllëfë jastëkësh, e mbi të gjitha ndonjë të brendshme të gruas. Këtu vështrimi i grave përballë pezullohej nga mahnitja, përhumbej në mendime, ndërronte regjistër ngadalë, shndërrohej në mishërues e më pas kthehej me stil nga burri përkatës. Si për t’i thënë: “Je i mjerë, o mashkull, je kot fare. Shikoje burrin e vërtetë, shikoja bardhësinë vezulluese të rrobave, shikoje me sa ëmbëlsi ia lan dhe ia nder gruas të brendshmet. Kurse ti as ti heqësh s’di më, o mish me dy sy!”. Pika tjetër kulminante ishte kur hekuroste teshat me durim e profesionalizëm. Perdet i jepnin dritares dinjitetin e skenës, lëvizjet e sigurta me hekur përvijonin protagonistin, njerëzit përballë formonin publikun gjysmë të fshehur të platesë. Spektakël i vërtetë.

Çdo sukses i denjë për këtë emër shoqërohet nga zilia. Burrat e pallatit, edhe për t’i bërë ballë furisë së grave, hapën fjalën se komshiu ishte homoseksual. Shoqëruar me argumente idiote, si bukuria e bashkëshortes, fustani me të çarë, dekolteja e ekzagjeruar, punët që janë vetëm për gra, e të tjera banalitete si këto. Sulm i shëmtuar, përveçse i turpshëm. Ndaj dhe përfundoi siç nisi. Nga asgjëja në asgjë.  Përjashto dy fije dyshimi, kryesisht mashkullor, të tjerët ishin të bindur se ishin thashetheme të rëndomta. Zërat u shuan ngadalë, ashtu siç u rrit barku i bashkëshortes, që në krye të nëntë muajve bëri dy binjakë, që ngjanin si dy pika uji, jo vetëm mes tyre por edhe me të atin.

Personalisht nuk e kam zili. E kam bezdi, se më krijon komplekse. Pas spektaklit të parë, kur e pashë se si i lau dhe i hekurosi rrobat, u përpoqa edhe unë ta imitoj. Lava pjatat, dyshemenë, rrobat. Pastaj i hekurosa. Mirëpo, kur gruaja u kthye në shtëpi nuk foli fare. Asnjë fjalë. Hoqi xhaketën, vuri përparësen dhe iu fut punës nga e para. Lau pjatat, dyshemenë, rrobat. Pastaj i hekurosi. Sikur unë mos t’i kisha bërë fare. Pastaj, për të mos më demoralizuar më tha: “Rëndësi ka qëllimi i mirë. Do të mësosh”. Më pas, duke përgënjeshtruar indiferencën e zakonshme ndaj supermodelit, shtoi duke treguar me kokë nga pallati përballë: “Ai s’ka nevojë, se i di të gjitha”. Buzëqeshja denotonte mirëkuptim, përzier me pak rasenjim. Në fakt nuk u demoralizova. Herës tjetër i futa gjithë entuziazëm rrobat në lavatriçe, mirëpo ngatërrova pluhurin larës, futa të zezat me të bardhat, gabova temperaturën e ujit. Të gjitha rrobat ndryshuan ngjyrë e gjatësi. Pavarësisht se m’u tha se e kisha bërë qëllimisht, nuk është e vërtetë. Qëllimi im mbetej i mirë. Desha të imitoj idhullin.

Lajmi i çifteve që prishen se i ndajnë punët e shtëpisë krijon jo pak probleme. Pikë së pari me interpretimet. Kur lexova se në Shqipëri janë shtuar shumë ndarjet e divorcet, mendova automatikisht se burrat shqiptarë kanë filluar të lajnë pjatat e të pastrojnë shtëpinë. I përfytyrova të gjithë burrat me përparëse me lule duke shkundur qilimët në ballkon. Mirëpo lindin edhe pyetje të çuditshme. Po familjet që kanë blerë ndërkohë enëlarëse a rrezikojnë të ndahen? Nëse aparati shtëpiak ndizet nga burri quhet sikur i lan ai enët? Duhen bërë studime të mëtejshme.

Deri dje kujtoja se çifti i lumtur ishte ai përballë, kurse martesa ime ishte në rrezik të përhershëm për sa kohë nuk angazhohesha seriozisht në punët e shtëpisë. Sot po lëkundem. Studimi shpjegon se përqindja më e lartë e ndarjeve ndodh sepse bëhet fjalë për çifte moderne. Janë çifte ku femra ka pavarësi ekonomike, arsim të lartë, mendësi të hapur. Kjo e bën më të realizuar e më të emancipuar, çka e rrit mundësinë e ndarjes nga bashkëjetuesi ose bashkëshorti. Po ç’hyn femra këtu? Po flitej për burrat. Gjithsesi,  lëkundjet shndërrohen në tronditje, për faktin se studimi vjen nga e civilizuara Norvegji, jo nga ndonjë vend i prapambetur, por edhe për arsyen se pak kohë më parë studimet na rrëfenin se burrat që lajnë pjatat janë më të lumtur.

Si i bëhet? T’i lajmë apo mos t’i lajmë pjatat? Dilemë jetike për çdo burrë në glob, sidomos për ata të Çajupit, që lozin e kuvendojnë, por edhe për ata që pozojnë për ballinat e Men’s Health. Zgjidhja më e mirë do të ishte të vazhdonin siç e kanë nisur që në fillim, derisa studimet të na thonë se çfarë bën gruaja ose bashkëshortja kur burri lan enët ose shkon në stadium me shokët, kur gatuan në shtëpi ose darkon në birrari, kur hekuros këmishën ose bën shopping. Si të thuash, kur flitet për çiftin, duhet folur për të dy, jo vetëm për burrin. Pra duhet parë edhe ana tjetër.

Mos vallë është kjo arsyeja që tani gjithë burrat e pallatit shikojnë përtej perdeve gruan e komshiut?

Advertisements
%d bloggers like this: