Liria e komentit

Pak ditë pas rënies së totalitarizmit shqiptar, entuziazmit tim të zjarrtë për të ardhmen e Shqipërisë, që sipas meje do të ngrihej në pak kohë falë lirisë së arritur, një profesor i huaj iu përgjigj praktikisht me fikës me shkumë: “Është më e lehtë të administrosh diktaturën sesa lirinë”. Nuk më tha asgjë të re, teorikisht e dija sikurse shumë të tjerë, se liria ka andrallat e veta, por nënvizimi i tij kishte të bënte në një farë mënyre me moskuptimin ose keqinterpretimin e konceptit të lirisë.

Debati që u hap për moderimin ose jo të komenteve në internet, sidomos pas këshillës “Dëbojini para se t’ju dëbojnë” të Xha Xhait, ka të bëjë kryesisht me konceptin e lirisë. Duhet thënë se hapësira virtuale nuk e ndihmon aspak fokusimin e problemit, përkundrazi krijon dykuptimësi problematike. Kur lirinë e shpjegon me metaforën e trafikut, duke shpjeguar se të gjithë duhet t’i respektojnë rregullat e qarkullimit dhe se polici rrugor është një farë rregullatori, ke shanse që bashkëbiseduesi ta kuptojë rëndësinë e moderimit të lëvizjes në internet. Tek e fundit, të gjithë kanë frikë nga aksidentet dhe nga plagët e mundshme.

Për ta kuptuar rëndësinë e moderimit të diskutimit në hapësirën publike të internetit duhet rënë dakord me një premisë thelbësore: “Fjala është gur”. Me fjalën mund të vrasësh, por edhe mund të ndërtosh. Varet nga përdorimi. Që fjala në hapësirën publike shqiptaret vringëllohet si armë e nuk shqiptohet me qetësi, është fakt i pamohueshëm; që fjalët hidhen si gurë për ta goditur tjetrin e nuk përdoren për të ndërtuar ura, është para syve të gjithkujt. Me fjalë të tjera, një takëm shqiptarësh as e perceptojnë e as e konceptojnë fjalën si diçka të çmuar, të fuqishme, hyjnore, për ta përdorur me kujdes e mençuri.

Ka logje në internet që u japin shansin mendjeve të mrizojnë, të ushqehen e të ripërtërihen. Më thonë se në këtë listë mund të përfshihet edhe “Peizazhe të Fjalës”. Mirëpo a mund të ushqehesh në të njëjtin vend ku tjetri lëshon bajgë? A mund të diskutosh me atë që të pështyn? A mund të punosh me dikë që të prish natën murin që ti ngre ditën? Ka komentues që sillen përnjimend si barbarë. Në një shkrim të mëparshëm, pjesët poshtë shkrimeve kryesore, për nga era e qelbur e komenteve, i pata krahasuar me nevojtoret publike, ku çdokush mund të nxjerrë lapsin e t’ua ndyjë muret pa shkarkuar ende ujin. Sa herë që ndaloj në autostradë e futem në banjë, shoh nëpër mure sharje, fjalë të pista, kërcënime, batuta, deri edhe numra telefoni me emra të përveçëm. Përshoqërimi më vjen natyrshëm.

Duke u nisur nga përvoja ime si moderator, u pata sugjeruar gazetave shqiptare që të ndiqnin modelin e blogut tonë, ku liria respektohet derisa nuk cenon lirinë e të tjerëve. Nga ana tjetër, jo vetëm unë por edhe kolegë të tjerë, e kanë vënë re tashmë se liria në internetin shqiptar i ngjason lirisë së xhunglës, e më fortit: zakonisht “fiton” ai që bërtet e shan më shumë.

Puna e moderatorëve shpeshherë ngatërrohet me censurën. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një keqkuptim kuptimor. E thotë edhe fjala vetë: moderatori është ai që i moderon diskutimet nëpërmjet rregullave. Moderatori ka ekzistuar para se të shpikej diskutimi në linjë. Cilido ka ndjekur konferenca e di fare mirë që, përveç diskutuesve, në podium qëndron dikush që e drejton (moderon) debatin duke u bazuar në rregulla të shkruara ose të pashkruara. Asnjë nga të pranishmit nuk mund ta akuzojë se shkel lirinë e shprehjes, për sa kohë moderatori u përmbahet rregullave dhe nuk diskriminon e/o favorizon dikë në veçanti.

Do të shkoja edhe më tej. Pikërisht ekzistenca e moderatorëve, çka vlen edhe për komentet në internet, madje më shumë për to, mundëson zbatimin e parimit të lirisë së shprehjes. Në rast diskutimi të lirë online, përveç çekuilibrit që krijohet midis figurës publike që shkruan dhe komentuesit anonim që fyen, temë që u trajtua më së miri nga Xha Xhai, mbetet fakt se komentuesit barbarë dëmtojnë edhe kolegët e vet. Shumë kolegë, ftesës sime për të shkruar ose komentuar, i janë përgjigjur me ngritje supesh, pikërisht se nuk duan të futen në debat me komentues të nivelit të ulët. E nuk e kam fjalën vetëm për PTF-në, por për gjithë hapësirën virtuale. Nuk e di nëse kemi të bëjmë me një mazhorancë të heshtur, por di që shumë diskutues nuk ulen pranë tastierës, pra stepen, nga frika se mos përplasen me çakejtë anonimë. Nga ana tjetër nuk duhet harruar se anonimësia jo gjithnjë është pseudonim, në kuptimin që ka njerëz që edhe kur vënë emrin e vet, me çka thonë e si e thonë, janë e do të mbeteshin anonimë përjetë në hapësirën publike, sikur të mos gjendeshin rastësisht të armatosur me kompjuter e me aparat Adsl.

Natyrisht, kjo situatë i demotivon autorët e mirëfilltë, sepse i bën të ndihen të vetmuar, pa asnjë feedback nga të tjerët, përveç ulërimës së qenve endacakë të internetit. Moderatorit i bie detyra që ta fusë diskutimin në kanalin e duhur, për t’i dhënë dinjitet jo vetëm temës, por edhe autorit që e ka ngritur seriozisht. Me punën e tij moderatori e plehëron tokën e dialogut, krijon kushtet për lulëzimin e pasurimin e ideve, pra mundëson zhvillimin e hapësirës publike sipas parimeve qytetare.

Ka komentues që sillen krejt pa edukatë, si ai rrugaçi që lëshon ajër me zhurmë në klasë. Akte të tilla prishin vetë mjedisin ku kryhen. Klasa ia plas gazit me idiotësinë e tipit, vëmendja shpërqendrohet, serioziteti kthehet në gajasje kolektive, niveli i të gjithëve bie. Madje as mësuesi nuk ka qejf të japë mësim në asi kushtesh. Nuk them që nuk mund të ndodhë, por disa akteve u duhet gjendur vendi. Në shkollë shkohet për të studiuar, në PTF shkohet për të diskutuar, në stadium shkohet për të bërtitur, në banjë shkohet për t’u liruar. Shpeshherë autori gjendet në të njëjtën situatë si ata profesorë të shkollave problematike, që përpiqen të shpjegojnë diçka nga dërrasa e zezë, por nga bankat u vijnë topa letrash, shkumësa, fishkëllima, klithma, sharje, nxjerrje gjuhësh.

Pra ku fillon e ku mbaron liria e shprehjes? A nuk ka të drejtë edhe ai nxënës, qoftë edhe i vetëm, që dëshiron ta dëgjojë në heshtje profesorin? Po ai që dëshiron të thotë diçka më shumë? Po vetë profesori? Kam përshtypjen që liria pa kufij i ngjason pak drogës, kur mësohesh me të bëhesh i varur prej saj. Për këtë arsye ka plot komentues, tashmë të mësuar me lirinë e shthurur, që protestojnë kundër rivendosjes së moderimit. Nuk ka asnjë të drejtë që cenohet në këtë rast, përveç rivendosjes së dinjitetit të atyre që ishin nëpërkëmbur nga lukunia fyese.

Ndoshta duhet përsëritur që nuk kemi të bëjmë me censurë, por vetëm me moderim. Për këtë na vjen në ndihmë ana cilësore e diskutimit. Në fakt, moderatorëve u del shpesh detyra që t’ia ruajnë nivelin, pra cilësinë, diskutimit. Normalisht, censura ka vetëm dy lloj reagimesh, po ose jo, kryesisht lidhur me qëndrimin “politik”, në favor ose jo të idesë; në rastin e moderimit komentuesi ftohet që t’i përmbahet temës, fjalorit, edukatës, e kështu me radhë, por jo që të mos e shprehë mendimin e vet.

Komentuesit në Peizazhe të Fjalës u kategorizuan saktë nga Xha Xhai. Përjashto tri kategoritë e para (autorët, miqtë, kolegët), që në fakt përbëjnë limfën vitale të blogut, por edhe komentuesit e rinj e dashamirësit, të tjerët e atentojnë atë me të gjitha mënyrat; kush me armë të lehta, kush me pushkë me dylbi, kush me sulme jo konvencionale nga toka, ajri e deti. Ndoshta duhet shtuar kategoria e komentuesve-mushkonja, që vetëm sa bezdisin, sa për ta prishur mbrëmjen me thumbime të padëmshme, por qejfprishëse. Ka edhe nga ata që sillen ndaj diskutimit si garipat e lagjes, që ia prishin lojën fëmijëve vetëm për gallatë: ua marrin topin, i bien me shkelm kutisë së shahut, e kështu me radhë. Kategoritë e fundit mund të futen në listën e pasur të komentuesve në internet.

E drejta e fjalës, kur evokohet në internet e gjetiu, nuk duhet të harrojë dëgjuesit e lexuesit. Interneti nuk është i përbërë vetëm nga shkrimtarë e shkarravitës. Kam kolegë që nuk janë as autorë të blogut e as komentues të tij; megjithatë ma shprehin hapur indinjatën kur shohin ndonjëherë komente të pahijshme ose të nivelit të ulët. Si të thuash, duhen mbrojtur edhe të drejtat e lexuesve, liria e tyre për të lexuar në paqe e për ta shijuar qytetarisht diskutimin qytetar. Nuk duhet harruar se edhe këta lexues, edhe pse nuk marrin pjesë materialisht në diskutim, e zhvillojnë dialogun në mendjen e tyre, madje e përcjellin atë në vende të tjera, në zyrë, familje, shoqëri. Por për ta bërë këtë kanë nevojë për mjedis të kulturuar, ku nuk mban erë të rëndë injorance.

Gjithsesi, komentet jo gjithnjë janë problematike. Përkundrazi. Në disa raste e pasurojnë temën e trajtuar, ndonjëherë e ngrenë më lart nivelin e diskutimit, në raste të tjera bëhen tharm për përsiatje të mëtejshme. Komentet cilësore i mbajnë larg në mënyrë të natyrshme insektet bezdisëse që enden në moçalet virtuale, duke u shndërruar gjithashtu në barrierë kundër barbarëve dhe xhelatëve të fjalës së lirë, të cilët shtiren shpeshherë si viktima. Këta bëjnë edhe dëmin tjetër: e monopolizojnë vëmendjen e nuk na lenë të flasim për komentet që e pasurojnë debatin, mendimin dhe hapësirën publike.

Advertisements
%d bloggers like this: