Puna e të miturve

Kush vjen për pushime në Shqipëri rrezikon t’i kalojë nën peshën e ndjenjës së fajit. Kudo që shkon nëpër lokalitete turistike do të gjesh të mitur në punë. Fëmijë që nuk i kanë kaluar as të 13-t bëjnë lloj lloj punësh, madje shpeshherë shumë të rënda për moshën.

Ndjenja e fajit të kaplon në çadrën e plazhit, kur lodhja jote më e madhe është kthimi në shpinë për t’u thekur më mirë, ose lyerja me kremin e radhës, kundër ose pro nxirjes së lëkurës. Pikërisht në çastin e mundit tënd të përditshëm, dëgjohet nga larg si litani e përvuajtur zëri i një fëmije që rendit artikuj për shitje. Pas pak sekondash të shfaqet i ngarkuar si kafshë pune me gjithfarë xhinglash e produktesh (domino, letra, fara, banane, kikirikë, bajame, etj.) duke t’i ofruar për blerje. Dielli në kupë të qiellit, temperatura pothuajse 40 gradë, bluzën me djersë të e re e të vjetër, ai të vështron me sy të vuajtur e të zgjat duart e rreshkura nga vapa.

Ndjenja e fajit të bllokon edhe kur shkon në restorant. Në vend të kamerierit të shfaqet një djalë i imët, i ndrojtur, i papërvojë. Qëndrimin mundohet ta ketë si i rritur, shtiret i sigurtë, si garip fshati ose qyteti, por një pyetje e thjeshtë jashtë standardit e huton dhe i nxjerr në pah brishtësinë e moshës. Edhe ai duket i këputur, i djersitur deri në palcë, me duart e vogla që nuk i kapin dot pjatat e mëdha duke u dridhur nga pasiguria. A mund të hash në këto kushte?

Pushuesi në Shqipëri mund t’i hasë dendur të miturit në punë. Duke filluar nga prezantuesi i dhomës së plazhit, me çelës në dorë, deri tek prerësi i biletës në autobus, me bileta në dorë. Përveç të verbërve, që nuk duan t’i shikojnë, reagimet janë të ndryshme. Në plazh, shitësin e vogël, dikush e mëshiron duke i blerë banane edhe kur s’i ha, dikush i bërtet pse bananet janë të qullëta, dikush e tregon si shembull edukimi për fëmijët. Këta të fundit kanë dy lloj përqasjesh. Të parët duke e treguar si shembull negativ: “E shikon të keqen mami? Po nuk studiove si ai do të përfundosh”. Të dytët si shembull heroizmi pozitiv: “E shikon atë djalin e vogël? Bravo i qoftë! Edhe ti duhet të punosh gjatë verës se je bërë dembel”. Të njëjtat reagime has edhe në restorant, me ndryshimin e vogël që përballë ke krikëllin e birrës dhe jo pijen freskuese të plazhit.

Kur nuk pajtohesh me këtë gjendje dhe kur zbulon se je krejtësisht i pafuqishëm përballë një dukurie të papranueshme si puna e të miturve, ndjenja e fajit të ngërthen edhe më keq. Komunikimi me fëmijët është i vështirë; janë të ndrojtur, të hutuar, moshën e deklarojnë haptazi më të madhe seç është në vërtetë, largohen të frikësuar se mos i dëgjon kush. Fjalët “Ti nuk duhet të punosh në këtë moshë” i tingëllojnë të pakuptimta, kurse “Kush të ka futur në punë” i tingëllojnë të dyshimta. Ndoshta nuk e kuptojnë pse je kundër punës së tyre. Me siguri i kanë udhëzuar të bëjnë veç punën e të mos merren me “gjepura pa bukë”. Me “punëdhënësit” e tyre është e pamundur të flasësh dhe ndoshta e rrezikshme. Gjithsesi, ndjenja e fajit rritet sa më shumë që ndërgjegjësohesh se puna e të miturve bën pjesë në normalitetin e jetës së përditshme.

Me peshën e brengës kërkon në internet ligjet shqiptare. “Strategjia kombëtare për fëmijët”, miratuar nga qeveria shqiptare më 31.05.2005, është dokument i përsosur, përjashto pranimin (kapitullimin) se “aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve që punojnë dhe llojet e punës që ata bëjnë”. Sa për përcaktimin e dukurisë nuk ke ç’kërkon më shumë:

Ka dy lloj kategorish të fëmijëve që punojnë: Fëmijë që punojnë në sektorin formal të ekonomisë, si në rrobaqepësi, fabrikat e prodhimit të këpucëve, në ndërtim etj. që janë kryesisht të moshës 15-18 vjeç; fëmijët që punojnë në sektorin joformal të ekonomisë, kryesisht në rrugë, si: shitës ambulantë, lypsa, pastrues të makinave në semaforë etj. si dhe në një nga format më të këqija të punës së fëmijëve që është edhe trafikimi i fëmijëve për qëllim shfrytëzimi, si për shfrytëzim seksual, për vjedhje, përfshirje në aktivitete të paligjshme etj.

Nga dokumenti strategjik mëson se Shqipëria ka firmosur një sërë konventash ndërkombëtare për punën e fëmijëve dhe se është hartuar një kuadër ligjor që parandalon punën e fëmijëve ose vendos kufizime në punësimin e tyre. Megjithë përpjekjet e bëra pranohet zyrtarisht se hapa përpara nuk janë bërë:

Në Kodin e ri të Punës rikonfirmohet mosha 16 vjeç si moshë punësimi për fëmijët dhe parashikohet një mbrojtje të veçantë për fëmijët që punojnë. Edhe ndryshimet e fundit të Kodit të Punës rikonfirmuan mbrojtjen e veçantë për fëmijët e punësuar, si dhe harmonizimin e legjislacionit tonë me Konventat e ratifikuara. Megjithatë sipas treguesve te shumëfishtë të një studimi te realizuar nga INSTAT dhe UNICEF në vitin 2000 numri i fëmijët që punojnë ka shënuar rritje. Vlerësohet se rreth 30 % e fëmijëve të grupmoshës 16-18 vjeç janë të zënë në punë, veçanërisht ky numër është më i madh në fshat, ku shumë fëmijë të kësaj moshe nuk vazhdojnë shkollën, por punojnë në bujqësi.

“Strategjia kombëtare për fëmijët” vijon me politikat e zbatuara, problemet e ngritura, programet e së ardhmes. Shkruar saktë e qartë, sipas standardeve dhe gjuhës teknike ndërkombëtare. Po kështu aspekte të tjera ligjore. Vendimi i Këshillit të Ministrave (Nr. 384, datë 20.5.1996) Për mbrojtjen e të miturve në punë, në zbatim të ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i nyjëton mirë kushtet kur duhet e nuk duhet të punojë një i mitur. Ka disa raste që ligjeve shqiptare nuk ke ç’t’u shtosh, tek e fundit janë shkruar nga ekspertët ndërkombëtarë ose janë përkthyer direkt nga legjislacionet e huaja demokratike. Edhe për punën e të miturve s’ka asgjë për të shtuar, përveç fakteve se puna e të miturve vazhdon të jetë problem edhe shtatë vjet më vonë nga miratimi i strategjisë për mbrojtjen e tyre.

Pavarësisht nga ligjet, seminaret e konventat ndërkombëtare, puna e fëmijëve nuk shkon nga pikëpamja etike. Fëmijët nuk duhet të bëjnë punë që nuk i përshtaten moshës e gjendjes së tyre psikofizike. Mirëpo, kjo është bërë kaq normale në shoqërinë shqiptare saqë nuk dallohet prej saj si patologji sociale. Prandaj bëhesh padashur dëshmitar klientësh që i fishkëllejnë kamerierit fëmijë dhe bëjnë pazar me fëmijën shitës, pa marrë as mundimin e hipokrizisë, të paktën përballë bijve të vet të përkëdhelur me të njëjtën moshë.

Bëhesh dëshmitar, ndoshta bashkëfajtor… Ndaj edhe ajo ndjenja e fajit të bren e të mundon gjatë pushimeve, por edhe më tutje.

 

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (27 gusht 2012)

Advertisements
%d bloggers like this: