Organizma pa imunitet

Debati për heqjen e imunitetit parlamentar, si në çdo rast, mund të shihet nga pikëpamje të ndryshme. Deri tani ka mbizotëruar këndvështrimi politik, që e zhvendos përplasjen për imunitetin në qerthullin politik.

Ky këndvështrim e redukton diskutimin fillimisht nga ana hapësinore, duke e konceptuar betejën midis Partisë Demokratike, që është pro heqjes, dhe Partisë Socialiste, që është gjithashtu pro heqjes, por në një kuadër më të gjerë të rishikimit kushtetor, si një dyluftim në ringun politik. Në këtë mënyrë, qytetarët janë shndërruar në publik të njëmendtë, ose më mirë në tifozë me fanella, që brohorasin taktikat apo kundërtaktikat e njërës palë kundër tjetrës.

Nuk është e rastit që diskutimet për heqjen e imunitetit kanë degraduar deri në atë pikë sa t’i komentojnë pozicionet politike si “të futme” e njërit krah ndaj krahut tjetër, çka shoqërohet shpeshherë me kënaqësi dhelparake të partishme, pa asnjë dialektikë politike në kuptimin më të gjerë të fjalës. Tek e fundit, politika e takticizmit shpie ujë në mullirin e demagogjisë, duke e ulur shikimin më tepër tek goditjet e ulëta, se sa tek objektivi përfundimtar që duhet të ishte super partes. Kështu, në vend që të diskutohet për mirësinë e  heqjes së imunitetit, duke e analizuar në thellësi propozimin, flitet se si promovuesi i nismës ia la në derë kopilin kundërshtarit. Ky i fundit, përgjigjet po taktikisht, duke e pranuar në thelb propozimin, por duke vënë disa por-e në rresht. Palët ndjekin njëra tjetrën në rrethrrotullimin e politikës.

Nuk kuptohet se aftësia e kujt është, por publiku mbetet krejtësisht jashtë loje. Madje, aftësia arrin deri në atë pikë saqë publiku kujton se është brenda loje, meqë merr pjesë në debat me entuziazmin e fansit, pa e marrë vesh se në fakt po e gjykon lojën nga shkallët e stadiumit, pa kurrfarë objektiviteti e mbi të gjitha pa kuptuar se si e përse bëhet goli. Si në çdo lojë “të ndershme”, arbitri tërhiqet nga mënga, herë për të treguar mirësinë e lojës, herë për të treguar gabimet e tjetrit. E në Shqipëri dihet se kush e mban në gojë bilbilin e arbitrimit.

Në çdo vend demokratik, përfshirë Europën, heqja e imunitetit të parlamentarëve duhet të ishte paraprirë nga një debat i gjerë dhe i hollësishëm, që të shkonte nga klasa politike tek ajo drejtuese, nga mediat tek shoqëria civile, nga analistët tek qytetarët. Siç mund të merret me mend, kur ndërron karta themelore e bashkëjetesës, jemi të gjithë të angazhuar për diskutim. Mirëpo çfarë debati u bë në Shqipëri? Ku ishin konstitucionalistët, juristët, organizatat ndërkombëtare? Me leje verore? A mund të ngatërrohen me debatin e thellë ato përplasje që ndodhën në media për temën? Heqja e imunitetit edhe mund të bëhet, por lipset analizë e thellë ndërdisiplinore për pasojat e një veprimi të tillë, meqë ndryshohen thelbësisht raportet midis pushteteve në demokraci.

Që tema është serioze e dëshmojnë edhe implikimet etike. Nuk mjafton admirimi i tifozit syerrët, për mënyrën se si iu përgjigj me kunj Filani, apo si ia hodhi duke e vënë me shpatulla në mur Fisteku, për ta sanksionuar si të mirë aksh zgjidhje politike. Rregullat e demokracisë nuk mund të funksionojnë në mjedis vleror aseptik. Janë njerëzit që i bëjnë dhe i zbatojnë rregullat, jo  e kundërta. Përndryshe, duhet të kishin kopjuar fjalë për fjalë legjislacionin suedez e sot do ta kishim Tiranën si Stokholmi. Apo e kemi kopjuar dhe Tirana ka mbetur po ajo? Paradoksalisht, parlamentarëve mund t’u hiqet imuniteti, madje mund të futen në burg parandalues, e megjithatë ata mund të vazhdojnë të korruptohen e të korruptojnë, duke filluar nga gardianët e gardistët. E ç’t’u thuash pastaj atyre që thonë se imuniteti u duhet organizmave të shëndoshë jo atyre që përbëjnë rrezik për imunitetin vetë?

Është harruar gjithashtu, të diskutohet se për cilin imunitet bëhet fjalë. Italia për shembull e ka hequr imunitetin parlamentar, por jo in toto, vetëm disa forma të tij. Në vija të trasha mund të shpjegohet kështu: Kushtetuta italiane e 1947-s nuk e lejonte procedimin penal, arrestimin, kontrollin shtëpiak, etj. të parlamentarit pa autorizimin e Dhomës së Deputetëve. Në vitin 1993, pas skandalit të bujshëm “Tangentopoli” (Qyteti i ryshfeteve) dhe hetimeve “Mani pulite” (Duar të pastra), nën shtysën e zemëratës popullore, parlamenti u detyrua ta hiqte imunitetin për procedimin penal dhe për arrestimin pas vendimit përfundimtar të Gjykatës. Aktualisht, hetuesit nuk duhet t’i kërkojnë leje Parlamentit për hetimin e procedimin e deputetëve, por u duhet autorizimi i tij për burgimin paraprak.

Rasti i Italisë, dëshmon së pari se tema kërkon analiza që duhet të shkojnë përtej konjukturave aktuale. Këto 20 vitet e fundit, kanë treguar gjithashtu, se raportet midis politikës dhe drejtësisë italiane kanë ndryshuar rrënjësisht. Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se korrupsioni në vendin fqinjë është zhdukur me heqjen e imunitetit në vitin 1993. Pa dashur të shprehem në favor ose kundër heqjes së imunitetit, mund të them pa frikë se cilado qoftë zgjedhja, kthimi mbrapa, d.m.th. rivendosja e imunitetit, bëhet në të ardhmen tejet i vështirë, pothuajse i pamundur. Për arsyen e thjeshtë se tema i nënshtrohet lehtë demagogjisë dhe populizmit, si për ata që duan ta heqin, si për ata që duan ta vënë.

Heqja e imunitetit ka shumë argumente në favor, po kështu mbajtja e tij si element garancie për veprimtarinë e deputetit. Çështja është kaq e rëndësishme saqë nuk mund të shihet vetëm nga këndvështrimi politik, por si një element në sistem, në kuptimin që çdo prekje e tij do të sillte ndryshime (pozitive ose negative) në nivel strukturor. Debati i gjerë e i gjithanshëm do të ishte rast i mirë për përfshirjen, në mos edukimin, e qytetarëve për rregullat e demokracisë, çka do t’i hiqte ata nga shkallët e stadiumit, për t’i çuar në agoranë e qytetarisë. Në këtë mënyrë do të forcohej edhe imuniteti demokratik i shoqërisë.

 

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (25 korrik 2012)

Advertisements
%d bloggers like this: