Perënditë e financës

Vitet e fundit zërat kritikë kundër agjensive vlerësuese të kreditit (credit rating agency) janë shtuar gjithnjë e më shumë. Vlerësimet e këtyre agjensive janë bërë prej kohësh të domosdoshme për investitorët anembanë botës dhe deri pak kohë më parë kapnin vetëm faqet e revistave të specializuara për ekonominë. Tani, agjensi si Standard & Poor’s, Moody’s e Fitch, zënë titujt kryesorë të edicioneve të lajmeve të vendeve të zhvilluara e më pak të zhvilluara.

Shikueshmëria e agjensive të vlerësimit është rritur proporcionalisht me fuqinë e tyre për të kushtëzuar bursat dhe ekonominë financiare. Mjafton një ngrysje vetullash, ose ndonjë thashethem dalë nga zyrat e tyre, dhe bursat fillojnë e qajnë. Opinionet publike i shohin si gjykatës planetarë nga gishti i të cilëve varen ekonomitë e vendeve të ndryshme. Nuk ka asgjë të keqe tek kontrolli, përkundrazi, por gjykatësi duhet të jetë si gjithnjë asnjanës për të gjykuar mbi palët.

Pikërisht tek luajnë rolin e arbitrit asnjanës këto agjensi tradhtojnë disa kundërshti themelore. E para lidhet me faktin se financohen nga banka e institute që më pas duhet të kontrollohen prej tyre. Por a mund të kontrollohet ai që të mban me bukë? Mund të pështyhet në pjatën ku hahet? Edhe mundet, por besueshmëria vihet në pikëpyetje domosdoshmërish.

Ka nga ata që e konsiderojnë me të meta të mëdha aktivitetin e agjensive. Si të thuash, gjykohet puna në vetvete, cilësia e kontrollit. Të gjithë kritikët u kujtojnë rastin e krizës së fundit financiare, kur bankat me probleme të mëdha deklaroheshin nga agjensitë e vlerësimit si të qëndrueshme, kurse produkte financiare toksike, praktikisht plehra, vuloseshin si të shëndetshme. Nuk duhet harruar se Lehman Brothers konsiderohej si bankë e qëndrueshme derisa falimentoi, ndërkohë që tregu financiar ndërkombëtar priste që agjensitë ta vinin alarmin prej kohësh. Po kështu nuk u paralajmërua falimentimi i shoqërisë Enron në dhjetor të 2001-t, megjithëse simptomat i dinin pothuajse të gjithë.

Mos vallë notat vihen nga profesorë të papërgatitur? Ka mundësi. Kjo do të thotë se agjensitë nuk dinë ta bëjnë punën e vet, nuk janë në lartësinë e duhur. Këto ditë në Europë pati polemika të ashpra kundër zhvlerësimit që agjensia Moody’s i bëri Italisë. Kritikat, në kufi të akuzave, u bënë jo vetëm nga qeveria italiane, çka do të ishte deri diku normale, por edhe nga institucione europiane. Këtu ndoshta duhet cituar David Wyss, shef i sektorit ekonomik në agjensinë Standard&Poor’s deri në korrik të 2011-s, i cili paska thënë: “Agjensitë vlerësuese nuk dinë për borxhet e qeverive asgjë më shumë se një djalosh në rrugë që lexon gazetën”.

Nuk mund të mohohet se agjensitë e mësipërme ruajnë një rol institucional, pothuajse gjysmë publik, çka kërkon asnjanësi e përgjegjësi të madhe. Roli rregullues i tyre nuk mund të shkojë drejt plotfuqishmërisë pa kaluar nga kontrolli i institucioneve, sepse nga mendimi i tyre varen banka, shoqëri, ndërmarrje, vende. Tek e fundit, njerëz e familje. Pa përqafuar akuzat më të rënda që bëhen kundër agjensive vlerësuese mund të thuhet se ekziston rreziku për instrumentalizim, çka do të thotë se spekulatorët mund të shfrytëzojnë gabimet eventuale të agjensive për të shkatërruar subjekte përndryshe të shëndosha.

Shqipëria, e zhytur në problemet e pluhurit të përditshëm, e zënë me ndërtimin e kargove, rigorozisht sipas ritit të kultit të kargove, nuk ka kohë as mendje t’i kritikojë agjensitë e mësipërme. Ndoshta në këtë moment nuk ka as të drejtë. Mirëpo agjensitë vlerësuese të kreditit janë nga ato lloj perëndish që shfaqen në mënyra të ndryshme. Sot dalin si agjensi, nesër si organizata, pasnesër si shumëkombëshe, forume, media ose qendra studimore. E nuk flasin vetëm për vlerësime krediti. Çështja është e koklavitur, por mund të fillohet me një pyetje të thjeshtë: “Në cilat Perëndi duhet të besojmë?”.

Advertisements
%d bloggers like this: