Censorët e gjuhës

Gjuha shkon vërtet ku dhemb dhëmbi, sidomos kur dhëmbi është gjuha shqipe. Vëmendja që i kushtojmë shqipes është sa e ligjshme aq edhe e kuptueshme, për sa kohë gjuha paraqitet e lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin tonë kombëtar. Me fjalë të tjera, kur flasim për gjuhën flasim për veten tonë, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.

Mirëpo të flasësh për gjuhën nuk do të thotë ta perceptosh gjuhën si obsesion, ose të kesh obsesionin e gjuhës, edhe pse për disa aspekte të veçanta gjuha shqipe kërkon përnjimend kujdes të veçantë, maksimal, natyrisht pa cekur teprimet me karakter patologjik. Blogu Peizazhe të fjalës, kryesisht falë penës së Xhaxhait, e ka dëshmuar prej kohësh interesin e ekuilibruar, konstruktiv e plot pasion për shqipen.

Në një nga shkrimet e veta kushtuar purizmit gjuhësor Xhaxhai, pasi vërente një farë përputhje të dukurisë në fjalë me ideologjinë autarkike të periudhës totalitare shqiptare, shtonte:

Sot këtij lloj purizmi i ka humbur motivimi ideologjik dhe filozofik, por i kanë mbijetuar më një anë teknikat e zëvendësimit, të përpunuara mirë nga mjeshtër të gjuhës; dhe nga ana tjetër, fryma kombëtariste folklorike, shprehje e një mendësie të thjeshtuar, të tipit “ke përdorur një fjalë të huaj”, e cila tani është pjesë e arsenalit kulturor të çdo shqiptari të ndershëm kuqezi. […] Perspektivat e këtij gjakimi kulturor në lëmin e gjuhës janë zero, sepse strategjikisht një qasje e tillë, romantike, ndaj sfidës madhore të modernizimit dhe të globalizimit, është e dënuar të dështojë, madje të bëjë fiasko. Paradoksalisht, shqipja sot mund të mbrohet sado pak, ndaj këtij invazioni fjalësh, konceptesh dhe praktikash të huaja, duke luftuar para së gjithash purizmin – si filozofi, si ideologji dhe si praktikë. Po sa janë vallë shanset që të ndodhë kjo?

Nuk duhen shumë njohuri gjuhësore për të kuptuar se qëndrimi higjienist, dezinfektues, sterilizues, prej antibiotiku me spektër të gjerë, që nuk bën dallime por vepron kuturu, e shndërron purizmin në të kundërtën e qëllimeve të veta të deklaruara. Tashmë është fare e qartë se purizmi vishet me këmishën e bardhë të mjekut, duke mëtuar shërimin e trupit të shqipes, por nga ana tjetër përbën pengesën më të madhe të zhvillimit të shqipes vetë, sepse i pengon zhvillimin, i minon imunitetin, i harxhon energjitë për kotësira. Edhe nga kjo pikëpamje, në kufi të provincializmit e naivitetit, purizmi është vërtet shprehje e folklorizmit kombëtar.

Në qoftë se deri dje purizmi trupëzohej në konferenca ekspertësh, libra këndimesh, përmbledhje esesh, artikuj gazetash, e kështu me radhë, sot livadhet ku purizmi mund të ushqehet e të argëtohet janë të pafundme. Deri dje ekspertët mund të komunikonin midis tyre, edhe nëpërmjet duelesh në shtyp, për dobinë e purizmit, ose shprehjet soft të tij, duke i ruajtur qartë caqet e ringut, d.m.th. të shkencës së linguistikës. Sepse vërtet purizmi bazohej disi tek ideologjia totalitare e periudhës enveriane, por kjo s’do të thotë se gjuhëtarët e asaj kohe nuk e dinin, si specialistë që ishin, se një gjuhë nuk mund të (mbi)jetojë në kushte aseptike laboratorike, pa kontakte me gjuhët e tjera. Pra huazimet në gjuhë jo rrallë konsiderohen si kolesteroli i mirë, ose si bakteret fiziologjike, sa për të vazhduar me metaforat mjekësore.

Natyrisht, ndryshe nga gjuhëtarët, që e kanë gjuhën bukë të përditshme, publiku e kishte më të vështirë ta bënte ndarjen midis politikës gjuhësore zyrtare, në thelb retorikës së saj, dhe realitetit gjuhësor, pra të gjuhës si sistem që funksionon në jetën e përditshme. Çdo person me përgatitje gjuhësore e dinte që asokohe se lufta ndaj shfaqjeve të huaja nuk mund të shndërrohej brenda gjuhës në luftën ndaj fjalëve të huaja. Thjesht për arsye funksionale, thjesht sepse nuk mund të pastrohet gjuha in toto nga fjalët e huaja. Nga ana tjetër, edhe pse shumëkush u improvizua etimolog e gjuhëtar, duke u shndërruar në Terminator të fjalëve me adn të ndotur, ishte e qartë se publiku i gjerë nuk i perceptonte siç duhet “fjalët e huaja”: disa i tingëllonin absolutisht të huaja, të tjera shqiptare safi, ose puro shqiptare. Përfundimisht, virusi i ideologjisë puriste hyri gjerësisht në kulturën shqiptare falë propagandës totalitare, duke shfrytëzuar edhe korpusin e retorikës rilindase.

Aktualisht virusi i purizmit mund të ketë hyrë në fazën e hopit cilësor, falë humusit të ofruar nga mediat e reja dhe interneti. Ndikim të konsiderueshëm, në kahun politik, duhet të ketë pasur edhe ideologjia neokombëtariste dhe populizmi kuqezi, që shërbejnë në kësi rastesh si amplifikatorë ose amfetamina për brohoritjet dhe veprimet pastruese. Fakti është se tastierat janë tashmë kobure të mbushura, me fishekun gjithnjë në tytë, që vënë në shënjestër çdo artikull që nxjerr kryet nëpër faqe interneti. Fakt tjetër është se të gjithë e kanë tashmë nga një revole nëpër duar dhe qëllojnë sa herë t’ua ketë qejfi kundër “fjalëve të huaja”, ndonjëherë me entuziazmin e parkut të lojërave. Kështu, lexuesit nuk janë më ata që lexojnë, por ata që kontrollojnë për gabime gjuhësore; përgjithësisht pa i pasur kompetencat e duhura.

Ka diçka të çuditshme në inkursionet e disave që vërsulen në hapësirën publike vetëm për të denoncuar përdorimin e fjalëve të huaja. Këta, për nga sjellja, duken vërtet barbarë, edhe pse sulmojnë fjalët kinse barbare. Nuk kuptohet nëse është e vetmja mënyrë e konceptimit të kontributit në publik, apo mënyra e vetme që u jep siguri në paraqitjen në publik. Fakti është se prezantohen me një suficit formalizmi të pajustifikueshëm. Është njëlloj sikur, pas predikimit të zjarrtë e tejet aktual, ta qortosh priftin se tunikën e ka një gisht më të gjatë seç duhet. Është njëlloj sikur traktatit cilësor të filozofisë, me disa qindra faqe, shtyllë betoni në themelet e diturisë botërore, t’i kundërshtosh ngjyrën e kopertinës, ose ballinës për të qenë korrekt me pastërtorët.

Në faqet e blogut “Peizazhe të fjalës” – sipas disa vëzhguesve një nga hapësirat ku shqipja ende e ruan dinjitetin e vet – mund të gjesh plot raste ku nuk komentohet përmbajtja e shkrimit, argumenti mbështetës, ose gjuha e ushtruar, por vetëm përdorimi i një fjale të huaj. Këta komentues paraqiten rrallë sikurse meteoritët; denoncojnë mëkatin botërisht, revoltohen, dënojnë e pastaj tërhiqen në anonimësi, në heshtjen e universit, pa thënë asnjë fjalë për temën kryesore. Disa ditë më parë një komentues shkruante:

Themi te shkruajme shqip. Po nga na doli kjo fjala pozite? Cili fjalor i shqipes e permban? Cila e folme shqipe? I shkrepi ndonje politikani kokebosh te perdore fjalen pozite ne vend te shumice (ose makar maxhorance) dhe vu, e ndoqen te gjithe e harruan shqipen. Njesoj si me arroret (mua mund te me shkrepe te them lajthoret, apo bajamoret) Njesoj si me dakordesine. Mos e pasurojne shqipen keto fjale kot me kot apo e percudnojne?

Ky koment jo vetëm që urinon jashtë oturakut, sepse flet krejtësisht për tjetër gjë, jashtë teme e padrejtësisht ex-cathedra, por harron se shkrimi është botuar në rubrikën “humorr” (me dy “r” nuk është gabim, është bërë qëllimisht – shënim për policin gjuhësor), ku lejohen lojëra fjalësh që ia shkelin syrin politikës e gjuhës së politikës shqiptare. Nga ana tjetër, duhet të jesh vërtet kokëshkretë të korrigjosh dikë pa hapur fillimisht fjalorin e për më tepër duke bërë vetë gabime të llahtarshme. Komenti i mësipërm është i pakualifikueshëm nga pikëpamja gjuhësore. Koment i pakomentueshëm.

Qëndrimi prej sherifi të gjuhës vjen nga një koncept disi i shtrembër i vetëgjyqësisë gjuhësore, i nxitur sipas gjasës nga bindja absolute e subjektit se gjendet nga ana e së drejtës. Puristi, madje edhe ai që e refuzon si term përkufizues, ngaqë linguistika e ka konotuar tashmë negativisht, i atribuon vetes rol etik në shoqëri, ndoshta edhe në histori. Gisht duhet të ketë edhe ndjesia vetëpërkëdhelëse se diskutimi për gjuhën të jep automatikisht një dorë bojë vaji me ngjyrë intelektuali. Paradoksi qëndron tek mospërputhja midis përhapjes së puristëve të improvizuar në hapësirat virtuale dhe cilësisë së shqipes që qarkullon sot në shtyp, libra e internet. Ndërsa purizmi lulëzon, shqipja vyshket, ndërsa puristët riprodhohen shumëfish, lëvruesit e shqipes rrallohen. E kjo ndodh pikërisht kur sfidat ndaj gjuhës shqipe po shtrohen në trajta epokale e si të tilla kërkojnë përpjekje me të njëjta përmasa. Do të merremi me sfidat, apo me prejardhjen e kësaj fjale?

Advertisements
%d bloggers like this: