Komente pa shkrime

Letrat e lexuesve që botoheshin dikur nga gazetat, ndonjëherë në polemikë me shkrimet e botuara, nuk u ngjajnë aspak komenteve të sotme që lexohen në linjë. Dallimi nuk ka përse të habisë askënd, përderisa gazeta që del në internet ndryshon si medium nga gazeta e botuar në letër.

Gazetat tradicionale, nëpërmjet rubrikave të llojit “Lexuesit na shkruajnë”, vazhdojnë edhe sot t’i qëmtojnë letrat që iu vijnë në redaksi, t’i lexojnë me kujdes e t’u përgjigjen sipas kuvendit. Si të thuash, ka ende një farë filtri që jo gjithnjë vepron si censurë, por si rregullator i informacionit dhe i fluksit të tij.

Gazetat shqiptare në internet mund të ndahen në dy kategori madhore. Ato që i lejojnë komentet për shkrimet që botojnë gazetarët ose editorialistët dhe ato që nuk e parashikojnë fare hapësirën e komentit. Kategoria e dytë vijon ta respektojë traditën e mediumit të letrës, duke u paraqitur me të njëjtën veshje e filozofi, si një lloj shtrirjeje e mediumit të vjetër drejt të riut: i njëjti trup me veshje të reja, e njëjta përmbajtje me formë të re. Me fjalë të tjera, në thelb ka ndryshuar vetëm celuloza e letrës, që tashmë jepet me html, pa harruar gjithë ndërlikimet e risitë e pashmangshme. Këtu mund të fusim, sa për të dhënë një shembull, gazetën “Shqip”, që nuk lejon komente për shkrimet e veta, madje ngarkon deri edhe versionin e plotë të gazetës në pdf.

Në kategorinë e parë mund të përfshijmë gazetën “Shekulli”, ku çdo artikull ose lajm mund të komentohet sipas qejfit. Në këtë rast, mund të themi pa frikë se mediumi e ka ndryshuar thelbësisht gazetën, e cila nuk paraqitet vetëm si mjet informacioni por edhe si hapësirë diskutimi për të gjithë. Kemi të bëjmë me dy zgjedhje, sa të ndryshme aq edhe të ligjshme. Tek e fundit, edhe në vende perëndimore, regjistrohen të njëjtat tipologji organesh informative online.

Cila është zgjedhja më e mirë? E bërë në këtë mënyrë, pyetja nuk ka shumë kuptim, sepse gazetat duhen parë në kuadrin e misionit e të objektivave të veta. Kategoria e parë mund të thotë se ka për synim informimin e publikut, e dyta mund të shtojë se dëshiron ta përfshijë publikun në debate të ndryshme. Të dyja zgjedhjet kanë koherencën e vet të brendshme, në përputhje me projektin fillestar kur kanë hartuar për gazetën. Nuk është e thënë gjithashtu, që me kalimin e kohës organet e shtypit të mos i ndryshojnë kostumin grafik e konceptimin e marrëdhënies me publikun.

Zgjedhjet e mësipërme bien në kundërshti në çastin kur komentohen editorialistët ose opinionistët. Kategoria e parë nuk e ka këtë problem, sepse nuk ia lejon publikut a priori; e dyta u jep lexuesve liri të plotë për të komentuar shkrimet e editorialistëve, duke i vënë këta të fundit përballë gurëve të turmës. Problemi i parë lidhet me editorialistët, të cilët gjenden të pambrojtur përballë furisë së vulgut (pavarësisht se ka editorialistë që shkruajnë më keq se komentuesit; kjo është çështje tjetër). Gjithsesi, editorialistët nuk mund të përgjigjen, sepse nuk mund t’i bëjnë ballë histerisë kolektive, ngaqë komentet nuk moderohen e ngaqë vetë autori nuk mund të identifikohet dot nga anonimët e internetit. Problemi i dytë lidhet me vetë gazetën, e cila lejon përdhosjen e atyre figurave të cilave u ka deleguar interpretimin e çështjeve më të mprehta të aktualitetit.

Këtu lipset një parantezë e veçantë. Gazetat, për mendimin tim, e kanë për detyrë t’i mbrojnë editorialistët e vet, sepse kështu mbrojnë vetveten. Në fakt, orgnet e shtypit shpeshherë identifikohen nga publiku pikërisht nga opinionistët që shkruajnë aty. Pra lidhja e gazetës me editorialistët është shumë më e ngushtë seç mund të duket në pamje të parë.  Përkundrazi, anarkia totale që vihet re në hapësirën e diskutimit nëpër internet, lë të nënkuptojë se gazeta sikur distancohet nga mendimi i editorialistëve të vet, përderisa i braktis në mëshirën e bishave virtuale. Çka përbën, në rastin më të mirë, diçka të pazakontë.

Liria që eksperimentohet në faqet në linjë të gazetave është liria e xhunglës, ku secili mund të bëjë çdo gjë, pa kurrfarë rregulli. Pjesa poshtë shkrimeve, për nga era e qelbur e komenteve, ngjason më shumë me nevojtoret publike, madje nga ato pa pastrues brenda, ku çdokush mund të nxjerrë lapsin e të ndyjë muret pa shkarkuar ende ujin. Autori i shkrimit as që mund t’i afrohet pa u pajisur me kundërgaz të posaçëm. Si i bëhet? Moderimi i përgjegjshëm, sipas modelit të blogut, do të ishte rruga e mesme e atyre që nuk duan ta modelojnë gazetën sipas standardeve klasike, por t’u japin mundësi lexuesve ta shprehin mendimin e tyre.

Dikush mund të thotë se u takon komentuesve t’i respektojnë rregullat minimale të debatit e të mirësjelljes. Dakord, por ndërkohë që komentuesit vetëedukohen, mirë është që disa rregulla të vihen.

Advertisements
%d bloggers like this: