Siluetat e komentit

Blogosfera shqiptare ka ardhur duke u zgjeruar vitet e fundit, çka do të thotë se janë rritur edhe komentet që u bëhen shkrimeve të ndryshme. Nga pikëpamja sasiore rritja është e dukshme, nga ana cilësore gjykimi duhet pezulluar; në fakt, nuk mund të flitet për zhvillim harmonik të blogosferës shqiptare, të paktën në lëmin e komenteve. Këto të fundit janë rritur progresivisht që kur mediat tradicionale lejuan komentimin e shkrimeve të veta në linjë, duke iu afruar formës së blogut, pavarësisht se autori zakonisht nuk merr pjesë në diskutim. Gjithsesi, një farë bilanci për komentuesit në internet – galeria e të cilëve është me të vërtetë e pasur – nuk duket i parakohshëm.

Më tej po japim disa profile komentuesish, që enden e shfaqen nëpër diskutime virtuale në shqip, me bindjen se nuk mund të jenë aspak shteruese. Komentuesit e blogut “Peizazhe të Fjalës” përjashtohen me përkufizim, janë tejet të veçantë për t’u përgjithësuar, ndaj nuk duhet ta kërkojnë veten nëpër personazhet e kategorizuar më poshtë. Apo jo? Personalisht p.sh. bëra një provë për të parë në cilin grupim bëja pjesë: pas hetimit psikologjik e pashë veten të pasqyruar në disa figura njëkohësisht. Hoqa dorë, natyrisht.

Ja profilet e komentuesit:

Standardi – komentuesi standard është ai që u jep jetë blogjeve. Është oksigjeni i diskutimit. Pa të vetë blogjet nuk do të ekzistonin. Ky komenton normalisht, diskuton normalisht, debaton normalisht, gjithnjë duke respektuar rregullat e odës; e koncepton blogun si pasurim të ndërsjellë. Mungesa e tij dallohet kur nuk komenton, si puna e ujit, ia njeh dobinë kur je në shkretëtirë.

Profesionisti – ky komenton çdo mesazh që i kalon para syve. Komenti për të është punë, si ara për bujkun, si buka për furrxhiun, si kontrolli për doganierin. Është ai që kushtëzon artikullshkruesit. Këta, kur nuk shohin komente prej tij hyjnë në krizë.

Ekzistencialisti – ky e lidh ekzistencën e vet me aktin e komentimit, ndërsa identitetin me përmbajtjen e komentit. Merr jetë vetëm në hapësirën e komentit, ndërsa komenti bëhet mënyra më e përshtatshme për komunikim. Po t’i thuash “Bëje ti një shkrim”, stepet ose e fillon me “Nuk dija ç’të komentoja, atëherë u ula për të shkruar…”.

Nihilisti – është ai që i vë katra gjithkujt e gjithkund. Ti mund të kesh shkruar shkrimin më të bukur të vitit, traktatin e jetës, shkrimin më interesant, kandidat për çmimin Pulitzer, por ai ta likuidon me indiferencë: “Ia ke futur kot…”, “mos harxho kohën me këto paçavure”.

Entuziasti – përkundrazi, ky shpërndan nëpër internet vetëm pjalmin e fjalëve të mira. Në fakt, për këtë tip, komentet janë thjesht komplimente. Zakonisht është i padëmshëm. Bëhet i dobishëm kur me fjalët e veta neutralizon nihilistin.

I përpikti – komentet i bën me laps në dorë. Nuk i shijon shkrimet si të gjithë, por kërkon me ankth gabimet në tekst, të cilat ia sinjalizon menjëherë lexuesve, duke dëshmuar tërthorazi superioritetin e vet. Kriza e tij shfaqet kur nuk gjen gabime. Në atë rast i shpik vetë, në bazë rregullash shtëpiake. Komentet e veta nuk i shkruan mirë, por kjo nuk bën pjesë në “misionin” e tij.

Kameleoni – merr ngjyrat e blogut ku komenton. Është i egër me kritikët, i butë me refleksivët. Leksiku i tij i ndryshon ngjyrat sipas hapësirës virtuale, ndonjëherë nga vetë dizajni i faqes.

Fantazma – është ai komentues që nuk komenton. Është më i pranishmi me mungesën e vet. Përbën shumicën. Nuk është se nuk ka mendime, por nuk dëshiron t’i thotë. I tërhequr në refleksionet e veta, u beson përsiatjeve të artikullshkruesit. Kur nuk është dakord ndërron faqe, nuk e thotë. Është i ndrojtur, por respektues.

Kërcimtari – bëhet fjalë për atë që i koncepton komentet si trampolina për të kërcyer nga dega në degë, nga një temë në një tjetër, shpesh pa lidhje. Në rastin më të mirë, kur ti flet për mjekësinë ai përmend doktor Berishën, kur flet për lapsat me ngjyra flet për Edi Ramën. Nuk kërcen vetëm në tema politike. Por ka edhe më keq, mund të trajtosh temën e UFO-ve dhe ai të thotë emrat e jashtëtokësorëve që kishte në shkollë, pastaj analizon programet shkollore. Nuk kthehet në vathë edhe sikur ta gjuash me çifte.

Pshurrani– mund të quhet kështu ai komentues që e shenjon blogun si kafsha territorin. Ai dëshiron vetëm të thotë se është aty dhe se nuk mund ta injorosh. Nuk thotë asgjë nëpërmjet komenteve, përveç faktit se ekziston dhe se kontrollon me vigjilencë. Çfarë? Territorin virtual.

Demokrati– është ai tipi që në çdo koment përmend të drejtën e fjalës. Nuk i intereson shumë fjala, por e drejta. Është nga ata që duan ta dëgjojnë zërin e vet kur flasin. Po i the se e ka gabim, të hedh në gjyq drejt e në Hagë, për totalitarizëm virtual, pastaj kërkon strehim politik në ndonjë blog tjetër.

Lakoniku – këtij kategoria e komentuesve i rri ngushtë, sepse nuk përdor shumë fjalë. Më shumë se komente, jep vendime gjyqësore: “Shumë e drejtë”, “Shkrim i saktë”, “Duhet thelluar më shumë”.

Moskomentuesi – ai që lajmëron se nuk ka asnjë koment. Kemi të bëjmë me një oksimoron të gjallë. Thotë: “Nuk ka nevojë ta komentoj”, “Nuk po them asgjë se kuptohet vetë”.

Konfidenciali– në vend që t’i komentojë shkrimet, pyet komentuesit e tjerë për gjëra personale: “Po ti ku jeton?”, “Ku e ke bërë ushtrinë?”, “Mos jemi takuar gjë në Lezhë?”. Është ai që rrugës të pyet për orën, sa për të hyrë në muhabet. Në internet detyrohet të bëjë e-maile në kufijtë e ngacmimit.

Emotikoni – është ai që nuk shkruan por komunikon me emotikone, fytyrëza me buzëqeshje, lotë e sy të mërzitur. Ka shkarkuar nga interneti përmbledhjen më të pasur të emotikoneve. I ka të gjitha, ka edhe emotikonin që tregon nostalgji të përzier me melankoni. Nuk e ka nga përtacia, është i bindur se imazhi është i epërm në raport me fjalën.

Metakomentuesi – ky ka probleme me përcaktimin e objektivit. Nuk e ka kuptuar ende që hapësirat e komenteve janë për shkrimin jo për të komentuar komentet e të tjerëve.

Udhërrëfyesi– jep nëpër komente lidhje të tjera interneti. Shikoni këtë videon këtu, lexoni këtë artikullin atje, vëreni këtë pamjen këtu. Është një lloj dispeçeri i hapësirës virtuale. Zakonisht e pasuron diskutimin, por ndonjëherë e nxjerr atë nga binarët normalë.

Rrodhja – është ai komentues që i qepet njërit e nuk i ndahet derisa të ndërhyjë administratori i faqes, në një nga ato mëngjeset pa kafe. Rrodhja e personalizon diskutimin, e koncepton si duel mesjetar, i harron të tjerët, ka vetëm një synim: asgjësimin e komentuesit kundërshtar.

Hakmarrësi – quhet kështu ai që ia nxjerr inatin personal autorit duke komentuar negativisht. Komentet janë gjithnjë denigruese, a priori, por për arsye që shkojnë përtej tekstit. Inati mund të jetë i largët, p.sh. sepse në fillore autori i vodhi bukën me gjalpë, sepse në të mesme i rrëmbeu të dashurën, në universitet i mori virgjërinë.

Karrocieri – ky nuk bën komente, bën monologë, herë interesante e herë llogje. Thotë mendimin e vet, nuk lexon komentet e të tjerëve, rithotë mendimin e vet, nuk lexon reagimet. Është si kalë karroce, ecën vetëm drejt. Por objektivi nuk njihet.

Partiaku – kur komentet e çfarëdolloj teme devijohen rregullisht në politikë, atëherë kemi të bëjmë me figurën e partiakut. Ky i bie në një vrimë, me një tel, me një ton. Çdo gjë e lidh me politikën, pa e fshehur përkatësinë, përkundrazi. Ti flet për gjeologjinë e hënës, ai ta kthen me rolin e qeverisë në studimet gjeologjike; ti flet për historinë e mongolëve, ai ta kthen me manipulimin e historisë; ti flet për dashurinë, ai ta kthen me dashnoret e politikanëve kundërshtarë.

Kam harruar ndonjë pa përmendur?

 

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (26 nëntor 2011)

Advertisements
%d bloggers like this: