ME “JU”, TË LUTEM

Në Shqipërinë e sotme nuk është e vështirë ta dallosh rënien e theksuar të përdorimit të përemrit vetor “ju” me funksionin e nderimit e të respektit gjatë bashkëbisedimit. Ta përcaktosh saktë përdorimin e “ju”-së, në kohë e nga pikëpamja sasiore, është e vështirë për këdo, aq më tepër në mungesë të studimeve të posaçme, por është njëkohësisht e lehtë ta verifikosh atë në praktikë, të paktën në krahasim mes epokash madhore. Fakti është se të folurit me “ju”, kur i drejtohemi dikujt në shenjë nderimi, po përdoret gjithnjë e më pak në ditët e sotme dhe po zëvendësohet  me formën “ti”, që sundon tashmë kudo: nga shkolla në parlament, nga trotuari në televizion, nga sms në e-mail.

Për këtë kuptuar arsyet e kësaj dukurie, që detyrimisht i kalon kufijtë e gjuhësisë, duhet pranuar që në fillim se forma “ju” përbën kodifikimin e mënyrës së bashkëbisedimit midis dy personave të caktuar që duan të nënvizojnë disa aspekte jashtëgjuhësore të marrëdhënieve të tyre. Rregullat gjuhësore të mirësjelljes shenjojnë largësinë ose nderimin midis bashkëbiseduesve. Në shqip, sikurse në gjuhë të tjera, kundërvënia qëndron midis përemrit vetor “ti” dhe “ju”. I pari tregon afërsinë, familjaritetin, i dyti largësinë, mosnjohjen; jo rrallë të dy bashkë shenjojnë asimetrinë në bashkëbisedim. Ky rast i fundit vihet re kur flasin bashkë mosha të ndryshme. Adoleshenti nuk e ka të vështirë t’i drejtohet  me “ju” të moshuarit, ndërsa ky e ka më të lehtë t’i drejtohet me “ti”.

Shumësi “ju”, për të treguar mirësjellje, por edhe role të ndryshme në bashkëbisedim, gjendet në shumë gjuhë. Në frëngjisht, për shembull, gjejmë kundërvënien e ngjashme tu/vous, kurse gjuhë të tjera si italishtja, spanjishtja, gjermanishtja, anglishtja, e kanë zgjidhur ndryshe kundërvënien midis përemrave vetorë që tregojnë dallim në bashkëbisedim. Pa dashur të hyjmë në hollësira gjuhësore krahasuese, kujtojmë se edhe italishtja e dikurshme e kishte dallimin tu/voi (madje në jug përdoret ende në forma dialektore), sikurse anglishtja e kishte dikur kundërvënien pavarësisht se me kalimin e kohës shkoi drejt humbjes. Pavarësisht nga diferencat nga një gjuhë në tjetrën, duhet nënvizuar fakti se gjuhët përgjithësisht e kanë kodifikuar në kohë dallimin social në bashkëbisedim.

Në planin diakronik ndryshimet e përdorimit të përemrave vetorë (alokutivë) janë tejet të dukshme pikërisht sepse u referohen situatave të caktuara sociale, pra kanë një lidhje të veçantë me marrëdhëniet shoqërore që krijohen midis individëve bashkëbisedues në epoka të ndryshme. Në shumë gjuhë, jo shumë kohë më parë, edhe bashkëshortja i drejtohej burrit me “ju”, për të mos folur për bashkëbisedimet midis mbretërve, aristokratëve, pronarëve, parisë në përgjithësi, me ata që mund të quhen vartës ose gjithsesi më poshtë në shkallaren sociale të asokohe. Çdo gjuhë e ka një histori të përdorimit të përemrave alokutivë, transformimi i të cilëve mund të japë edhe hartën e ndryshimeve shoqërore.

“Ju” ka të bëjë gjithsesi me pushtetin ose me hierarkinë në shoqëri. Në këtë rast na vjen në ndihmë një studim i famshëm i Brown R. e Gilman A. në vitin 1960 me titull “Përemrat e pushtetit e të solidaritetit” (The pronouns of power and solidarity). Sipas studiuesve amerikanë trajtat alokutive modelohen sipas dimensioneve të pushtetit e të solidaritetit. Deri para dy shekujsh, sipas tyre, mbizotëronte dimensioni i parë, ku reciprokësia nuk ekzistonte, si rrjedhojë komunikimi ishte asimetrik; dy shekujt e fundit gjërat kanë ndryshuar meqë përemrat po përdoren në një mjedis solidariteti, reciprokësie, pra simetrike.

Mirëpo dallimet nuk kufizohen vetëm brenda qerthullit pushtetor. Aktualisht mund ti flitet me “ti” gjithkujt pavarësisht nga titujt që mund të gëzojë. Madje mjafton që dy persona të bien dakord të flasin me “ti” dhe diferencat në bashkëbisedim anulohen. Nga ana tjetër, nga pikëpamja gjuhësore, jo gjithnjë respekti jepet nëpërmjet përdorimit të “ju”-së. Tradicionalisht në shqip është përdorur veta e dytë njëjës, në rastet e të folurit me nderim, por janë shtuar gjithnjë fjalë që jepnin idenë e dallimit social, gjithsesi të respektit të bashkëfolësit: “Si je gdhirë zotrote?”, “A mujte, bacë?”.

Nga pikëpamja sociale, shprehjet gjuhësore dhe mirësjellja përbëjnë një farë lubrifikimi, pasi synojnë minimizimin e tensionit gjatë komunikimit dhe ruajtjen e harmonisë. Parë në përgjithësi, shenjat e dallimeve në bashkëbisedim, gjuhësore e jashtëgjuhësore, verbale ose xhestuale, dëshmojnë një karakteristikë universale kulturore, që ka të bëjë, sipas studiuesve, me bashkëjetesën sociale, e detyrueshme për nga natyra. Tipare të tjera specifike, lidhen me kontekstin social ku janë krijuar, por jo me funksionin thelbësor. Kështu, heqja e kapelës mund ta zëvendësojë fare mirë përdorimin e “ju”-së verbale, sikurse kjo mund ta zëvendësojë më së miri përuljen në shenjë nderimi.

Zbatica e “ju”-së kohët e fundit ka të bëjë me zhvillimet socio-kulturore. Ithtarët e “ti”-së e lidhin përdorimin e këtij përemri me demokracinë. Në fakt, “ti”-ja tingëllon moderne, demokratike, e shpejtë, televizive. Me një fjalë angleze do ta quanim “cool”. Nga ana tjetër e rrugës, gjendet vetori “ju”: i largët, i vjetruar, i mykur, muzeor. Ky perceptim është mjaft i përhapur në botën anglosaksone, meqë “you” përdoret e pandryshuar, si në vetën e dytë njëjës ashtu edhe shumës (anipse historia e shpjegon ndryshe transformimin). Mjetet e kumtimit masiv e kanë eksituar pa masë përdorimin e vetorit “ti”. Në botën e internetit, përjashto ndonjë e-mail drejtuar qeveritarëve ose profesorëve, mbretëron pa rivalë “ti”-ja. Në chat, blogje, forume, e të tjera dhoma virtuale, në fakt nuk ka alternativë tjetër, madje as kërkohet, ngaqë është mediumi vetë që e nënkupton joformalitetin në komunikim. Po kështu sms-ja, e cila e përjashton largësinë implicite të “ju”-së, pasi komunikimi bëhet midis dy telefonave celularë, mjete tejet personale, që përderisa kumtohen ndërvedi vërtetojnë gjithsesi një farë familjariteti.

Në botën shqiptare kanë ndërvepruar tashmë të gjitha risitë e teknologjisë moderne, sikurse hapja ndaj botës në përgjithësi. Vërshimi i papërmbajtur i formës “ti” në komunikimin shqiptar duhet parë si pasojë e hapjes demokratike, por edhe i kundërshtive që përmbante vetë sistemi totalitar në këtë pikë. Në kohën e totalitarizmit, siç dihet, përdorej forma “shoku” dhe jo “zotëri”. Dallimi kishte në thelb nuanca politike, meqë u referohej klasave të dikurshme shoqërore, porse përdorimi i “shokut” e tejkalonte fushën zanafillore. Kundërshtia qëndronte pikërisht këtu, meqë “shoku” synonte eliminimin e dallimeve klasore (jemi të gjithë të barabartë, askush nuk është zot i tjetrit), por nga ana tjetër shpeshherë forma “shoku” kërkonte përdorimin e “ju”-së (“Ju, shoku mësues”, shiko Fjalorin e shqipes 1984).

Pas kalimit në sistemin pluralist, përemri vetor “ju” normalisht duhet të kishte pasur një rritje graduale në komunikim, qoftë vetëm për ringjalljen e “zotit” të vjetër, që përshenjon detyrimisht respekt e distancë, pra vetën e dytë shumës. Kjo nuk ndodhi sepse dallimet e rolet sociale në kohën e totalitarizmit u perceptuan si ngurtësi, sikur të ishin të gjitha me prejardhje politike. Edhe forma “zotëri” kaloi një periudhë limboje, midis dy doganash, sepse forma “shok” refuzohej si politikisht e pasaktë, por “zotëri” dukej ende artificiale për t’u përdorur natyrshëm. Nuk duhet harruar gjithashtu, se strukturat sociale paratotalitare, përfshirë edhe familjen, pësuan ndryshime rrënjësore, në një farë mënyre u lëngëzuan, për t’u kristalizuar sërish në forma të reja. Statuset e ndryshme sociale u rimodeluan në një kohë të shkurtër, ndërsa respekti vetë nuk ndizej më me karburantet e dikurshme. Në këtë kuadër, faktori i migracionit brenda e jashtë vendit ka pasur rëndësi të madhe, sepse ka rritur lëvizshmërinë e popullsisë.

Mirëpo ka diçka që nuk shkon në arsyetimin e mësipërm, pasi lëvizshmëria e shoqërisë rrit edhe mosnjohjen midis individëve. Si rregull, “ti”-ja duhet të përdorej më pak në qytetet shqiptare ku fytyrat e panjohura rriten përditë e ku fytyrat e njohura ndryshojnë dita ditës. Shpjegimi duhet gjetur pjesërisht tek kapërcimi i shpejtë i roleve në Shqipërinë postotalitare, ku merita nuk ka ndonjë peshë domethënëse dhe ngjitjezbritjet në shkallaren sociale janë shpeshherë të rrufeshme. Duhet marrë parasysh gjithashtu se edukata dhe mirësjellja nuk e kanë pasur jetën të lehtë në Shqipëri, si në totalitarizëm ashtu edhe në pluralizëm. Ka një shirit të përbashkët, me emrin vrazhdësi, që e rrethon Shqipërinë e dekadave të fundit. Vrazhdësia mund të merret si koncept i mëvetëm, abstrakt, por që shprehej në mënyra të ndryshme në epoka të ndryshme. Krahasimet midis varfërisë së djeshme e asaj të sotmes, midis burgjeve të djeshme dhe dhunës së sotme, mund të krijonin keqkuptime të gjithanshme; pra është mirë të shmangen sepse do të kërkonin detaje saktësuese të pafund. Në analizë të fundit, mund të thuhet se kjo vrazhdësi konstante, nga epoka në epokë, nga regjimi në regjim, mund të shihet tek pakujdesia dhe indiferenca ndaj njeriut, tek mosrespektimi i dinjitetit njerëzor.

Në këtë prizëm, e folura me “ti” ose me “ju” shfaqet thjesht si llambushkë e mosfunksionimit të mirësjelljes në shoqërinë shqiptare. Por problemi mund të shikohet edhe nga pikëpamja psikologjike. Ka njerëz që parapëlqejnë përdorimin në shumës të përemrit vetor për arsye personale: janë të ndrojtur, nuk duan të familjarizohen, duan të mbajnë distancë, e konsiderojnë të paprekshme sferën personale, vuajnë nga fobi sociale. Ekziston, me fjalë të tjera, edhe një hapësirë personale që shenjohet nga sinjalistika verbale. Në këtë kuptim, midis dy personave, kur dikush vazhdon të flasë me “ju” dhe tjetri insiston me “ti”-në bezdisëse, mund ta quajmë një farë dhune, dakord pothuajse e padukshme e pa pasoja, por kemi të bëjmë me një provokacion ndaj hapësirës së tjetrit, duke ia shkelur kufirin paq.

Ata që janë emigrantë në vend jo anglosaksone e dinë nga përvoja se në vendet pritëse njerëzit priren të flasin me “ti”, kinse për të lehtësuar bashkëbisedimin me “të huajin”. Kjo gjendje mund të mirëkuptohet deri në një farë pike, në kontekste të caktuara, gjatë punës për shembull, kur ustai i shpjegon punën suvatuesit; por kur imigranti paraqitet para zyrave të shtetit, “ti”-ja që përdor zyrtari pas sportelit me xham, duke i shqiptuar fjalët me shpejtësi të ngadalësuar, sikur lë shije të hidhur, përderisa pararendësit i fliste me formën e mirësjelljes e normalisht. Komunikimi në këtë rast paraqet ndërlikime, kurse “ti”-ja është thjesht alibi për të fshehur hierarki të padëshirueshme e inekzistente.

Në vetvete, as triumfi i sotëm i “ti”-së, as kolapsi i “ju”-së, nuk përbën ndonjë problem të madh sikur shoqëria shqiptare të kishte gjetur forma të tjera gjuhësore për të komunikuar mirësjelljen. Është e vërtetë që komunikimi me “ti” e rrit konfidencën midis personave, e thjeshton atë, por jo gjithnjë konfidenca është raporti që krijohet midis njerëzve, madje ka raste që as mund të krijohet, qoftë për arsye protokollare. Nga ana tjetër, “ju” vërtet e rrit distancën midis bashkëbiseduesve, por ka gjasa që ta masë drejt atë fillimisht, për të kaluar më pas me forma të tjera. “Ti”-ja duket si e rrëmbyer, e parakohshme, e gjithsesi problematike, nëse nuk gjendet mirë regjistri i komunikimit. Me pak fjalë, kalimi nga “ju” tek “ti” është i natyrshëm e ndodh pa trauma bisedore; e kundërta, pra kalimi nga “ti” në “ju” mund të lërë ndonjë papastërti në kanalin e komunikimit.

Po të bënim fantagjuhësi, mund të thoshim se pas shumë kohësh në shqip do të zhdukej tërësisht përemri vetor i dytë shumës me funksionin e lartpërmendur. Për inat të “konservatorëve” dhe për qejf të “progresistëve”. Kjo mund të ndodhë, por ky funksion duhet të zhvendoset në plane të tjera gjuhësore ose jo, përndryshe do të kishim një varfërim të komunikimit, për të mos thënë të marrëdhënieve shoqërore. Nuk është e tepërt të thuhet se pas dy rregullave të thjeshta gjuhësore, qëndron ideja vetë e rregullave dhe e respektit të tjetrit, mungesa e të cilave mund të çojnë deri në anomi. Madje ka diçka më të thellë se vetë rregullat, ndoshta me lirinë siç ka thënë një filozof, përderisa historia na ka treguar se kundër formave të mirësjelljes janë vërsulur roberspierët, leninët, musolinët, enverët. Historia, gjithashtu, na ka dëshmuar se rreziku nuk vjen gjithnjë nga një emër i frikshëm nga lart. Shqiptarët, falë të kaluarës së afërt, mund ta kuptojnë fare mirë se thellë thellë sfida nuk qëndron mes dy përemrave të vegjël, por midis nesh dhe shoqërisë që duam të krijojmë.

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (20 nëntor 2011)

Advertisements
%d bloggers like this: