Petkat e Republikës

Mësojmë nga shtypi se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur hapur për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit në Shqipëri dhe për të ardhmen e tij pas mbarimit të mandatit të tij. Për pikën e dytë nuk mund të thuhet shumë, përveç urimeve më të përzemërta në adresë të Presidentit Topi për suksese të mëtejshme në fushën politike.

Përkundrazi, për pikën e parë mund të thuhet shumë. Madje do të ishte habi sikur të mos hapej një debat i ndezur për të ardhmen e rendit kushtetues në Shqipëri. Presidenti shqiptar Bamir Topi citohet të ketë thënë:

“Çështja e zgjedhjes së Presidentit nëse do të jetë në opsionin në një mazhorancë të thjeshtë, e cila kuptohet që është politike, apo do të jetë në popull. Unë personalisht, preferoj standardin më të lartë të demokracisë, të zgjedhjes direkt nga populli” […] “Të dyja janë legjitime: edhe zgjedhja nga Parlamenti, edhe zgjedhja nga populli. Në preferencat e mia duke iu referuar standardeve më të larta të demokracisë do të mendoja se zgjedhja nga populli do të ishte zgjedhje relative më e mirë” […] “detyra e Presidentit, është sipas Kushtetutës, simboli i unitetit të popullit. Fakti që ka këtë emërtim në Kushtetutë, i jep të gjitha shpjegimet racionale që Presidenti do të jetë shumë mirë të zgjidhet nga populli. Jo domosdoshmërisht”. [nënvizimet janë të miat]

Pozicioni presidencial është tejet i qartë. Tema është përnjimend stimuluese, ndaj po rreshtoj pa shumë mëtime disa mendime personale që nuk burojnë nga ndonjë formim ngushtësisht juridik, por bëhen pa dyshim me respekt thellësisht përnderues për institucionin e Presidentit.

Fillimisht duhet thënë se zgjedhja e Presidentit nuk mund të veçohet nga sistemi kushtetues. Në rast se Presidenti i Republikës do të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli, do të kishim të bënim me një sistem presidencial ose gjysmëpresidencial, çka do të lypte rishikim të plotë të Kushtetutës aktuale. Presidenti i zgjedhur me votim nga populli ka veshje e ngarkesë politike më të fortë se presidenti i tanishëm, si rrjedhojë do të rezultonin të domosdoshme baraspeshime të tjera, sepse të tanishme do të ishin të pavlefshme.

Kushtetuta i jep Presidentit, si gjithë të tjerëve, të drejtën e fjalës, ndaj ai mund t’i deklarojë lirisht parapëlqimet e veta në këtë apo atë fushë. Gjithsesi, praktika e botës perëndimore dëshmon se Presidenti në detyrë e sipër nuk shprehet për mënyrën e zgjedhjes së postit të tij. Kjo për arsye oportuniteti, që të mos lëndojë prerogativat e institucionit tjetër (Parlamentit) e gjithsesi t’i largojë dyshimet se po “luan për vete”. Nga ana tjetër, nuk tingëllon mirë që Presidenti të kritikojë metodën falë së cilës është përftuar ai vetë. Sepse duket sikur mënyrën e zgjedhjes e ka pësuar, e ka pranuar me zor, meqë ka pasur në zemër preferenca të tjera. Ndoshta po e teproj, ndoshta po kërkoj ledhatime në ring kikboksi, por finesa dhe forma është në thelb përmbajtje.

Nuk besoj se mund t’u aplikosh ndonjë hierarki standardesh mënyrave se si zgjidhet Presidenti. Me fjalë të tjera, nuk ka listë ku të klasifikohen presidentët sipas mënyrës së zgjedhjes. Presidenti italian nuk është më pak demokratikisht i zgjedhur se sa ai francez, apo amerikan. Janë jo vetëm zgjedhje legjitime (çka duket i tepërt si pohim meqë çdo akt që respekton ligjin në demokraci është legjitim), por qëndrojnë në të njëjtin rrafsh përsa i përket standardeve demokratike. Zgjedhja e Presidentit gjerman nuk i referohet standardeve më të ulëta demokratike se sa zgjedhja e presidentit brazilian për shembull.

Gjithashtu, përfaqësimi i unitetit të popullit nuk varet nga mënyra se si është zgjedhur Presidenti, por nga roli i institucionit të Presidencës (që ia jep Kushtetuta) dhe ushtrimi i detyrës së Presidentit. Parë ngushtë, pra nga pikëpamja zgjedhore, nuk është se Presidenti amerikan përfaqëson unitetin e popullit. Madje ai mund të zgjidhet nga një pakicë e papërfillshme e popullit (jo votuesve), në një mjedis konfrontimi të ashpër dhe me forca politike tejet të polarizuara. Presidenti italian p.sh. e përfaqëson unitetin e qytetarëve e të vendit, edhe pse nuk është zgjedhur direkt prej tyre.

Cila është mënyra më e mirë e zgjedhjes së Presidentit në Shqipëri? Nuk e di me siguri, por njoh më së miri mënyrat më të këqija se si mund të zgjidhet një President. Së pari, kuvendi duhet bërë sipas vendit. Pra nuk mund të huazohen shabllon formula të huaja për t’ia veshur realitetit shqiptar. Në vetvete nuk do të ishte veprim i paparë, duke pasur parasysh se kulti i kargove në Shqipëri është aq i fortë saqë mund të ngrihet edhe në Kushtetutë. Por pamjet e bukura të Presidentit amerikan, që përshëndetet me flamuj me yje nga njerëzit, nuk do të thotë se mund të shihen automatikisht nëpër sheshet shqiptare por me ngjyra vendore kuqezi. Ekuilibri i institucioneve amerikane është legjendar, anipse jo i përkryer; gjithsesi është fryt i historisë amerikane. Së dyti, forma e qeverisjes së republikës varet edhe nga kultura politike. Nga pikëpamja formale çdo gjë mund të jetë e përkryer, por pastaj mund të degjenerojë në republikë bananesh.

Në Europë sistemet presidenciale duhen parë si përjashtim, jo si rregull. Nga ana tjetër, nuk mund ta kërkosh zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit e pastaj t’i lësh të njëjtat kompetenca që ka sot. Në rast të tillë, posti i Presidentit bëhet automatikisht më “politik” dhe i kundërvihet pushteteve të tjera ndryshe. Për më tepër, sistemi demokratik shqiptar duhet të pajiset me të gjitha “pengesat” e mundshme për ta shmangur “njëshin”, “dorën e fortë”, “të madhin fare”, pra autoritarizmin. Kjo kushtëzohet nga vetë historia e vonë, si dhe nga disa shfaqje jo të këndshme në periudhën pluraliste. Jo vetëm kaq. Në qoftë se populizmi përvijohet si kanosje reale për demokracinë në Shqipëri është mirë të mos bëhen zgjidhje që e galvanizojnë atë. Në qoftë se në demokraci pushtetet duhet të jenë të ndara, është mirë të mos forcohen institucione në kurriz të të tjerave.

Në Shqipëri diskutohet shpesh në bazë konjukturale. Pa menduar se format e republikës zgjasin më shumë se e tanishmja dhe se karriera politike e njërit apo tjetrit. Shumëkush mund të mendojë se zgjedhja e presidentit me votim direkt është e mirë sepse shanset janë sërish për Bamir Topin. Kjo mund të jetë e vërtetë, edhe pse nuk kam konsultuar sondazhe paraprake. Topi, si president i së nesërmes, mund ta administronte me përgjegjësi pushtetin e marrë drejtpërdrejt nga populli, mund të mos dehej nga gurra popullore, mund t’i rrinte larg tundimit autoritar, por kjo nuk është garanci për dikë tjetër, për dikë që mund të jetë edhe më i zoti të lundrojë në turma oqeanike. Gjithashtu, nuk mund të bëhen zgjedhje të tilla afatgjate kundër dikujt tjetër. As nga simpatia që kemi për modelin e një vendi apo një tjetri. Mbetemi gjithnjë në fushën e konjukturave.

Së fundi, me bindjen se çështja e formës së republikës është shumë më serioze e shumë më komplekse se sa e paraqesin radhët e mia modeste, them se do të ishte i udhës një debat i hapur publik, ku të përfshiheshin edhe ekspertë të fushës, të brendshëm e të jashtëm, por pa i dhënë patentën e së vërtetës absolute, sepse çështja e formës së qeverisjes shkon përtej kompetencave politiko-juridike. Tendenca e personalizimit të çështjes vetëm sa e çekuilibron arsyen, fusha magnetike e sistemeve të vendeve perëndimore vetëm sa e çorodit busullën, kurse filozofia e “rrugës së shkurtër”, pra e zgjidhjes së kontradiktave të politikës së sotme me një të “rënë sëpate”, mund të çojë në krijimin e problemeve të tjera, në mos të qarqeve të shkurtra. Si të thuash, duhet menduar mirë e gjatë, para se të merren vendime, që gjithsesi mbesin. Pas diskutimeve të shumta e të thelluara ndoshta Presidenti ynë ndërron mendje, por jam gati ta bëj edhe unë nëse më bindin me argumente të vlefshme.

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (28 mars 2011)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: