Partitokracia kundër

Nëse partitokracia ka të bëjë me patologjinë e veprimtarisë normale të partive, me hipertrofinë e tyre totalizuese, atëherë vëmendjen duhet ta drejtojmë fillimisht tek arsyet e degjenerimit të politikës.

Në Shqipëri mund të flitet për partitokraci, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera europiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur partitokracia jonë të mos prezantohej alla shqiptarçe.

Me pak fjalë, partitokracia merr formë në çastin kur realizohet dominimi i partive në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëtohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të partive të mëdha në vend. Disa karakteristika të jetës politike në Shqipëri, të rreshtuara nga A. Vehbiu, e dëshmojnë fare mirë këtë tendencë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen e kompetencave dhe prerogativave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike; polarizimi i qëllimshëm i politikës.

Një nga tiparet universale të partitokracisë është edhe monopoli i veprimtarisë politike. Në Shqipëri, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, somnambul, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive. Të jemi të qartë, me politikë në këtë rast nënkuptojmë veprimtarinë e bashkësisë së polis-it të lashtë, pra në kuptimin më të gjerë të jetës civile, ku pjesëmarrja të jetë emëruesi i përbashkët.

Në rast se do të merrnim si kriter rrënjosjen e partive, për të diagnostikuar partitokracinë në Shqipëri, do të kishim përnjimend vështirësi objektive. Partitë politike shqiptare nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Partia demokratike nuk qenë asnjëherë e tillë, që në lindje, kurse Partia socialiste ka pasur një shpërndarje territoriale të admirueshme (anipse të trashëguar, pra me implikime ideologjike), që është lëngëzuar me kalimin e kohës, për të mbërritur në ditët e sotme: me fizionominë e brand-it të reduktuar pothuajse në një lule.

Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri na kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të partitokracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë. Mirëpo tërheqja e partive nga territori mund të ketë pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë të hapësirat e jetës sociale. Partitokracia shqiptare, na rezulton kështu, disi anormale, përderisa refuzon të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëton se përfaqëson legjitimisht të gjitha instancat shoqërore. Këtu ka gisht edhe ligji elektoral shqiptar, që përveç bug-ëve teknikë, ka probleme serioze në kahun e përfaqësimit.

Duhet thënë se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive shndërrohet në partitokraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Ky deformim është mëse i qartë në Shqipëri, jo sepse në parlament nuk ka deputetë me prejardhje punëtore apo fshatare, por sepse në parlament veçoritë e qytetarëve vijnë e humbasin në turmën e interesave, ose vetëm në një grusht interesash. Reagenti koagulues i partitokracisë identifikohet fillimisht tek paaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në.

Partitë nuk e kanë të vështirë ta dëshmojnë legjitimitetin e tyre nëpërmjet votës popullore. Tek e fundit, edhe zgjedhjet e fundit treguan fare qartë se PD-ja dhe PS-ja, madje edhe LSI-ja, e kanë mbështetjen popullore. Kandidatët e tyre u votuan, kush më shumë e kush më pak, kurse treguesi i abstenimit nuk u regjistrua në mënyrë substanciale. Gara frymëmbajtëse për bashkinë e Tiranës thotë në vetvete se partitë gëzojnë mbështetje tek votuesit, në atë pikë sa numërohen me zemër të ngrirë votat një më një. Shumëkush mund ta kundërshtojë këtë interpretim me idenë se partitë mund të krijojnë një farë karteli midis tyre, një lloj aleance për të shmangur konkurrencën e partive të tjera.

Siç shihet, përkufizimi i partitokracisë është tejet i vështirë, aq më shumë për realitetin shqiptar. Kriteri i financimit publik i partive politike është edhe më i diskutueshëm, për mendimin tim. Që partitë shqiptare marrin fonde publike të caktuara për këtë qëllim nuk përbën ndonjë skandal të veçantë. Ndodh edhe në vende të tjera europiane. Sikur të eliminohej partitokracia me heqjen e financimeve publike atëherë do të ishte ndjekur nga të gjithë si metodë. Duket formulë tepër e thjeshtë. Frika e shumëkujt, midis syresh edhe e imja, është se mos partitë bëhen prerogativë e atyre që kanë mundësi të gjejnë financime. Në qoftë se një parti mbledh bashkë disa miliarderë, atëherë nuk ka konkurrente për punë fondesh. Të tjerat nuk do të kenë parà as për shaptilograf, kurse ato “të kamurat” do t’i mbysin mediat me reklama të prodhuara me art nga agjensitë më moderne dhe kreative të kumtimit masiv. Kjo mund të çojë në shpërpjesëtim mjetesh, ndoshta edhe në shpërpjesëtim votash. Përkundrazi, financimi publik siguron disi mbijetesën për të gjithë, barazinë në start, bashkëjetesën e të voglit me të madhin. Ka kosto, por ndoshta është i nevojshëm.

Italianët, të cilët partitokracinë e kanë mbajtur në kurriz për shumë kohë, kanë shpikur neologjizmin “lottizzazione”, për të shënjuar (shpër)ndarjen e pushtetit dhe të vendeve të punës, nga ministritë tek zyrat periferike, nga ndërmarrjet publike tek televizionet. Është prerogativë partiake emërimi në postet drejtuese me karakter politik. Nuk duhet të habitemi. Problemi qëndron kur kjo logjikë shkon e prek administratën vertikalisht, pa pasur parasysh profesionalizmin, kompetencat, përvojat. Në rast se zërat që qarkullojnë në Shqipëri për 20%-shin e posteve të rezervuara për një parti do të ishin të vërteta, atëherë duhet të huazojmë fjalën e mësipërme italiane ose të krijojmë një të re.

Personalisht, pyetjen provokuese të Ardian Vehbiut “Çfarë i duhen qytetarit shqiptar partitë politike?” e interpretoj kështu: “A i duhen shqiptarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri?”, ose “Kështu siç janë, a i duhen shqiptarëve partitë politike?”. Në fakt, përçudnimi i partive tona (me dallesat përkatëse, sepse partitë shqiptare janë gjithsesi të ndryshme) duhet parë si anomali për t’u rregulluar, jo si autorizim nihilist e kualunkuist për të eliminuar grupimet politike që konvencialisht quhen parti. Pa bërë avokatin e partive, për të cilët nuk kanë absolutisht nevojë, mund të thosha se partitë nuk janë të domosdoshme, por të dobishme, nëse rrinë në vathën e duhur. Le të bëjmë ca fantapolitikë. Nëse në vend të partive do të kishim nesër në parlament shoqata e Ojq, rreziku në vend do të quhej shoqatakraci, sepse asnjë organizëm shoqëror nuk është imun nga degjenerimi, aspektet e të cilit prekëm më sipër. Këtu batuta për shkërdhatokracinë e famshme vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë.

Si mund të luftohet partitokracia? Qoftë edhe ajo alla shqiptarçe, në embrion apo e zhvilluar qoftë? Duke filluar nga roli i shëndoshë i rolit partiak, i cili kur ushtrohet mirë i shërben pa dyshim shoqërisë. Ky pohim ka diçka utopike në vetvete, përderisa i kërkon partive të vetëriparohen nga të metat e nga devijimet funksionale, por nuk është i pamundur. Shpesh janë vetë partitë që e kuptojnë se mbijetesa e tyre varet nga aftësia për t’u ripërtërirë, për të përkthyer sa më mirë nevojat e shoqërisë, për t’u diferencuar nga pikëpamja programatike, për të parë drejt së ardhmes pa e mbajtur kokën mbrapa. Shpresa tjetër qëndron tek përçarja midis partive të ndryshme. Konkurrenca i bën mirë edhe sistemit partiak, sepse i shtyn ato të gjejnë rrugë të reja për të dialoguar me elektoratin. Referendumi si mjet duhet konsideruar në përgjithësi si përjashtim, edhe pse është demokratik. Duhet përdorur, por pa abuzuar, sidomos për dënimin kapital të partitokracisë. Sepse nuk dihet rezultati, sepse nuk njihet alternativa.

Antitrupat natyrorë kundër partitokracisë gjenden tek shoqëria civile, ndërmjetësja par excellence e shoqërisë, por kjo është aq e dobët në Shqipëri dhe aq e përulur mendërisht sa e ka të vështirë t’i shërojë patologjitë partiake; sipas gjasës rrezikon më shumë t’i marrë viruset pikërisht prej tyre. E njëjta gjë mund të thuhet për institucionet shqiptare, duke shtuar se shpeshherë janë fryt i ndërveprimit të partive të sotme, e për më tepër vuajnë nga mungesa e traditës. Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive kombëtare. Për të përqafuar këtë optimizëm duhet në radhë të parë të sqarojmë nëse partitokracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit të kargove, pra nëse nuk është produkt i transplantimit të praktikave perëndimore në mënyrë shabllone. Në fund të fundit, kopjuam mijëra ligje e praktika, sisteme e struktura, kopjuam të mira e të këqija bashkë. Cinikisht mund të thuhej se në laboratorin “Shqipëri” po testohet një variant i ri i partitokracisë postotalitare.

Partitokracia, paradoksalisht, është problem për vetë partitë, sepse galvanizon forcat e antipolitikës. Sidoqoftë, kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizës së demokracisë, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë e vet. Në të kundërt, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve të cilën pretendojnë ta përmirësojnë. Barnat çudibërëse ndoshta kot i kërkojmë, por përpjekjet për kurim nuk duhen reshtur. Mos vallë duhet të fillojmë nga poshtë, nga etika e shëndoshë e administrimit të së mirës së përbashkët dhe të publikes? Duhet kohë, por rezultati është i sigurtë, edhe kundër partitokracisë.

Botuar fillimisht nё Peizazhe tё fjalёs (1 qershor 2011)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: