Kopjacë profesionistë

Mësoj nga shtypi i huaj se është përgatitur një program i posaçëm kompjuterik kundër kopjimit. Universiteti i Venecias, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, do ta birësojë programin e mësipërm për të kapur studentët kopjacë që përgatisin temat e diplomës duke “vjedhur” materiale sa andej këndej.

Të gjithë studentët duhet t’i kalojnë punimet nga skaneri vigjilent i programit kundër plagjiaturës. Ky i fundit, pasi e kontrollon aksh skedar informatik, bën një raport specifik lidhur me burimet e përdorura dhe ngjashmëritë e dyshimta. Universiteti i njohur italian deklaron se programi në fjalë është për të mirën e studentëve vetë, ndërsa kontrolli i fundit për origjinalitetin i takon gjithsesi drejtuesit të temës.

Problemi i plagjiaturës është tashmë në rend të ditës. Ka qenë gjithnjë problem, të kuptohemi, sepse të paaftët e hileqarët nuk i përkasin vetëm epokës sonë. Mirëpo, bindja ime është se me shpikjen e internetit, kopjimi është bërë teknikisht më i thjeshtë dhe është në dorën e gjithkujt. Deri në fillim të viteve nëntëdhjetë, studentët që donin t’i mbronin temat e diplomave, por edhe kandidatët për doktorata shkencash ose tituj më të lartë akademikë, për të kopjuar diçka duhet të paktën të shkonin në bibliotekë ose në librari.

Kopjimi është akt i dënueshëm, në çdo rast, por nuk e di pse po më duket më i pranueshëm në epokën e dikurshme parainformatike. Vetë vajtja në bibliotekë e në librari ishte një farë riti me efekte didaktike. Libri duhej kërkuar, duhej hapur, duhej konsultuar e më pas kopjuar. Ky veprimi i fundit nënkuptonte edhe një përpjekje/lodhje fizike, sepse donte të thoshte shtypje me makinë shkrimi ose thjesht kopjim me dorë. Si të thuash, vetë vjedhja kërkonte një farë mundi, çka mund ta justifikonte pak ndërgjegjen e kopjacit.

Aktualisht, kopjimi është modë e hapur. I promovuar edhe nga kompania e gjithkundgjendshme “Kopjo & Ngjit”. Unë vetë jam dëshmitar i disa rasteve flagrante. Kur kam korrigjuar tema diplome të studentëve e kam kuptuar se kishin kopjuar thjesht nga formatimi i skedarit, meqë i kishin lënë formatin origjinal të internetit, pra nuk kishin marrë as mundimin ta kthenin në mënyrën normale. Më pas e kam kërkuar me një motor çfarëdo kërkimi dhe e kam gjetur tekstin diku në xhunglën internetiane.

Lexuesit e këtij blogu janë të gjithë dëshmitarë se si materialet dhe idetë e tij shkojnë e afishohen kudo, ndonjëherë edhe në banja të qelbura të internetit. Por ky është problem tjetër, me siguri edhe më i përhapur. Gjithsesi, më i rëndë duket fakti që dikush kërkon të marrë titull akademik e mashtron duke përdorur djersën e tjetrit, pa e cituar asfare. Do të jetë po ky, që do të gjejë vend pune më të mirë, meqenëse copën e letrës (diplomën) e ka, të vjedhur por e ka.

Moda e kopjimit lidhet detyrimisht edhe me rritjen e numrit të universiteteve. Në qoftë se këto shndërrohen në tipografi diplomash, atëherë teknika “kopjo e ngjit” bëhet e pashmangshme, në mos e lejueshme. Ka gjasa që në Shqipëri kjo teknikë të jetë e përhapur, edhe pse interneti shqiptar nuk ofron ende materiale cilësore me shumicë. Në këtë rast, programet e kontrollit nuk hyjnë në punë; vetë profesori është i interesuar t’ia japë diplomën studentit-klient.

Nuk e di se si do të funksionojë programi kompjuterik i lartcituar, as kam ndër mend t’i përfytyroj problemet e mundshme teknike që mund t’i dalin. Nga një anë më vjen t’i uroj mirëseardhjen, nga ana tjetër metoda të tilla “policore” nuk më bindin a priori, sepse skilet do ta gjejnë gjithnjë mënyrën për t’ia hedhur tjetrit. Ajo që më shqetëson është përhapja e dukurisë, e papranueshme për njerëzit që duan “t’ia kushtojnë” jetën studimit. E këtu kemi të bëjmë me anën etike të shoqërisë. Gjithashtu, nuk dua t’i biem në qafë kopjuesve profesionistë, në klubin e të cilëve herët a vonë hyjnë të gjithë. Siç ka thënë me të drejtë Umberto Eko, “të kopjosh mirë është art jo i thjeshtë, dhe një student që di të kopjojë ka të drejtë të marrë notë të mirë”.

Por këtu po flasim për kopjacë përtacë

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: