Nevoja për ekran

Dëshira për të dalë në ekran ekziston që me shpikjen e televisorit. Natyrisht, ekrani është pararendës i televizorit, por kinemasë së hershme, i mungonte përmasa kolektive ndaj edhe njerëzit e shikonin mundësinë për të dalë në film tejet të vështirë, pothuajse të pamundur.

Vetëm më përhapjen e televizorit u rrit mundësia për t’u pasqyruar tek “kutia magjike”, e cila u rrënjos dalëngadalë në çdo shtëpi, sikurse telekamerat në çdo cep skene, rruge, apo stadiumi. Për të dalë në televizor nuk duhet të jesh doemos aktor, madje as figurant. Mjafton t’ia bësh me dorë ekranit, diku në një lidhje direkte, ose thjesht në intervistë rruge. Por ka mënyra edhe më të sofistikuara për t’iu shfaqur në shtëpi miliona njerëzve.

Askush nuk mund ta mohojë dëshirën e njërëzve për të dalë në televizor. Po përse vallë ekziston kjo dëshirë? Shqiptarët janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë se ky impuls i papërmbajtshëm nuk ka lidhje me sistemin. Edhe Shqipëria totalitare kishte yjet e veta televisive. Në xhiron e dikurshme të bulevardit, sytë e shëtitarëve nguliteshin të mahnitur kryesisht tek personazhët e ekranit. Edhe kur bëhej fjalë për yje të kinemasë, këta ia detyronin njohjen ekranit të vogël, që ua amplifikonte famën deri në fshatrat e humbura të provincës. Por edhe punonjësit që inkuadroheshin në pamje televizive tregoheshin me gisht të nesërmen në ndërmarrje, sikurse krenoheshin prindërit e fëmijëve që dilnin në emisione për moshën e tyre. Tek e fundit, të gjithë prisnin të shiheshin në ekran gjatë manifestimeve kremtuese që organizoheshin rregullisht përballë tribunës së kuqe.

Pra sharmi i tubit katodik nuk varet nga sistemi politik. Dëshira e njerëzve për të dalë në televizor ka qenë i pandalshëm si në totalitarizëm ashtu edhe në demokraci. Megjithatë ndryshime ka pasur, ngaqë ekspozimi në televizion bartte dikur implikacione politike, ndërsa oferta televizive (me një kanal të vetëm shtetëror) ka qenë e reduktuar në minimum. Sot dalja në televizion nuk sjell ndonjë ndërlikim, edhe nëse bëhet në mënyre pirateske, si ata që ia vjedhin pamjet ekranit duke i dalë përpara me zor; por nuk duhet harruar se, dikur, një veprim i tillë mund të sillte pasoja serioze.

Që në Shqipërinë aktuale ka një rendje kolektive drejt ekranit nuk ka pikë dyshimi. Kjo lidhet sa me zhvendosjen e hapësirës publike në hapësirën televizive, aq edhe me dëshirën e njerëzve për të dalë në televizor. Për pjesën e parë mund të shkruhen traktate të tëra, aq më shumë për Shqipërinë postmoderne, ku ndërveprimi shoqëror është mediatizuar tërësisht, ku edhe mbledhjet e Parlamentit apo të qeverisë marrin kuptim për sa kohë ndiqen nga telekamerat televizive. Për pjesën e dytë, mund të citohet së fundi suksesi i emisioneve të importuara si Big Brother, ku jeta e përditshme reale shkon e puqet me atë çka jepet me pamje televizive.

Krahasimi i dëshirës, në thelb i njëjtë, për të dalë në televizor në të dyja sistemet, na shpie drejtpërdrejt tek interpretimi i cituar nga shkrimtari dhe semiologu italian Umberto Eko. Sipas këtij, vrapi i çmendur drejt ekranit, duhet shpjeguar me faktin se sot njerëzit nuk besojnë më në Zot. Dikur njerëzit ishin të bindur se jeta e tyre kishte të paktën një Spektator, që “ua njihte xhestet (dhe mendimet), që mund t’i kuptonte e, sipas nevojës, t’i ndëshkonte”. Shembulli gjuhësor i Ekos i shkon për shtat edhe shqipes. Edhe ne thoshim (ose themi) se “Një Zot e di sa kam vuajtur”, “Vetëm Zoti m’i di hallet”, “Zoti e di sa të kam dashur”, e kështu me radhë. Ky shikim i të Gjithfuqishmit i jepte një farë kuptimi jetës së njeriut, sidomos atij që kishte bindjen se jetonte në mërzi e zymti.

Zoti e nxirrte njeriun, si të thuash, nga anonimësia, ngaqë thellë thellë njeriu ia ndjente shikimin pas shpine. Por tani që shoqëritë moderne po laicizohen, tani që njeriu nuk po ia ndjen më vështrimin Perëndisë, nuk mbetet rrugë tjetër veçse televizioni për të dalë nga bodrumi i harresës, për t’u parë nga sytë e të tjerëve, nga sytë e shoqërisë. Së fundi, semiologu italian, hedh një ide interesante: dalja në televizor është edhe surrogat i transhendencës, ku kremtohet përjetësia edhe pse e përkohshme, ku njeriu ngazëllehet andej falë vështrimit këtej. E gjithë kjo, pa rrezikun e kalimit të vërtetë në botën e përtejme.

Sipas interpretimit të përmendur nga Umberto Eko, i bie që në Shqipërinë totalitare – pra në një vend ateist ku Perëndia ishte hequr me ligj – të gjithë njerëzit ta ndalnin vrapin para telekamerave. Mirëpo kjo nuk ndodhte në atë kohë. Dëshira për të dalë në televizor ishte në thelb e njëjtë me atë të sotmen, edhe pse duhet përmasuar në mjedisin e mjetet teknologjike të kohës. Dikur nuk kishte shumë kanale televizive, por dëshira për të qenë qoftë edhe spektator duartrokitës ekzistonte pa dyshim. Në rast se interpretimi i mësipërm është i drejtë, pra që humbja e Spektatorit të madh (Zotit) solli kërkesën për t’u parë nga spektatorët e vegjël, atëherë mungesa e veçantisë shqiptare duhet shpjeguar me faktin se Spektatori i madh vetëm sa kishte ndërruar emër. Shumëkush mund ta kujtojë syrin vigjilent të revistës “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Brendshme) që, sikur të mos mjaftonin parrullat nëpër pallate e faqe malesh, na kujtonte se regjimi e shoqëria na survejonte vazhdimisht. Me fjalë të tjera, mungesa e vështrimit të Hyjit (për ata që e përqafuan ateizmin) shkoi e u zëvendësua me syrin e gjithëkundgjendshëm të regjimit totalitar.

Nuk duhet harruar se Spektatori me “S” të madhe zëvendësohej disi në shoqëritë patriarkale e rurale me familjen, fisin e fshatin. Pra nevoja për t’u parë nga të tjerët realizohej edhe në shesh të fshatit, qoftë duke bërë një idiotësi çfarëdo. Dikur mjaftonin një palë xhinse për të bërë bujë edhe në lagjen e Kombinatit të Tiranës me mijëra banorë. Porse në një shoqëri të karakterizuar nga lëvizje të forta demografike, me emigracion të brendshëm e të jashtëm, ekrani ofron sintezën e trashendencës, përveç sheshit të së kaluarës, sepse atje merr trajtë pavdekësia, sidomos në një vend ku mbretëron transformimi i shpejtë dhe tranzicioni i ngadaltë.

Megjithatë pyetja mbetet pa përgjigje. Përse ekziston dëshira për të dalë në televizor? Këtu nuk bëhet fjalë për profesionistët e ekranit, edhe pse ata mund të jenë vazhdimi i sotëm i dëshirës xhenuine të së djeshmes. Nuk bëhet fjalë as për ata që diçka duan t’i komunikojnë publikut. Interpretimi i dhënë nga Umberto Eko nuk e shteron çështjen, për sa kohë nuk i jep përgjigje edhe dëshirës së ateistëve – ndoshta më të zjarrtë se të tjerët – për t’u parë në ekranet televizive mbarëbotërore. Këta nuk i besojnë syrit të Perëndisë, por denjojnë të shihen nga sytë e gjithkujt. Përgjigjet mund të jenë të shumta. Dikush nëpërmjet ekranit televiziv dëshiron të dalë nga anonimësia, dikush e bën për biznes, dikush tjetër për ekzibicionizëm. Ka nga ata që e shohin televizionin si skenë moderne, ku të realizojnë famën qoftë dysekondëshe; ka të tjerë që në mbretërinë e imazhit nuk shohin fron tjetër; ka të tjerë akoma që daljen në televizor e kanë të natyrshme e të lehtë, sepse nuk lyp kurrfarë lodhjeje e sakrifice. Nuk duhen përjashtuar ata që e gjejnë në ekran ekzistencën e njëmendtë (dal në televizor: ergo sum).

Interpretime të tjera mund t’i bëhen një dëshire (ndoshta) instiktive njerëzore, që vjen nga thellësitë e shekujve, atëherë kur televizioni nuk ekzistonte fare. Tek e fundit bariu Erostrat, sipas mitologjisë së vjetër greke, e dogji tempullin e Artemisës, një nga shtatë mrekullitë e botës, vetëm për të hyrë në histori, çka i bën më të pranueshëm e gjithsesi më të padëmshëm ithtarët modernë të erostratizmit, që duan vetëm të shkëlqejnë sadopak në ekranet Lcd ose plazmë. Televizori pa spektatorin nuk do të kishte kuptim, sepse funksioni i tij realizohet në çastin e shikimit të telekomanduesit, madje në mendjen e këtij të fundit. Nga ana tjetër zëvendësimi i Hyjit është vetëm iluzion përderisa asnjë telekamerë nuk mund të na zhbirojë mendimet. Atëherë pyetja e mësipërme mund të shtrohet edhe kështu: “Përse i shikojmë ata që dalin në televizor?

Botuar fillimisht tek blogu Peizazhe të fjalës, më 9.1.2011
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: